“Abuzoi me fondet publike dhe favorizoi dy kompani ajrore për pagesën e taksave”
Vlera totale e shkeljeve, me pasojë negative, llogaritet në vlerën e rreth 2 milionë eurove
Për rreth një muaj, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një auditim të detajuar në zyrat e Drejtorisë së Aviacionit Civil, ku ka konstatuar shkelje, me pasoja për buxhetin e shtetit. Objekt i kontrollit ishte aktiviteti i institucionit në periudhën 01.09.2010 deri më 29.02.2012. Zbulimet dhe përfundimet e këtij kontrolli tregojnë se, menaxhimi dhe administrimi nga ana e stafit drejtues dhe punonjësit e ngarkuar të AAC janë shoqëruar në mjaft raste me mosrespektim dhe moszbatim të akteve ligjore, nënligjore dhe rregullative në fuqi. KLSH-ja bën përgjegjës kryesor ish-drejtorin Ervin Maznikun, si dhe një pjesë të stafit të tij, prej 13 personash. Në raport përmenden raste të shumta me shkelje, duke arritur deri në favorizimin e firmave private të linjave ajrore.
Një pjesë e shkeljeve lidheshin me tenderët, anulimin e tyre, zvarritjet dhe disa vendime për shpenzimet që KLSH-ja i cilëson abuzive.
“Moshartimi dhe mosparaqitja për miratim te ministri i Transporteve i tarifave që duhet të zbatohen nga AAC, për shërbimet që duhen kryer, gjë e cila është shoqëruar me efekte financiare negative në të ardhurat e AAC-së në vlerën 1 986 116 euro, duke favorizuar kompanitë ajrore ‘B… A..’ dhe ‘A… A…’”, vë në dukje KLSH-ja. Kontrollorët kanë zbuluar edhe rastin e mosparashikimit të të ardhurave nga udhëtimet charter, duke i kaluar ato në udhëtime schedule, me pasojë dëm ekonomik në vlerën 405 650 euro, veprim ky në kundërshtim me vendimin e KM nr. 492, datë 30.6.2005 “Për caktimin e tarifave të shërbimeve”.
Tjetër shkelje lidhet me mosbashkëpunimin dhe mosrakordimin ndërmjet AAC dhe Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas, lidhur me numrin e pasagjerëve të terminuar, për të cilët aplikohet tarifa e sigurisë 2 euro për çdo pasagjer të hyrë dhe dalë nga aeroporti (25% e të cilës merret nga AAC), me pasojë dëm ekonomik në vitet 2010-2011, në vlerën 10 761 euro, si dhe moszbatimi i kushteve të kontratës të lidhur me një fondacion shqiptar (drejtuesit e së cilës janë në lidhje të afërta me ish-drejtorin e AAC), ku nga auditimi me zgjedhje, vetëm për muajin nëntor 2011 është konstatuar një diferencë me pasojë dëm ekonomik, ndërmjet ditëve të parashikuara në kontratë me ditët e punuara dhe të likuiduara, e cila llogariten në vlerën 4 386 666 lekë, vijon më tej KLSH-ja. Në fakt, ishte pikërisht tenderi i fundit, hetuar nga antikorrupsioni i Kryeministrisë që shërbeu si motiv për largimin e Maznikut, rreth dy muaj më parë nga posti i shefit të Aviacionit Civil. Vlera totale e shkeljeve të dispozitave ligjore në fuqi, me pasojë efekte financiare negative llogariten në vlerën 1 986 116 euro; ndërsa me pasojë dëm ekonomik për buxhetin e AAC në vlerën 8 586 666 lekë dhe 416 411 euro. Nga vlerësimi i veprimtarisë dhe referuar shkeljeve të sipërcituara të shoqëruara me dëme ekonomike dhe efekte financiare negative për AAC, konstatohen elemente të veprave penale, ndaj për këtë KLSH-në, mbështetur në nenin 248 “Shpërdorimi i detyrës” dhe nenin 258 “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, ka depozituar dy kallëzime penale në organet e prokurorisë për ish-drejtorin e AAC dhe zv/drejtorin ekzekutiv në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor (i autorizuar).
A.Kola