Qëndrimi i fundit i shprehur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar se paqëndrueshmëria e sektorit energjetik mund të rrezikojë buxhetin dhe treguesit makroekonomikë e ka rikthyer vëmendjen kryesore te ky sektor dhe nevoja për ndërhyrje. Pavarësisht krijimit të Task-Forcës dhe ndërhyrjet e tjera ligjore në drejtim të përmirësimit të treguesve, rezultateve të para në rritjen e arkëtimeve dhe uljen e humbjeve, masat e ndërmarra duken të pamjaftueshme për të eliminuar rrezikun që u kanoset financave publike. Sektori energjetik gjendet përballë një situate të paqëndrueshme financiare dhe përtej masave të marra kërkon një ndërhyrje më thelbësore dhe të drejtpërdrejtë. Pas heqjes së licencës së CEZ-it, statusi ligjor i kompanisë së shpërndarjes mbetet ende i pazgjidhur.
Që prej nisjes së konfliktit mes qeverisë shqiptare dhe palës çeke, mungojnë investimet në rrjetin e shpërndarjes, me përjashtim të mirëmbajtjeve të rrjetit. Qeveria shqiptare është duke zhvilluar prej muajsh një negociatë me çekët e CEZ-it për të zgjidhur me mirëkuptim konfliktin ligjor, ndërsa burime konfidenciale thonë për “Top Channel” se, pala çeke ka kërkuar një shumë të konsiderueshme, që shkon mbi 200 milionë euro. Të njëjtat burime thonë se insistimi i palës çeke për këtë shifër duket të jetë inkurajuar nga fakti se pozitat e shtetit shqiptar janë dobësuar ndjeshëm, për shkak se, që nga heqja e licencës fillimvitin 2013 e deri në shtator pas zgjedhjeve parlamentare, nga qeveria shqiptare nuk u bë asgjë në drejtim të vlerësimit të aseteve dhe as shpronësimit, ndërsa çekët avancuan duke e depozituar të parët padinë në arbitrazh. Pamundësia financiare, ashtu sikurse refuzimi kategorik i palës shqiptare për shuma të tilla, po shtojnë shanset e dështimit të negociatave dhe vazhdimit të arbitrazhit. Por, në këtë situatë të paqartë, kur pritet edhe miratimi i një kredie nga Banka Botërore prej 150 milionë dollarësh për rimëkëmbjen e sektorit energjetik, duket se po bëhet e domosdoshme zgjidhja sa më e shpejtë e statusit ligjor të CEZ-it për t’u hapur më tej rrugën investimeve nga Banka Botërore, qeveria dhe donatorë të tjerë, me synim garantimin e stabilitetit dhe likuiditetin e sektorit.