Situata


Fondet, PS lëshon alarmin e krizës energjetike 


Pikërisht në muajin nëntor, kur vendi do të festojë 100-vjetorin, vendi mund të gjendet në situatë të vështirë energjetike. KESH mori para nga arka e shtetit, të cilat siguruan energji për muajt shtator dhe tetor, kurse për më tej nuk ka ende një fond garancie. Garancia 50 milionë euro u iku me të shpejtë, ndërsa e ardhmja mbetet e pasigurt, pasi dhe kredia e BB kërkon kohë të disbursohet. Reshjet masive në ditët e fundit kanë ngjallur shpresat për të përmirësuar sadopak situatën e rënduar energjetike. Të dhënat e fundit nga KESH tregojnë se prurjet në basenin e Fierzës gati janë dhjetëfishuar nga 70 metër kub në 650 metër kub ujë për sekondë. Sipas Korporatës, niveli i ujit në Fierzë është rritur me mbi 2.5 metra në tri ditët e fundit dhe aktualisht qëndron në kuotën 260 metër. Por edhe me këtë përmirësim të lehtë, Shqipëria mbetet sërish në darën e krizës energjetike. Rezerva hidrike e Fierzës është 20-30 metra poshtë mesatares historike për këtë periudhë, dhe mbetet në kushte emergjence. Prej ditësh, hidrocentrali qëndron i mbyllur duke mos prodhuar energji, një zgjedhje e detyruar e KESH-it për të ruajtur rezervën hidrike, e cila gati ceku pikën e vdekjes para se të nisnin reshjet. Nevojat energjetike tashmë përballohen kryesisht nga importi. Që prej një muaji, KESH importon mesatarisht 11 milionë kilovat orë energji në ditë, me një faturë ditore rreth 700-750 mijë euro. Gjendja financiare e Korporatës, e cila tashmë po përballon e vetme të gjithë nevojat e vendit për energji është thuajse e rrënuar.


Sakaq, PS lëshon alarmin e krizës energjetike. “KESH do të detyrohet të marrë sërish borxh, duke thelluar më tej kolapsin e tij financiar. Vetëm muajin e kaluar, KESH mori borxh nga bankat e nivelit të dytë edhe 50 milionë euro, me garanci nga buxheti i shtetit, me garanci nga taksat e qytetarëve shqiptarë”, tha deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj.