PBB-ja në tremujorin e parë ra 0.2%. Keq ndërtimi dhe industria. Berisha: Do ia dalim
ARD KOLA
Ekonomia e vendit po shkon drejt recesionit. Të paktën në tremujorin e parë konstatohet zyrtarisht rënie e Prodhimit të Brendshëm Bruto, me 0.2 për qind, në raport me vitin 2011, për të njëjtën periudhë, ndërsa krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2011 u ul me 1.2 për qind. Nëse vazhdohet me këto ritme edhe në tremujorët e tjerë, atëherë vendi hyn zyrtarisht në recesion, pra në rënie të fortë, kambanë kjo alarmi që duhet marrë seriozisht.
Goditja erdhi nga sektori i industrisë, i cili shënoi një rënie prej 19.3 për qind në tremujorin e parë të vitit 2012 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, ndërsa krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2011, dega e industrisë shënoi një rënie prej 5.4 për qind. INSTAT-i e shpjegon rënien të lidhur me sektorin energjetik, i cili në fillim të vitit përjetoi periudhë të vështirë.
“Duhet theksuar fakti që në degën e industrisë vlerësimi i energjisë elektrike është bërë me mënyrën direkt të vlerësimit, në ndryshim kjo nga vlerësimi i degëve të tjera, të cilat bazohen mbi mënyrën indirekte të vlerësimit”, thotë INSTAT.
Edhe ndërtimi shërbeu negativisht për zhvillimin e vendit. Sipas INSTAT-it, ky sektor, në tremujorin e parë të vitit 2012, pati rënie me 17.6 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2011 dhe u ul me 7.1 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës.
Aktiviteti i transportit në tremujorin e parë të vitit 2012 u ul me 1.7 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë dhe u ul me 4.3 për qind ndaj tremujorit paraardhës.
Dega e postkomunikacionit pati një rënie me 4.8 për qind këtë tremujor krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2011 dhe një rënie me 1.0 për qind përkundrejt tremujorit të katërt të vitit 2011. Edhe pse shqiptarët vijojnë të komunikojnë ndjeshëm me celularët, duket se sektori po bie më shumë nga konkurrenca e egër me ulje tarifash se sa nga faktorë të tjerë.
Pavarësisht këtyre treguesve, Kryeministri shprehu bindjen se ekonomia e vendit do ta marrë veten. “Tremujori i parë i vitit regjistrohet si më i vështiri, për disa arsye madhore”, tha Kryeministri, duke bërë përgjegjës kryesor sektorin energjetik, për shkak të thatësirës dhe importeve të mëdha, me vlerë mbi 100 milionë euro. “Të gjithë këta faktorë dhe kriza e thellë që pllakosi vendet përreth, natyrisht krijuan një vështirësi serioze në 3 mujorin e parë, e cila po kapërcehet në mënyrën më të sigurt në tremujorin e dytë e të tretë”, pranoi Kryeministri. Tashmë zyrtarisht as qeveria nuk mund ta fshehë vështirësinë që po kalon dhe ku marrja e masave nuk është më e nevojshme, por e detyrueshme.
Aktiviteti bujqësor në tremujorin e parë të vitit 2012 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë u rrit me 4.5 për qind. Ndërsa kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2011 u rrit 1.6 për qind.
Për vitin 2012, parashikohet një rritje ekonomike jo më e lartë se 2%, nga 3% që ishte në 2011-n
Opozita
Beqja: Po zhvillohemi spontanisht
E menjëhershme ka qenë deklarata e Partisë Socialiste, përmes sekretarit për programin, Ilir Beqja, duke e konsideruar raportin e INSTAT-it si një tjetër gënjeshtër të radhës. “Kur INSTAT-i, alias Instituti i Gënjeshtrave të Saliut, pranon që ekonomia ka rënie vjetore 0,2%, shqiptarët e kuptojnë lehtë sesa më e madhe është kjo rënie”, deklaroi Beqja. Nisur nga fakti se rënien më të madhe e ka industria me 19,3%, për sekretarin e PS-së, tashmë vendi nuk mund të konsiderohet superfuqi energjetike.
“Të dhënat për rritjen ekonomike tremujore tregojnë edhe mënyrën spontane të zhvillimit të ekonomisë sonë. Për ne si opozitë, por edhe për publikun shqiptar, për sipërmarrësit dhe për buxhetet familjare shqiptare, kjo gjendje e ekonomisë së vendit nuk është e rastësishme”, deklaroi më tej Beqja.