Kontrata, kredi me interes 13,3%. Dëmi, 60 mln euro


[callout]


Ish-guvernatori


Ardian Fullani – Guvernatori i BSH-së, Adrian Fullani, do të shprehej për “Financial Times” se kredia ndërkombëtare që i jepet Shqipërisë është një dëshmi besimi. “Ne po e kalojmë krizën me më pak dhimbje se të tjerët. Kërkesa është ende e fortë dhe deficiti buxhetor është nën kontroll”.


Marrëveshja – Kredi tregtare nga kreditorë privatë të tregut ndërkombëtar, në vlerën 250 mln euro.


Shkelja – Përzgjedhja e fituesit është kryer në kushte të pabarabarta dhe jo transparente


Akuza – Do të hetohen për “shpërdorim të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tenderë”.


Dëmi – Sipas Financave, i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerën 60 milionë euro


Financial Times – Kostoja e huas 11% ishte e lartë krahasuar me 5% për 230 milionë euro të marra në 2008-n[/callout]


Zamir Alushi



Rihapet dosja e abuzimeve me fondet për autostradën “Rruga e Kombit”. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ashtu siç kishte paralajmëruar në prill të këtij viti, e ka kallëzuar në prokurori paraardhësin e tij, Ridvan Bode. Pushimi i akuzës për Lulzim Bashën (ish-ministër i Transporteve në atë kohë), e kishte arkivuar çështjen për shefin e opozitës, por jo për bashkëpunëtorët e tjerë. Zyra e shtypit e Ministrisë së Financave njoftoi dje se është paraqitur javën e kaluar pranë Prokurorisë së Tiranës një kallëzim penal ndaj ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode, dhe ish-zëvendësministrit të Financave, Sherefedin Shehu. Ata akuzohen për shkelje të rënda në procedurat e marrjes së kredisë tregtare nga kreditorë privatë të tregut ndërkombëtarë në vlerën 250 milionë euro, për financimin e investimeve kapitale. Referuar materialit kallëzues, i gjithë procesi është kryer në shkelje të ligjit nr. 9665, datë 18.12.2006 “Për huamarrjen shtetërore dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”. “Përzgjedhja e fituesit është kryer në kushte të pabarabarta dhe jotransparente, duke favorizuar një ofertues kundrejt të tjerëve, dhe duke kryer vlerësim të pabarabartë të ofertave, konkurrim të pandershëm nëpërmjet kritereve të ndryshuara nga ato të shpallurat, por të panjoftuara paraprakisht ofertuesve, si dhe të paargumentuara me dokument”, theksohet në kallëzim. Sipas Financave, jo vetëm vlerësimi i ofertave, por dhe procesi është i padokumentuar, i pabarabartë, jotransparent dhe në shkelje të kërkesave të legjislacionit në fuqi. “Kriteret janë ndryshuar gjatë procesit të vlerësimit të ofertave, pasi është konstatuar se ofertuesi i preferuar kishte paraqitur borxhin më të shtrenjtë nga gjithë të tjerët”, nënvizohet në kallëzimin e Financave. Përveçse një borxh shumë i shtrenjtë me kosto reale rreth 13.3%, si pasojë e veprimeve të mësipërme dhe duke blerë borxhin më të shtrenjtë midis gjithë ofertave të paraqitura, sipas Ministrisë së Financave, i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerën 60 milionë euro.


Marrëveshja


Ridvan-BodeIsh-ministri i Financave, Ridvan Bode, e nënshkroi marrëveshjen me dy bankat më 4 maj 2009. Ajo ishte një kredi sindikale me Deutsche Bank dhe një bankë greke. Ministria pohoi zyrtarisht se “kredia merret për të financuar nevojat e buxhetit të shtetit për shpenzime kapitale për vitin 2009, duke përfshirë financimin e mbetur të rrugës Rrëshen-Kalimash”. Kjo kredi do të shpërndahej në dy transhe. Transhi i parë prej 95 milionë eurosh, do të disbursohej brenda muajit maj 2009. Kurse transhi i dytë prej jo më tepër se 155 milionë euro, që do të agregohej nga sindikata e gjerë, do të shpërndahej brenda muajit qershor 2009. Në transhin e parë, bankave rregulluese iu bashkua edhe një bankë tjetër greke në rolin e Rregulluesit Kryesor të Bashkuar (Joint Lead Arranger) me një shumë prej 20 milionë eurosh, si dhe një bankë tjetër e madhe e nivelit të dytë, me një shumë prej 11 milionë eurosh. Financat njoftuan atë ditë se, një numër i madh bankash të tjera, me aktivitet ndërkombëtar, por edhe lokal, kanë shprehur interes për t’u përfshirë në sindikatën e gjerë që do të disbursohet në formën e një transhi të dytë. Për ish-ministrin Bode, që u shpreh në atë kohë, ky zhvillim “shumë pozitiv” tregon “edhe një herë besimin që institucionet financiare ndërkombëtare kanë në ekonominë tonë dhe në ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria”. Gjithashtu, Bode tha se marrja e kësaj kredie, “do të rrisë stabilitetin financiar në vend dhe do të zvogëlojë ndjeshëm nevojën e qeverisë për të financuar buxhetin nga tregu i brendshëm bankar”. “Interesi i kredisë është variabël dhe përbëhet nga indeksi Euribor plus marzhi prej 9.65%”, nënvizonte “Financial Times”. Gjithsesi, në një shkrim tjetër të asaj kohe, “Financial Times” raportonte se kjo kredi vlerësohet e shtrenjtë. “Pavarësisht rënies së kredive, vendi mori 250 milionë euro hua trevjeçare nga Banka Gjermane, dhe dy banka të tjera lokale, për të financuar shumën prej 700 milionë eurosh për përfundimin e rrugës për në Kosovë përpara zgjedhjeve. Por kostoja e huas së marrë 11%, ishte e lartë krahasuar me 5% normë interesi për 230 milionë euro të marra në 2008-n”, raportonte “Financial Times”.


Berisha e miratoi huan


Kredia prej 250 milionë eurosh që u mor për përfundimin e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, ngjalli debate se a ia ka vlejtur të niset një projekt kaq i madh dhe i shtrenjtë, pa marrë parasysh çmimin. Shqipëria nuk ishte në gjendje që të merrte hua nga institucionet ndërkombëtare financiare, sepse që të dyja, Banka Botërore dhe Fondi Ndërkombëtar Financiar, e kishin këshilluar kundër projektit të autostradës. Në këto kushte, qeveria është drejtuar te bankat tregtare. Në mbledhjen e qeverisë, më 6 maj 2009, ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi se “marrëveshja kryhet në një kohë kur shumë qeveri të tjera nuk sigurojnë dot të tilla kredi”. Këto vlerësime të kryeministrit, u bënë duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar nga ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, me bankat ndërkombëtare, prej 250 milionë eurosh për të kredituar qeverinë shqiptare. Berisha vuri në dukje se kredia e siguruar nga Ministria e Financave, në një kohë të një stuhie financiare europiane dhe botërore, vjen si medalje, për të gjithë ata që i kanë qejf medaljet.


 


[callout]Auditimi


Cani: Në treg, kredia ishte më e lirë


Në prill 2014, ministri Cani u shpreh se “ish-ministrin e Financave do ta çojë për ndjekje penale marrja e asaj kredie me 13.3%, kur në treg mund të merrej më lirë. Të mos e kishte marrë atë kredi, nuk ka asnjë argument. Ka shkelje procedurash njëra pas tjetrës.”, deklaroi Cani në një intervistë televizive. Bode dhe Shehu, dy ish-drejtuesit e Ministrisë së Financave, akuzohen se kanë kryer dy vepra penale, atë të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tenderë” në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Kallëzimi i regjistruar pak ditë më parë është bazuar në shkeljet e gjetura nga auditi i Ministrisë së Financave në procedurat e ndjekura për marrjen e kredisë në vlerën e 250 milionë eurove për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Shkeljet sipas auditit kanë qenë në mënyrën se si është marrë kredia, ku në një procedurë prokurimi të drejtpërdrejtë me firmën e Bodes dhe Shehut kjo shumë parash është marrë në dy banka të nivelit të dytë duke përjashtuar nga gara bankat e tjera, të cilat mund të ofronin kredi me kushte më të favorshme. Deri tani, në prokurori, Ministria e Financave ka dërguar 94 raste për hetim. [/callout]