Të ardhurat nga TVSH flasin për rënie të ekonomisë, ndërsa mirëqenia e qytetarëve dobësohet


Gjergj Erebara


Të ardhurat e buxhetit të shtetit për periudhën janar-korrik 2012 sugjerojnë se ekonomia shqiptare mund të ketë hyrë në recesion teknik, ndërsa pagat e të punësuarve në sektorin privat kanë pësuar rënie së bashku me normat e fitimit të kompanive.


Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar pësuan rritje minimale prej 1.6 përqindësh për periudhën janar-korrik të këtij viti të krahasuara me një vit më parë. Duke marrë parasysh se indeksi i çmimeve të konsumit gjatë kësaj periudhe ka qenë mesatarisht 2 për qind, të ardhurat nga TVSH rezultojnë në terma realë më të ulëta se një vit më parë. Instituti i Statistikave njoftoi pak javë më parë se Prodhimi i Brendshëm Bruto ka rënë me 0.2 për qind gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ndërsa të dhënat mbi të ardhurat buxhetore sugjerojnë se edhe në tremujorin e dytë do të kemi të njëjtën situatë. INSTAT pritet të publikojë të dhënat e PBB-së për tremujorin e dytë në fund të shtatorit.


Të ardhurat e qeverisë nga TVSH për këtë periudhë qenë 64.6 miliardë lekë, nga 63.6 miliardë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2011.


Recesioni


Në vendet e zhvilluara pranohet gjerësisht se një ekonomi duhet të klasifikohet si zyrtarisht në krizë kur Prodhimi i Brendshëm Bruto pëson rënie për dy tremujorë radhazi. Për vendet e varfra si Shqipëria, edhe një rënie e ritmit të rritjes së PBB-së nga 5 apo 6 për qind në 2-3 për qind, mjafton për t’u klasifikuar në vështirësi ekonomike.


Tatimi personal


Kriza ekonomike shfaqet në përkeqësim te të ardhurat e qeverisë nga tatimi mbi të ardhurat personale. TAP është aktualisht 10 për qind mbi të ardhurat e shqiptarëve nga pagat, honoraret apo qiratë dhe praktikisht mat të ardhurat e përgjithshme të popullsisë. Për periudhën janar-korrik të këtij viti, të ardhurat e qeverisë nga TAP qenë 15.8 miliardë lekë, ose 2.6 për qind më të ulëta se e njëjta periudhë e një viti më parë. Duke marrë parasysh se pagat e sektorit publik janë rritur këtë vit, rënia e TAP sugjeron situatë veçanërisht të vështirë për të punësuarit në sektorin privat. Problemi është se të ardhurat e qeverisë nga TAP kanë tendencë edhe më negative muaj pas muaji se sa TVSH. Në tendencë negative janë edhe të ardhurat e buxhetit nga sigurimet shoqërore të sektorit privat.


Reagimi i qeverisë


Ulja e ndjeshme e aktivitetit ekonomik në Shqipëri gjatë këtij viti si dhe të ardhurat e dobëta fiskale ka bërë që qeveria të ulë shpenzimet kapitale. Bilanci i buxhetit tregon se shpenzimet operative të qeverisë kanë vijuar të rriten me 2.3 për qind, ndërsa shpenzimet kapitale kanë rënë me 19 për qind. Shpenzimet e fondeve sociale, ku përfshihet ndihma ekonomike, pensionet dhe sigurimet shëndetësore, pësuan rritje të ndjeshme prej gati 5 përqindësh.


Rritja e disa taksave gjatë vitit të kaluar, si akcizat për cigaret, taksa e re e naftës apo taksat e reja të makinave nuk kanë mjaftuar për të zgjidhur problemet.


Borxhi mbi 60 për qind


Si pasojë e vështirësive ekonomike, qeveria shënoi deficit buxhetor prej 21 miliardë lekësh gjatë periudhës janar-korrik, dy herë më të lartë se sa e pati planifikuar. Ky borxh i ri u financua përgjysmë përmes huamarrjes së brendshme dhe asaj të huaj dhe është i barabartë me rreth 1.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Borxhi qe 58.5 për qind e PBB-së në fund të vitit 2012 sipas llogarive të qeverisë. Duke marrë parasysh se rritja ekonomike deri tani është zero për këtë vit, niveli i borxhit publik ka mbërritur sakaq në mbi 60 për qind të PBB-së, aq sa është edhe maksimumi ligjor i lejuar. Në një situatë të ngjashme në SHBA, Ministria e Financave duhej të ndërpriste emetimin e borxhit të ri dhe të kërkonte në Parlament rritjen e kufirit ligjor të borxhit, por këto teknikalitete zor se do të vënë në siklet zyrtarët shqiptarë.