Sistemi


Korporata u falet reshjeve, përmirëson bilancin, por ende ka borxhe 


Aktualisht po eksportohet rreth 10 milionë kilovat/orë energji elektrike në ditë në tregun e huaj


Shitja e energjisë po mban me ritme pozitive eksportet shqiptare, ku në janar-mars u rritën 17%


energjiaEksportet e energjisë elektrike kanë arritur nivelet më të larta historike, duke lehtësuar sadopak financat e rënduara të Korporatës Elektroenergjetike.


Të dhënat e fundit zyrtare nga KESH-i tregojnë se aktualisht po eksportohet rreth 10 milionë kilovat orë energji në ditë në tregjet e huaja. E përkthyer në vlerë, sasia e eksportuar i mundëson KESH-it të arkëtojë rreth 10 milionë euro në muaj.


Burime nga KESH-i bëjnë të ditur se ritmet e larta të eksporteve pritet të ruhen edhe në muajt pasardhës, për shkak të rezervës së bollshme në kaskadë. Aktualisht niveli i ujit në liqenin e Fierzës ndodhet në pikën maksimale 296.9 metër.


Hidrocentralet prodhojnë me kapacitet maksimal, duke plotësuar nevojën e tregut të brendshëm për energji, por edhe eksportin e saj. Vetëm në dy muajt e fundit KESH-i ka arkëtuar afërsisht 20 milionë euro nga energjia që ka shitur jashtë.


Një frymëmarrje për korporatën, e cila është e zhytur në borxh te bankat private, por edhe ndaj furnitorëve të saj, veçanërisht të prodhuesve të vegjël të energjisë, që kanë ndërtuar hidrocentrale me koncesion. Por, veç lehtësimit të situatës së rënduar financiare të KESH-it, shitja e energjisë jashtë po mundëson edhe mbajtjen në ritme pozitive të eksporteve shqiptare, të cilat në tre muajt e parë të vitit u rritën me 17 për qind krahasuar me një vit më parë.


Borxhet e kompanisë KESH ndaj institucioneve bankare dhe palëve të treta arrijnë në mbi 150 milionë euro, dhe gjendja e u vështirësua më tej në tre muajt e fundit të vitit 2012, kur CEZ po bëhej gati të largohej, duke deklaruar se nuk ishte në gjendje të kryente import për furnizimin me drita të popullatës.


Vetëm për vitin 2012, KESH-i mori nga qeveria rreth 65 milionë euro, në formë garancie për hua te bankat e nivelit të dytë. Kredia iu dha për të blerë energji elektrike nga importi, pasi rezerva hidrike nuk mundësonte furnizim vetëm nga prodhimi vendas. Për shkak të gjendjes së vështirë financiare, KESH-i nuk kishte mundësi as të shlyente detyrimet e prapambetura të HEC-eve të vogla private, në vlerë rreth 15 milionë euro.


Aktualisht gjendja paraqitet më e stabilizuar, për shkak se edhe CEZ-i ka nisur t’i shlyejë KESH-it detyrimet e prapambetura. Në dy muajt e fundit, korporata ka marrë rreth 30 milionë euro nga CEZ Shpërndarje, kurse kjo e fundit tashmë menaxhohet nga shteti.


TCH