 Transporti i mallrave aktualisht bëhet tranzit përmes Portit të Pireut
Transporti i mallrave aktualisht bëhet tranzit përmes Portit të Pireut
Kina hedh një këmbë në Portin e Durrësit. Zyrtarë nga Kina dhe Shqipëria po diskutojnë vendosjen e një linje të drejtpërdrejtë detare të transportit të mallrave midis Portit të Shantou-t dhe atij të Durrësit. Lajmin e bëri të ditur kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako i cili po viziton Kinën. “Fluksi i tregtisë ndërmjet dy qyteteve tona nuk është i lartë dhe sot ai kryhet nëpërmjet porteve tranzite dhe në Europë ndërmjet Portit të Pireut. Mendojmë që fluksi duhet të jetë i drejtpërdrejtë mes Shantou-t dhe Durrësit, pa ndërmjetësinë e porteve të tjera”, tha Dako, duke folur për radion kineze CRI Shqip. Ai gjithashtu vlerësoi nismën e Kinës “Një brez, një rrugë”. Kryebashkiaku i Durrësit tha se “terminali i Shantou-t dhe ai i Durrësit lidhen dhe mendoj se ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të rritur infrastrukturën dhe kapacitetet e dy porteve tona. Dako kujtoi se qeveria shqiptare ka hapur garën për ndërtimin e zonave industriale ku janë të ftuar të marrin pjesë investitorë nga e gjithë bota, përfshirë dhe Kinën. Pas negociatave të nisura për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, ky është interesi më i madh i shfaqur nga pala kineze për infrastrukturën shqiptare.