Ministri i Financave: Pas dy mandatesh, mbyllim procesin. Jap fondet nëse votohet buxheti


ARD KOLA


Për të mbyllur të gjithë procesin e dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politikë, nevojiten të paktën 43 miliardë lekë, pra qeveria duhet të vendosë të paktën në çdo vit buxhetor 5 miliardë lekë në dispozicion, gjë e cila nuk rezulton kështu.


Deri tani, kur nisi procesi në vitin 2008, janë akorduar 6 miliardë lekë në këto katër vjet dhe është mbyllur i plotë kësti i parë, ndërsa janë edhe 7 këste të tjera, por qeveria nuk ka para për ta mbyllur më shpejt procesin.


Ministri i Financave raportoi dje në Kuvend për situatën e dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë, me kërkesë të anëtarëve të opozitës në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Ecuria e deritanishme duket e ngadaltë, por tashmë në prag të fushatës elektorale, kreu i Financave, Ridvan Bode, tregoi gatishmërinë për të akorduar fondet, në rast se demokratët do të qëndrojnë në pushtet edhe për dy mandate të tjera. Kur kësti i parë duket tashmë i mbyllur, ministri tha se për të dytin po punohet për ta përfunduar në kohë, por edhe këtu Bode vendosi tjetër kusht, që lidhet me votën. Ai ftoi opozitën të miratonte buxhetin 2013 dhe kësti i dytë do të jepet i gjithi brenda vitit. Në komision u diskutua edhe për kompensimet financiare ndaj kategorive të invalidëve dhe ish ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm.


Debatet


“Deri tani janë përgatitur 23 vendime të Këshillit të Ministrave, të cilat u përkasin kategorive: Të pushkatuar pa gjyq janë 305 persona të shpërblyer, të dënuar me dënim kapital janë 1039 që kanë përfituar dhe të dënuar me burgim janë 10385 persona që kanë përfituar pagesat respektive”, bëri me dije ministri Bode. Nga rreth 21 mijë kërkesa, qeveria arriti që të kompensojë vetëm gjysmat, pasi të tjerët kanë probleme me dokumentet. Opozita ka kërkuar shpjegime për afatet dhe faturën financiare mbi dëmshpërblimin e të gjithë ish të dënuarve politikë. “Tek ky ligj që ju e konsideroni të miratuar, po që ka katër muaj që mbahet peng në Kuvend dhe nuk është miratuar zoti ministër, u shtohen dhe kategori të tjera. Thuhet qartësisht që 3 mijë dosje janë paraqitur jashtë afatit dhe ky është një problem shumë i madh sepse nuk janë marrë ende në shqyrtim për shkak se kërkohet të ndryshohet në këtë ligj, që nuk është miratuar, pikërisht shtyrja e afatit për të marrë në shqyrtim këto 3 mijë dosje”, u shpreh deputeti socialist, Erjon Braçe.


Loja me shifrat bëhet më e ngatërruar, kur ministri thotë se te Financat janë paraqitur 11.729 dosje nga të cilat 10.700 dosje ose mbi 85 për qind kanë marrë këstin e parë. Në fakt, zyrtarisht janë 21 mijë kërkesa ose dosje të menaxhuara nga Ministria e Drejtësisë, nga ku rezulton se 55 për qind i kanë marrë paratë.


Zvarritjet


Qeveria nuk ka para ta mbyllë procesin më shpejt sa duhet për shkak të moshës dhe kushteve shëndetësore të ish të dënuarave politikë. “Ata dëshirojnë që ta marrin në një periudhë sa më të shkurtër dhe ne dëshirojmë që ta japim sa më shpejt, por mundësitë tona janë këto që ne kemi demonstruar dhe të japësh gati gjysmën e dëmshpërblimit për 8 vite, do të thotë që kjo mazhorancë e shleu detyrimin e vet”, ishte tjetër deklaratë në formë evazive e ministrit. Në katër vjet, qeveria dha vetëm 6 miliardë lekë, ndërsa fatura është 43 miliardë lekë, pra janë për të ndarë edhe 37 miliardë lekë. Për ta mbyllur procesin për 7 këstet e mbetura do të duhen çdo vit të arkordohen nga arka e shtetit të paktën 5.2 miliardë lekë, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më tani, pasi janë lëvruar mesatarisht çdo vit nga 1.5 miliardë lekë. Pra, me këto ritme rrezikohet që procesi të shkojë larg në kohë dhe se të prekurit nga sistemi komunist të mos kenë mundësi të marrin të drejtën që u takon.


Debati për ish të përndjekurit u trajtua gjerë javët e fundit me nisjen e grevës së urisë të 20 ish të dënuarave politikë, dy prej të cilëve u vetëdogjën dhe ku njëri është në kushte të rënda për jetën. Kërkesat e tyre lidheshin me faturën financiare dhe respektimin afateve. Ligji u miratua në vitin 2008 dhe synonte dëmshpërblimin e plotë të ndarë në 8 këste (një për secilin vit) dhe me normë 2 mijë lekë dita e burgut, përfshi dhe të internuarit në kampe me gjemba.