Rene Eschemann, drejtori i bankës gjermane: Linja me Kosovën, prioritet ana teknike


ARD KOLA


Banka gjermane ka standardet e saj dhe nuk do të pranojë t’i shkelë ato, pavarësisht kërkesës së qeverisë për të anuluar tenderin. Në intervistën për gazetën “Shqip”, Rene Eschemann, drejtori i bankës gjermane për zhvillim, KfW, shpreson për një zgjidhje drejt avancimit të projektit, nisur “nga disa indikacione pozitive” të qeverisë shqiptare. Megjithatë, një vit vonesë nga zbatimi i projektit, do t’i shkaktojë kosto palës shqiptare, si në aspektin financiar të konsulentit, ashtu dhe të rishikimit të termave të kredisë, “në kushtet aktuale të tregut”. Projekti kap vlerën e rreth 75 milionë eurove, ku gati gjysma i takon palës shqiptare dhe pjesa tjetër asaj kosovare. Kjo e fundit i ka pranuar rregullat e KfW, kurse qeveria jonë insiston tek oferta më e ulët në tender, e asaj boshnjake, për 9 milionë euro më pak. Por KfW thotë se prioritet mbetet ana teknike, pra projekti afatgjatë dhe i sigurt, se sa zgjidhja e shpejtë dhe e lirë. Sakaq, KfW paralajmëron se, në rast se nuk zgjidhjet projekti me standardet e kërkuara nga banka, atëherë i lind e drejta të tërhiqet nga financimi.


 


Mbushim një vit nga tenderi për ndërtimin e linjës 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë dhe deri atëherë kemi pasur vetëm deklarata “shprese” për zgjidhje të shpejtë. Çfarë po ndodh, ku jemi me projektin?


Në letrën tonë më të fundit, e cila u shfaq në media ne, banka KfW, kemi deklaruar pozicionin tonë në lidhje me propozimin e palës shqiptare dhe duke qenë se ky projekt ka rëndësi rajonale, jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por edhe për rajonin.


Ne i propozuam një opsion palës shqiptare të vazhdojmë me projektin dhe financimi do të merret nëse kriteret e letrës përmbushin anën shqiptare. Nga pala shqiptare kemi marrë indikacione pozitive në lidhje me letrën dhe së shpejti do të kemi një përgjigje. Më tej, pas letrës-përgjigje, shpresojmë që projekti të avancojë më tej.


Të avancojë më tej, duke përmbushur kushtet tuaja (standardet e KfW)?


Po. Të jetë konform procedurave të tenderimit të KfW-së, duke pasur parasysh sigurimin e një standardi të lartë teknik. Na vjen keq, por ne nuk jemi për një zgjidhje të shpejtë dhe të lirë, por duam projekte funksionale dhe të qëndrueshme.


Çfarë pasojash mund të na shkaktojë një vonesë?


Sigurisht, do të ketë kosto shtesë për shërbimet e konsulencës së mëtejshme që do të nevojiten. Kurse kostot e mëtejshme financiare duhen riparë në një kohë të dytë. Kjo varet nga kushtet e tanishme të tregjeve financiare.


Në çfarë faze ndodhet projekti i Unazës së Jugut, 110 kv?


Tenderi për këtë linjë është në fazën e vlerësimit. Kemi marrë draftet e para vlerësuese të tenderit. Kemi komentet tona dhe jemi duke i diskutuar me OST-në, në mënyrë që të arrijmë mirëkuptim të përbashkët në lidhje me vlerësimin e procedurave. Pra, kemi hapje të ofertave, kemi një garë dhe po i vlerësojmë ato. Sakaq, po diskutojmë standardet që duhet të ndjekim, duke respektuar kriteret e KfW-së.


A kanë ndikuar mosmarrëveshjet me OST për linjën e Kosovës, tek ajo e Jugut? A ka vonesa edhe te ky projekt?


Shiko, problemet e linjës 400 kilovolt me Kosovën nuk kanë lidhje me atë të Jugut. Pasi KfW ndjek të njëjtat kritere. Nuk ka ndryshuar asgjë me kërkesat tona dhe ato ndiqen për çfarëdo mosmarrëveshje që mund të ketë projekti i mëparshëm. Po, mund të them që projekti i Unazës së Jugut, është i vonuar.


 


Edhe projekti i linjës së Unazës së Jugut është i vonuar, por nuk ka lidhje me atë të Kosovës


 


Paralajmërimi 


Përmbajtja e letrës “gjermane” për qeverinë


“Duke shqyrtuar kërkesën tuaj për anulimin e tenderit në lotin 1 ne na vjen keq që na duhet të kundërshtojmë anulimin e tij. Kjo për shkak se agjencitë zbatuese kanë dështuar të japin arsyet e vlefshme për këtë anulim”, thuhet në letrën zyrtare të KfW.


Më tej, banka gjermane paralajmëron se nëse qeveria do të vendosë anulimin e njëanshëm të tenderit, kjo do të përbënte një shkelje të kontratës dhe në këtë pikë, ajo rezervon të drejtën të tërhiqet nga financimi. Banka thotë se do të vazhdojë financimin e projektit, nëse qeveria anulon tenderin për lotin 1 vetëm nëse përmbushen disa kushte.


Së pari, tenderi i ri të ndahet në dy pjesë, ku një kontratë të mbulojë punimet në Shqipëri dhe tjetra ato në Kosovë. Kushti i dytë është që tenderi i ri të jetë në përputhje me procedurat e paracaktuara të bankës dhe të ndjekë të njëjtat standarde të larta teknike, si ai i mëparshmi. Ndërsa kushti i fundit i vendosur është ai që qeveria shqiptare të pranojë rezultatet e tenderit të ri, i cili duhet të zhvillohet sipas standardeve të KfW-së. Saga e ndërtimit të linjës vazhdon prej më shumë se një viti. Tenderi për linjën u zhvillua në mars të vitit të kaluar, ku fituese rezultoi kompania kroate “Dalekovod”. Por qeveria shqiptare e bllokoi fillimin e punimeve, duke u shprehur se çmimi i ofruar ishte rreth 8 milionë euro më i lartë se oferta e dyte duke kërkuar ritenderimin.