Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Kompanitë offshore/ Pronarët përfitues, qeveria nxjerr ligjin: Falen gjobat, afati i ri për regjistrimin e mbi 8 mijë subjekteve

Kompanitë offshore/ Pronarët përfitues, qeveria nxjerr ligjin:

Qeveria ka gati draftin ligjor për të regjistruar pronarët përfitues të të gjitha kompanive, duke përfshirë këtu edhe OJF-të. Në draftin e qeverisë të siguruar nga Gazeta Shqip, shtyhet afati i regjistrimit deri në prill të 2022, si dhe falen gjobat e vendosura deri më tani.

Një pjesë e kompanive janë off shore, që përdoren si guaskë dhe janë regjistruar në vendet e tjera për t'iu shmangur tatimeve, që cilësohen si parajsa fiskale. Janë pikërisht këto kompani që shihen si mundësi e pastrimit të parave.

Sipas relacionit të siguruar nga Gazeta Shqip, nga analizimi i të dhënave të regjistruara në Regjistrin e Pronarëve Përfitues, rezulton se nga 59165 subjekte raportuese ekzistuese të regjistruara në Regjistrin Tregtar përpara datës së krijimit të Regjistrit të Pronarëve Përfitues,  prej të cilëve 8689 subjekte  me statusin pezulluar, bazuar në VKM nr.273/2021 kanë detyrimin të regjistrojnë pronarin përfitues në regjistrin e pronarit përfitues, përpara kërkesës për ndryshimin e statusit të tyre në regjistrin tregtar, vetëm 21460 subjekte raportuese ekzistuese kanë regjistruar të dhënat e pronarëve të tyre përfitues në regjistër deri më datë 10.11.2021.

Gjithashtu, nga 4861 Organizata Jofitimprurëse ekzistuese të regjistruara në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse, vetëm 1961 Organizata Jofitimprurëse kanë regjistruar të dhënat e pronarëve të tyre përfitues në regjistër.

Ndërkohë, nga analiza e bërë rezulton se  nga 2869 subjekte raportuese të krijuara rishtazi pas krijimit të Regjistrit të Pronarëve Përfitues(gjatë periudhës kohore 01.02.2021-10.11.2021), vetëm 1972subjekte kanë regjistruar të dhënat e pronarëve të tyre përfitues në regjistër brenda 30 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të tyre në regjistrin tregtar.

Çfarë janë pronarët përfitues?

Nëpërmjet  ligjit “Për pronarin përfitues” është bërë i detyrueshëm deklarimi i pronarëve përfitues për të gjitha shoqëritë tregtare dhe organizatat jofitimprurëse në Republikën e Shqipërisë.

Pronar përfitues, është individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit subjektin dhe/ose individi në emër të të cilit po kryhet një transaksion ose veprimtari dhe përfshin të paktën:

– Individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit një person juridik, përmes pronësisë direkte ose indirekte të një përqindje të mjaftueshme të aksioneve ose të drejtave të votimit ose të pjesëmarrjen në kapitalin e atij entiteti, përfshirë përmes mbajtjes së aksioneve, ose përmes kontrollit nëpërmjet mjeteve të tjera, ose përfiton nga transaksionet e kryera nga personi juridik në emër të tij

– Themeluesi ose përfaqësuesi ligjor ose individi që ushtron kontrollin e fundit efektiv në administrimin dhe kontrollin e organizatave jofitimprurëse, ku përfshihen fondacionet, shoqatat, qendrat, si dhe degët e organizatave jofitimprurëse. Kontroll i fundit efektiv është marrëdhënia në të cilën një person:

a) përcakton vendimet e marra nga organizata jofitimprurëse;

b) kontrollon në çdolloj mënyre zgjedhjen, emërimin dhe largimin e shumicës së organeve vendimmarrëse dhe/ose organeve ekzekutive të organizatës jofitimprurëse.

– Në rastin e një trusti ose marrëveshjeve të tjera ligjore, krijuesi i trust-it, kujdestari/i mirë besuari, mbrojtësi, nëse ka, dhe përfituesit ose kur personat që përfitojnë nga marrëveshja ligjore ose entiteti ende nuk janë përcaktuar, klasa e personave për interesin kryesor të të cilëve marrëveshja ligjore ose entiteti është krijuar ose operon; çdo individ tjetër që ushtron kontrollin e fundit mbi trustin me anë të pronësisë direkte ose indirekte ose me mjete të tjera.”

Konsiderohen pronarë përfitues, individët të cilën kanë në pronësi, ose kontrollojnë të fundit subjektin. Pronësia mund të jetë direkte ose indirekte.

Pronësi direkt është pronësia e mbajtur nga një individ prej 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues.

Pronësi indirekte është pronësia e mbajtur ose kontroll i ushtruar nga i njëjti individ në një ose më shumë persona juridikë, të cilët veçmas ose së bashku zotërojnë 25% ose më tepër të aksioneve/kuotave të kapitalit ose të interesave të pronësisë në një subjekt raportues.

Kompanitë offshore/ Pronarët përfitues, qeveria nxjerr ligjin:

Falja e gjobave dhe afatet

Qeveria edhe pse ka miratuar prej kohësh këtë ligj, po i bën sërish ndryshime e kësaj here jo me një akt normativ. Kjo vjen pas rekomandimeve të bëra nga ana e institucioneve ndërkombëtare.

"Me qëllim rregullimin e kësaj situate dhe zbatimin e rekomandimeve të ekspertëve të MONEYVAL, të cilët kërkojnë që Shqipëria të krijojë mekanizma që të sigurojnë një numër sa më të lartë të subjekteve raportuese që regjistrojnë të dhënat e pronarëve të tyre përfitues, u vlerësua ndërmarrja e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin ekzistues nr.112/2020, “Për regjistrin e pronarëve përfitues”", thuhet në relacion.

Nisma ligjore synon faljen e gjobave të vendosura nga QKB-ja përpara hyrjes në fuqi të projektligjit, në lidhje me mos përmbushjen e detyrimit për raportimin fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese, me kusht që raportimi të kryhet prej tyre deri më datë 01.04.2022.

"Përshkallëzimin e masës së kundërvajtjeve administrative që do të vendosen në vijim të hyrjes në fuqi të projektligjit, mbi bazën e vonesës në përmbushjen e detyrimit të raportimit fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese që regjistrohen rishtazi. Ky përshkallëzim bëhet me qëllim mundësimin e rritjes së numrit të subjekteve raportuese që regjistrojnë të dhënat e pronarëve të tyre përfitues në regjistër", thuhet në relacion.

Drafti gjithashtu parashikon: gjobë ndaj subjektit raportues në masën e 250.000  lekë; dhe gjobë ndaj përfaqësuesit ligjor të subjektit raportues për të njëjtën shkelje, në masën 150.000  lekë. Sipas projektligjit, shuma prej 150 000 lekë ndaj përfaqësuesit ligjor është përfshirë tek gjoba për subjektin raportues, e cila shkon në masën 400.000 Lekë.

Subjektet raportuese:

a)shoqëritë më përgjegjësi të kufizuar;

b) shoqëritë aksionare;

c) shoqëritë kolektive;

ç) shoqëritë komandite;

d) zyrat e përfaqësimit dhe degët e shoqërive të huaja;dh) shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre;

e) shoqëritë e bashkëpunimit të ndërsjellë;

ë) shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor;

f) çdo subjekt tjetër juridik, i cili me ligj detyrohet të regjistrohet pranë QKB-së;

g) organizatat jofitimprurëse, ku përfshihen fondacionet, shoqatat, qendrat, si dhe degët e organizatave jofitimprurëse të huaja, të regjistruara në regjistrin e organizatave jofitimprurëse në Republikën e Shqipërisë;

gj) personat juridikë dhe ndërmarrjet, aksionarët e të cilëve, përveç institucioneve qendrore dhe/ose vendore të Republikës së Shqipërisë, janë edhe individë/persona juridikë të tjerë shqiptarë dhe/ose të huaj.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore