Emigrantet


Remitancat


Investimet – Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri janë rritur në 198 milionë euro. 47% janë investuar në sektorin e hidrokarbureve


Emigrantët – Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, “puna e punëtorëve sezonalë dhe kufitarë” është rritur me 17% në krahasim vjetor


Turizmi – Shërbimet e udhëtimit, bilanc pozitiv pre 76 milionë eurosh. Numri i turistëve u rrit 17% në raport me prill-qershor 2014


Transferimet – Fluksi dalës nga të ardhurat nga investimet ka regjistruar 46 milionë euro kundrejt 34 milionë eurove një vit më parë


Rezerva – Mjetet e rezervës janë rritur me 16 milionë euro. Stoku i rezervës valutore, në fund të periudhës, ishte 2,388 milionë euro


Zamir Alushi


Shqetësimi i emigrantëve nga kriza greke ka sjellë rritje të remitancave, si dhe një shtim të aktivitetit të punonjësve sezonalë dhe kufitarë në fqinjin jugor. Sipas vlerësimeve paraprake të Bankës së Shqipërisë, hyrjet në formën e dërgesave të emigranteve gjatë periudhës prill-qershor 2015 ishin rreth 162 milionë euro duke shënuar një rritje prej 18% në krahasim me tremujorin e dytë 2014. Transfertat neto të emigrantëve përbëjnë rreth 77% të të ardhurave dytësore. Sipas raportit mbi bilancin e pagesave, të ardhurat dytësore u vlerësuan në 210 milionë euro, në rritje prej 35 milionë eurosh ndaj së njëjtës periudhë në 2014. Në llogarinë e të ardhurave parësore, të ardhurat në valutë ranë me 15%, ndërsa shpenzimet u rritën me 16%, në krahasim me një vit më parë. Dy burimet kryesore të të ardhurave, “puna e punëtorëve sezonalë dhe kufitarë” dhe “të ardhurat nga investimet”, vlerësohen respektivisht në rritje me 17% dhe në rënie me 28%.


Turizmi


Shërbimet e udhëtimit u mbyllën me një bilanc pozitiv prej 76 milionë eurosh, kundrejt deficitit në tremujorin e dytë 2014, prej 11 milionë euro. Shërbimet e udhëtimit zënë peshën më të madhe në të ardhurat dhe shpenzimet e shërbimeve, me përkatësisht 74% dhe 78% të totalit. Gjatë periudhës prill-qershor 2015, të ardhurat janë rritur me 6%, ndërsa shpenzimet e udhëtimit kanë pësuar rënie me 15%, kundrejt një viti më parë. Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, gjatë 3-mujorit të dytë të 2015 eksporti i shërbimeve të udhëtimit i ka siguruar ekonomisë vendase rreth 332 milionë euro. Rritja vjetore e të ardhurave gjatë kësaj periudhe ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së numrit të vizitorëve të huaj në vend me rreth 17%. Ndërkohë, kanë pësuar rënie shpenzimet mesatare për person dhe ditë-qëndrimi mesatar, përkatësisht 21% dhe 5%. Nga ana tjetër, rezidentët kanë shpenzuar në udhëtimet e tyre jashtë vendit rreth 256 milionë euro ose 15% më pak se një vit më parë. Ndonëse, numri i shtetasve shqiptarë që kanë udhëtuar jashtë vendit vlerësohet në rritje prej 7%, dinamika e strukturës mes udhëtimeve për qëllime biznesi dhe personale ka ndikuar që shpenzimet mesatare për person të jenë pranë të njëjtit nivel me një vit më parë.


Investimet e Huaja Direkte


Investimet e Huaja Direkte në Shqipëri janë rritur në 198 milionë euro. Në një shpërndarje sektoriale që paraqet Banka e Shqipërisë, prurjet më të mëdha në formën e investimeve direkte në Shqipëri vijnë nga sektori i hidrokarbureve me rreth 47%, të ndjekur nga sektori bankar dhe i telekomunikacionit që përfaqësojnë përkatësisht 10% dhe 3% të flukseve hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte. Të dhënat mbi Investimet e Huaja Direkte me frekuencë tremujore janë paraprake. Këto të dhëna për vitin 2015, do të cilësohen si përfundimtare në muajin shtator 2016, bazuar në vrojtimin vjetor të Investimeve të Huaja Direkte (IHD) pranë ndërmarrjeve. Si rezultat i të dhënave që merren nga ky vrojtim, kryhet rishikimi i vlerave të IHD për secilin tremujor.


Fluksi dalës


Ndërkohë, fluksi dalës nga të ardhurat nga investimet ka regjistruar 46 milionë euro kundrejt 34 milionë euro një vit më parë, kryesisht në formën e pagesave të dividentëve dhe vlerës së fitimit të riinvestuar, pjesë e investimeve direkte në Shqipëri. Gjatë 3-mujorit të dytë 2015, bilanci negativ i të ardhurave nga investimet e tjera është thelluar 13% më shumë, ndikuar kryesisht nga rritja e fluksit dalës në formën e pagesave të interesave për huat.


Rezerva valutore


Në këtë periudhë, Shqipëria regjistroi një prurje valutore neto prej 213 milionë eurosh në llogarinë kapitale dhe financiare. Nga këto, rreth 21 milionë euro kanë hyrë në vend në formën e granteve për investime kapitale, ndërsa 192 milionë euro në formën e flukseve financiare neto. Pozicioni neto i lëvizjeve të kapitalit, për këtë periudhë, ka mundësuar plotësisht financimin e deficitit. Sipas Bankës së Shqipërisë, mjetet e rezervës janë rritur me 16 milionë euro. Stoku i rezervës valutore në fund të periudhës shënoi nivelin 2,388 milionë euro, i mjaftueshëm për mbulimin e importeve të mallrave dhe shërbimeve për 6 muaj e dhjetë ditë.