Ministrat e Ballkanit takohen në kuadër të Konferencës së Berlinit
Propozimi – Ahmetaj propozoi ngritjen e një grupi të përbashkët pune mes vendeve të rajonit, i cili do të punojë për diskutimet e iniciuara në Berlin
Bizneset në rajon nuk janë shumë të ndërlidhura, tha dje ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në Malin e Zi në një vizitë dyditore. Ai tha se, për sa i përket klimës së biznesit, Shqipëria po bën një punë shumë të mirë në këtë drejtim dhe të gjithë e dinë se pa investime nuk mund të ketë sukses. “Ne duhet të heqim procedurat burokratike që janë pengesë për Investimet e Huaja Direkte. Ne jemi duke bërë një punë të mirë në këtë drejtim por, sërish, ekonomitë tona po përforcojnë nën potencialin e tyre real. Dhe të performosh nën potencial do të thotë që ka ende oportunitete dhe hapësira të pashfrytëzuara të cilat duhet t’i kapim”, u shpreh ministri Ahmetaj. Ai merr pjesë në konferencën “Ekonomia-Baza për Bashkëpunimin Rajonal në Ballkanin Perëndimor”. Në tryezën e rrumbullakët të ministrave të Ekonomisë dhe përfaqësuesve të bizneseve, moderatori Eckhard Cordes, kryetar i Komitetit për Marrëdhëniet Ekonomike të Europës Lindore, u shpreh se ky takim është në kuadër të Konferencës së Berlinit dhe qëllimi është të thellohen lidhjet dhe diskutimet e iniciuara më 28 gusht, si dhe të adresohen pengesat që mund të ekzistojnë për momentin. Në vijim, ministri i Zhvillimit Ekonomik theksoi se bizneset në rajon nuk janë shumë të ndërlidhura mes tyre ndaj është e rëndësishme që takimet b2b, g2g dhe g2b të jenë më intensive në kuadër të bashkëpunimit rajonal. Kuadri i diskutimeve të Berlinit, u shpreh Ahmetaj, duhet të kthehet në një guidë mbi të cilën të bazojmë vendimmarrjen tonë.