Zbulohen të dhënat në pasqyrën financiare të kompanisë për vitin 2011
Koncesionet: Rreth 95% e aseteve që ka disponuar më parë “Albpetrol”-i janë dhënë me koncesion
Shfrytëzimi: Pjesa e mbetur për shfrytëzim, e cila do privatizohet nuk disponon rezerva të konsiderueshme
Fitimi: Ndonëse “Albpetrol”-it i ka mbetur një pjesë e vogël, fitimi neto është rreth 30 milionë USD
Dokumenti: Të dhënat për kapitalin e kompanisë detajohen në pasqyrën financiare të vitit 2011
Edmond Hoxhaj
Kompania e vetme naftënxjerrëse shtetërore “Albpetrol”, një prej pasurive më të mëdha kombëtare pritet të shitet për gjysmën e totalit të kapitalit të saj, ku përfshihen asetet dhe të ardhurat vjetore. Gazeta “Shqip” ka siguruar një kopje të pasqyrave financiare të vitit të mbyllur, më 31 dhjetor 2011, ku specifikohen vlerat e veçuara të aseteve dhe të të ardhurave të “Albpetrol”-it për atë hark kohor. Në pasqyrën, ku evidentohet totali i kapitalit të pasiveve afatshkurtra dhe atyre afatgjata, vlera përfundimtare e tij është 62 miliardë e 455 milionë, 849 mijë dhe 653 lekë të reja, që është e barabartë me rreth 600 milionë dollarë amerikanë. Ndërkaq, nga burime të besueshme pranë “Albpetrol”-it, por edhe të METE-s, është mësuar se kjo kompani pritet të nxirret në shitje për një vlerë jo më shumë se 300 milionë dollarë. Kjo, për shkak se rreth 95 për qind e aseteve, që ka disponuar më parë “Albpetrol”-i janë dhënë me koncesion, ndërsa i kanë mbetur në shfrytëzim jo më shumë se 5 për qind e tyre, që ndodhen në një gjendje tejet të amortizuar dhe jashtë standardeve bashkëkohore. Por, ndonëse “Albpetrol”-it i ka mbetur një hise mjaft e vogël e “tortës” që zotëronte dikur, sipas pasqyrës financiare të vitit 2011, fitimi neto, që është nxjerrë gjatë 12 muajve nga kjo shoqëri, kap shifrën e 3.4 miliardë lekëve të reja, ose rreth 30 milionë dollarë.
Bilanci
Në pasqyrën financiare të zërit të bilancit për pasivet afatshkurtra të vitit ushtrimor 2011 të “Albpetrol”-it, janë evidentuar të gjithë titujt dhe vlerat koresponduese për secilën prej tyre. Kështu, huatë dhe parapagimet kapin vlerën e 8.490.946.667 lekë; të pagueshme ndaj furnitorëve 7.795.833.063 lekë; të pagueshme ndaj punonjësve 204.703.885 lekë; detyrime tatimore 309.623.994 lekë; hua të tjera 180.785.725 lekë; grandet dhe të ardhurat e shtyra 97.878.147 lekë, provizionet afatshkurtra 30.000.000 lekë. Në total pasivet afatshkurtra kapin shifrën e 8.6 miliardë lekë. Huatë afatgjata kapin shifrën e 149.601.267 lekë, kurse detyrimet, bono dhe detyrime nga qiraja financiare arrijnë 149.601.267 lekë. Sipas pasqyrës së sipërcituar, totali i pasiveve afatgjata kap vlerën e 601.218.880 lekë të reja.
Kapitali
Ndërkaq, në këtë pasqyrë janë evidentuar edhe zërat e kapitalit. Kështu, vlera e kapitalit aksionar kap shifrën e 10.388.375.000 lekë të reja; kapitali nga ish Uzinat Mekanike 872.807.896 lekë të reja; primi i aksionit 14.046.688.275 lekë; rezerva ligjore 178.255.823 lekë; rezerva të tjera 2.951.101.124; rezerva rivlerësimi 30.576.878.945 dhe fitimi i vitit financiar kap vlerën e 3.441.772.590 lekë. Në këtë pasqyrë të firmosur nga administratori i “Albpetrol”-it, Ferdinand Murati dhe drejtuesja e Drejtorisë së Financës, Enekeljda Peshkëpia, totali i kapitalit njehsohet me vlerën e 62.455.849.653 lekë të reja. Ndërsa në vitin 2010 totali i kapitalit të “Albpetrol”-it është vlerësuar me 59.276.207.853 lekë, duke evidentuar kështu një rritje të të ardhurave të “Albpetrol”-it, prej rreth 3 miliardë lekësh për vitin e kaluar.
Asetet: Në pasqyrën e kapitalit të pasiveve afatshkurtra dhe atyre afatgjata, vlera përfundimtare është 62 miliardë, rreth 600 milionë USD
Privatizimi: Sipas “Albpetrol”-it, por edhe të METE-së, është mësuar se kjo kompani pritet të nxirret në shitje për një vlerë jo më shumë se 300 milionë USD
Nxirret në shitje për 300 milionë. Fituesi e shlyen për 10 vjet pa bërë investime
Viti 2011, fitimi neto i “Albpetrol”-it 30 milionë USD
Nëse do të merrej për bazë fitimi neto i vitit financiar 2011 të “Albpetrol”-it, që arrin deri në rreth 30 milionë USD, atëherë privatizuesi i kësaj pasurie kombëtare do të kishte mundësinë që t’i shlyente paratë e investuara brenda një harku kohor 10-vjeçar. Kjo, nëse privatizuesi nuk do të investonte në teknologji, për një shfrytëzim më të shpejtë të vendburimeve të naftës, ashtu siç kanë bërë kompanitë konçesionare, të cilat e kanë shumëfishuar prodhimin. Këto përllogaritje bazohen në pasqyrën financiare të vitit 2011 të “Albpetrol”-it, ku ndër të tjera specifikohen edhe të ardhurat dhe fitimi neto. Kështu, fitimi neto i vitit financiar 2011 i “Albpetrol”-it rezulton të jetë 3 miliardë e 441 milionë dhe 772 mijë e 590 lekë (rreth 30 milionë USD). Ndërkohë, që shitjet neto kapin vlerën e 6 miliardë e 10 milionë dhe 499 mijë e 365 lekë, të ardhura të tjera nga veprimtaritë e shfrytëzimit 188.502.780 lekë. Duke hequr gjithë shpenzimet e pasqyruara në përshkrimin e fitimit neto, ky i fundit, para tatimit, kap shifrën e 3.905.896.869 lekë. Ndërkaq, shpenzimet e tatimit mbi fitimin kapin shifrën e 464.124.279 lekë. Në pasqyrën që disponon gazeta “Shqip” evidentohet edhe fitimi neto i vitit 2010, që ka pasur vlerën e 1.110.570.196 lekë. Të gjitha paratë e fituara nga aktiviteti i “Albpetrol”-it i kalojnë buxhetit të shtetit.
Privatizimi
Nxjerrja në shitje e “Albpetrol”-it ka tërhequr vëmendjen e mjaft kompanive ndërkombëtare që veprojnë në fushën e nxjerrjes dhe përpunimit të hidrokarbureve. Disa javë më parë, gazeta “Shqip” publikoi detaje mbi takimin e zhvilluar mes disa prej këtyre kompanive dhe drejtuesve të METE-s. Në këtë takim, veç të tjerëve, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të kompanisë ruse “Gazprom”. Zyrtarët e ministrisë, në mbledhjen me firmat e interesuara, kanë paraqitur një ekspoze të procesit të privatizimit, të drejtat e shtetit dhe të privatit pas shitjes së “Albpetrol”-it, planin e biznesit, investimin, mjedisin e deri te trajtimi i punonjësve që do të preken nga asistenca. Menjëherë pas këtij takimi, specialistë të kompanisë serbe NIS (Nafta e Industrisë Serbe) 51% të aseteve të së cilës i zotëron “Gazprom” zbarkuan në zyrat e “Albpetrol”-it, të pajisur me “bekimin” e ministrit të METE-së, Edmond Haxhinasto, i cili u kishte vënë në dispozicion një urdhër që detyronte drejtuesit e “Albpetrol”-it që t’u “shërbenin”. Serbët kanë marrë të gjitha informacionet dhe të dhënat që u nevojiteshin. Ndërkaq, procesi i privatizimit është shtyrë me kërkesë të kompanive ndërkombëtare të interesuara për blerjen, të cilat janë duke vlerësuar të dhënat e marra. e.h
Takimet
Disa përfaqësues të firmave të interesuara kanë shkuar në zyrat e kompanisë për të parë bilancet vjetore
Shtyrja
Privatizimi i kompanisë “Albpetrol” është shtyrë me kërkesë të kompanive ndërkombëtare të interesuara
