Tatimet, 170 milionë
Administrata tatimore, nga viti 2006 e deri në 2011-n, i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 170 milionë lekësh, kosto për pagat e të larguarve
Dogana, 5.2 milionë
Mosmarrja në punë e 15 punonjësve të listës (kreditorë për ekzekutim vendimi gjykate) në vitin 2011 ka sjellë një efekt financiar 5,273,430 lekë
“Vendime arbitrare për nëpunësit civilë, kosto për buxhetin”. Paguhen dy vetë, për një post
ARD KOLA
Të larguarit nga puna, ata me status nëpunësi civil, kanë të drejtë të ankohen te Komisioni i Shërbimit Civil. Pasi e fitojnë të drejtën për rikthimin në punë, shteti e çon çështjen në gjykatë, Shkalla e Parë. Në këtë hallkë, pjesa dërrmuese e vendimeve të gjykatave i ka dhënë të drejtë KSHC-së, pra ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke e rikthyer në punë punonjësin e larguar padrejtësisht. Këtu nis edhe dëmi më i madh për arkën e shtetit, pasi titullari i institucionit nuk e zbaton vendimin e gjykatës për ta rikthyer në punë, por i jep pagë për një ose dy vjet, pasi posti është zënë nga dikush tjetër, me urdhër të ministrit apo kreut të institucionit. Ekzistojnë shumë raste që për një vend pune paguhen dy persona njëherësh, ndërsa buxheti lëshon faturat me vlera disa qindra milionë lekë, i detyruar për shkak të vendimit të gjykatës.
Ky fenomen është konstatuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku gjatë shqyrtimit të zbatimit të buxhetit 2011, zbuloi fatura të panumërta për llogari të vendimeve gjyqësore për të larguarit nga puna. Situata sa vjen dhe përkeqësohet, aq sa në mungesë të fondeve dhe shlyerjes në kohë, llogaritë e ministrive bllokohen nga Përmbarimi Privat. Të nxitur politikisht, largimet në administratë në kundërshtim me ligjin kanë vënë në vështirësi Ministrinë e Financave, aq sa KLSH rekomandon marrjen e masave. Si pikënisje e analizimit të situatës, institucioni i drejtuar nga Bujar Leskaj, gjykon se “duhen parë me kujdes vendimet e gjykatave”, aty ku dhe nis kalvari i gropës në arkën e shtetit.
Auditim gjykatave?!
Gjatë auditimeve në disa ministri, institucione të tjera qendrore dhe vendore, KLSH ka konstatuar pagesa të detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë për kthimin e nëpunësve civilë në vendin e punës me impakte negative financiare të konsiderueshme. Në disa raste specifike, janë vërejtur pagesa njëkohësisht të dy punonjësve në një vend pune, si p.sh. pagesa e vendimeve gjyqësore në administratën tatimore për vitin 2011, me rreth 35 milionë lekë.
Në raportin e publikuar së fundmi në Kuvend, mbrojtur nga kryetari Bujar Leskaj, KLSH thekson se vitin tjetër (2013-a) do të kryhet auditim i performancës për një vlerësim tërësor të marrjes së vendimeve gjyqësore për njësitë publike, duke u përqendruar në analizën e shkaqeve që çuan në këto vendime. “Jemi të vetëdijshëm dhe nuk duam kurrsesi të cenojmë pavarësinë dhe padiskutueshmërinë e vendimeve të gjyqësorit, por përballë shumë vendimeve arbitrare që kanë sjellë dëm të konsiderueshëm financiar në buxhetin e shtetit, në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe me struktura të tjera specializuara, do të përpiqemi të identifikojmë përgjegjësitë institucionale duke dhënë rekomandimet përkatëse dhe duke informuar Kuvendin e Shqipërisë, Presidentin, Kryeministrin, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Gjykatën e Lartë”, deklaron Leskaj në raport.
KLSH-ja ka rekomanduar që institucionet respektive të marrin masa për zbatimin e vendimeve gjyqësore, njëkohësisht të analizojnë gjendjen dhe të përcaktojnë përgjegjësinë ndaj personave shkaktarë përgjegjës, duke kërkuar shpërblimin e dëmit ekonomik shkaktuar buxhetit të shtetit.
Rasti i tatimeve
Administrata tatimore është institucioni që po ia bën “gropën” arkës së shtetit, me vendimet e padrejta të largimeve nga puna. Shifrat e zbuluara nga KLSH konstatojnë fatura të larta pagesash për persona që duhet të rikthehen në punë, por tatimet preferojnë t’i japin rrogë, pasi vendin e kanë të zënë nga militantët.
“Gjatë zbatimit të buxhetit në DPT, problem i përvitshëm ka qenë mungesa e fondeve për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Nga viti 2006 dhe deri në fund të vitit 2011, janë kryer pagesa për 34 punonjës me vendime gjyqësore të formës prerë, me objekt rikthim në punë dhe kthimin e pagës për kohën e qëndrimit pa punë, duke kryer pagesa dy herë për të njëjtin vend pune, një herë sipas strukturës organike dhe tjetra me vendim gjyqësor”, thotë KLSH. Në total, detyrimi sipas vendimeve të gjykatave të formës prerë për likuidimin e shumave në favor të punonjësve tatimorë të trajtuar me Kod Pune dhe me statusin e nëpunësit civil, rezulton në vlerën 173,050,325 lekë, nga e cila deri në fund të vitit 2011 janë likuiduar 42,658,367 lekë, dhe mbeten në proces likuidimi 130,391,958 lekë. Problem janë edhe doganat. Në vitet 2010 dhe 2011, në DPD janë punësuar gjithsej 140 punonjës, nga të cilët asnjë nga punonjësit në listën e punonjësve kreditorë për ekzekutim vendimi gjykate të formës së prerë me objekt: “Pagimin e pagës nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare deri në kthimin në punë”. Mosmarrja në punë e 15 punonjësve të listës (kreditorë për ekzekutim vendimi gjykate) në vitin 2011 ka sjellë një efekt financiar në shumën 5,273,430 lekë.
Janë me qindra vendime për rikthime në punë, por qeveria pranon të paguajë dy persona për të njëjtin post
Leskaj: Nuk cenoj pavarësinë
“Nuk duam kurrsesi të cenojmë pavarësinë e gjyqësorit, por përballë shumë vendimeve arbitrare që i kanë sjellë dëm buxhetit, në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe me struktura të tjera të specializuara, do të përpiqemi të identifikojmë përgjegjësitë institucionale”
Tatimet: S’kemi para për mbulimin e faturës së shkarkimeve
I shkarkojnë padrejtësisht nga puna dhe pastaj ankohet te Ministria e Financave se nuk ka fonde për të përballuar vendimet e gjykatave. Në total, nga viti 2006, tatimet po i shkaktojnë buxhetit të shtetit një dëm prej 170 milionë lekësh, ose 1.7 milionë dollarë, për shkak të largimeve nga puna. Nga hetimet është zbuluar shkresa nr. 15722, datë 8/8/2011, DPT i është drejtuar MF (DPTH dhe DPB), ku ndër të tjera citon “… për shkak të shkurtimit të buxhetit me 36,575 mijë lekë shpenzime operative, jemi në vështirësi për pagesat e vendimeve gjyqësore të paekzekutuara për punonjës të larguar nga puna, vlerë e cila është 139,000 mijë lekë, shumë e cila përbën rreth 77 për qind të shpenzimeve të 6-mujorit të parë të këtij viti”.