Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin mars shënoi një rritje prej 0.3 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm, bëri të ditur INSTAT. Ndryshimi vjetor i indeksit në muajin mars (mars-2013/mars-2012) është 2.4 për qind (inflacioni). Një vit më parë ky ndryshim ishte 1 për qind. Krahasuar me muajin e mëparshëm, indeksi i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një rritje prej 1.2 për qind, ku peshën kryesore me 5.4 për qind e zinte nëngrupi “fruta”. Rritje çmimesh vërehen edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupin “zarzavate, përfshirë patatet” me 4.1 për qind, “sheqer dhe ëmbëlsira” me 0.5 për qind apo dhe “mishi” me 0.1 për qind. Në disa nëngrupe të tjera të këtij grupi çmimet shënuan ulje ku mund të përmendim uljet në nëngrupet “kafe, çaj e kakao” me 1.3 për qind, “qumësht, djathë e vezë” me 0.2 për qind, “peshk” me 0.5 për qind etj. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” ka shënuar një ulje prej 0.3 për qind. Indeksi i grupit “Transporti” ka shënuar një ulje prej 0.1 për qind. Brenda këtij grupi çmimi i naftës shënoi një ulje prej 0.1 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 0.1 për qind. Indeksi i grupit “mallra dhe shërbime të tjera” ka shënuar një ulje prej 4.6 për qind, ulje kjo që ka ardhur, sipas INSTAT-it, kryesisht si rezultat i reduktimit të tarifave të sigurimit të automjeteve.


A.K