Vendimi i plotë
Më 7 shtator ndërpriten tenderët, shpërblimet, dietat, madje dhe telefonat
ARD KOLA
Ministria i Financave ndërmerr aksionin e radhës në tentativë për të shkurtuar sadopak shpenzimet në buxhet. Të dhënat e 7-mujorit për buxhetin nuk ishin ato të duhurat, për rrjedhojë, ministri i ka paraqitur qeverisë planin e ri të shkurtimeve, nga ku mësohet se punonjësve të shtetit do t’u mohohen shumë të drejta.
Gazeta “Shqip” disponon një kopje të projektvendimit, hartuar më 28 gusht nga departamenti i buxhetit në ministri, ndërsa zbatimi i kursimeve do të nisë pas datës 7 shtator. Kjo është tentativa e dytë e ministrit Ridvan Bode për të disiplinuar arkën e shtetit. Hapin e parë e hodhi në mars të këtij viti, ku me anë të një qarkoreje kufizoi planin e investimeve, si rrjedhojë e krizës së thellë në vend për shkak të mungesës së të ardhurave nga taksat. Kësaj here, ministri ka kërkuar ndërprerjen e të gjitha shpenzimeve operative, tenderëve për këtë qëllim, shpërblimet, dietat, rekrutimet në punë, trajnimet etj.
“Duke nisur nga data 7 shtator 2012, botimi i çdolloj njoftimi (tenderi), përjashtuar njoftimin e kontratës së nënshkruar, për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzimet operative, të njësive të qeverisjes qendrore, bëhet vetëm me leje të ministrit të Financave dhe duhet të tregojë detyrimisht burimin e financimit”, thuhet në pikën e parë të projektvendimit, i cili me shumë gjasa duhet të jetë miratuar javën e kaluar nga Këshilli i Ministrave. Financat përjashtojnë nga ky rregull fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi të qeverisjes qendrore në të cilat kryhet ky shërbim, blerjet e vogla emergjente, të cilat nuk janë objekt prokurimi.
Shpenzimet operative janë një zë i rëndësishëm në buxhet dhe shërben për blerjen e shërbimeve të ndryshme dhe pajisjeve etj.
Megjithatë, vendimi i Ministrisë së Financave nuk prek vetëm këtë zë, por përfshin edhe shpenzimet për telefonat e punonjësve të administratës. Kriza ka hyrë aq thellë në buxhetin e shtetit sa detyron ministrin të reduktojë kuotat e bisedave telefonike, me të paktën 20 për qind. Një vendim i tillë është marrë për herë të parë vitin e kaluar, në korrik, nga ku shumë specialistë dhe shefa të administratës u katandisën me 2 mijë lekë kuotë telefonike në muaj.
Ministria e Financave nuk ka kursyer as dietat, shpërblimet, udhëtimet dhe trajnimet. Në pikën 6 thuhet se, “Shpenzimet për udhëtimet dhe dieta jashtë vendit, për njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të reduktohen duke përfshirë vetëm udhëtimet e rëndësisë së veçantë dhe vetëm për një numër të kufizuar punonjësish”, në çdo rast, sqaron ministria, për kryerjen e këtyre udhëtimeve duhet të merret miratimi i ministrit apo titullit të institucionit, ndërsa në rastin e pjesëmarrjes në konferenca apo aktivitete për të cilat paguhet tarifë pjesëmarrjeje, merret paraprakisht miratimi i ministrit të Financave. Pra, do të jetë vetë Bode që lëshon autorizimin se kush do të udhëtojë jashtë nga zyrtarët e qeverisë.
Ministria e Financave ka bllokuar edhe trajnimet, seminaret apo kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet e buxhetit të 2012-s. E thënë ndryshe, kush kishte bërë plan për seminar jashtë vendit me paret e buxhetit, ta harrojë, pasi Bode e ka anuluar.
Shkurtimet nuk mbeten deri këtu, por shtrihen edhe në zëra të tjerë. Çdo institucion ka një fond të veçantë, sa 5 për qind e fondit të pagave, i cili shërben për shpërblime ndaj punonjësve me performancë pozitive, për raste gëzimesh apo hidhërimesh, (lindjeje, vdekje, aksidente, etj). Ky fond, i cili shërben edhe për aktivitete kulturore, nuk do të përdoret deri më datë 5 dhjetor.
Ministria vendos dhe një kriter të ri. “Fondet buxhetore të papërdorura deri në miratimin e këtij vendimi për trajnimet, seminaret apo dhe kurset (përfshi këtu edhe trajnimet e ITAP) brenda vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2012, do të reduktohen në masën 50 për qind”, thotë ministria.
Argumentet
Nuk ka para, megjithatë ministri i Financave mohon faktin se vendi është në krizë
Bode: Shkurtimet? Të nevojshme nisur nga mungesa e fondeve
Ministri i Financave jep disa argumente pse ndërmori vendimin për disa shkurtime në buxhet. Sipas tij, disiplinon përdorimin e fondeve buxhetore dhe rrit efektivitetin e shpenzimeve publike, “nisur nga situata aktuale buxhetore”. Pra, shefi i Financave nuk e deklaron hapur se vendi është në krizë të plotë, por thotë nën rreshta se, buxheti me fondin në dispozicion nuk mund t’u përgjigjet nevojave të administratës për para.
Të dhënat tregojnë se shpenzimet operative deri në fund të muajit korrik kishin arritur në rreth 190 milionë dollarë, ose 22.6 për qind më shumë se plani. Komenti i ministrit për këtë fakt lidhet, sipas tij, me mungesën e disiplinës në zbatimin e buxhetit nga ana e administratës.
“Arsyeja më e rëndësishme që çoi në inicimin e këtij projekti është vendosja e një sistemi masash që do të çojë në një menaxhim sa më efecient dhe efektiv të fondeve publike të mbetura për vitin 2012 dhe për më tepër, vendosja e një kontrolli nëpërmjet përcaktimit të rregullave në menaxhimin e shpenzimeve operative”, sqaron ministri Bode në projektvendimin që mban firmën e tij.
Ministria e Financave nga disa verifikime të bëra te shpenzimet e personelit te disa institucione ka vërejtur mjaft probleme në mënyrën se si zbatohet legjislacioni për pagat dhe shpërblimet. Për shkeljet e konstatuara është kërkuar që njësitë e auditimit të marrin masa të menjëhershme për zhdëmtimin e buxhetit.
Financat janë treguar më dorështrënguar me shpenzimet gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, duke i reduktuar ato me rreth 1.2 për qind me bazë vjetore, kurse të ardhurat u rritën me rreth 4 për qind, dhe deficiti buxhetor arriti në rreth 30 për qind më i ulët në raport me periudhën përkatëse të një viti më parë.
Megjithatë, këto masa nuk mjaftojnë. Sikurse tregojnë të dhënat, administrata ka shpenzuar rreth 35 milionë dollarë më shumë se plani dhe ky fakt e ka shqetësuar pa masë ministrin e Financave, i cili tashmë kërkon marrjen e masave.
Treguesi që e ka pësuar më shumë nga tkurrja e shpenzimeve ka qenë ai i shpenzimeve kapitale, që është një zë i rëndësishëm për të nxitur rritjen ekonomike këto kohë të vështira. Shpenzimet kapitale janë reduktuar me rreth 7 miliardë lekë, apo 17 për qind në raport me shtatëmujorin e parë të 2011-s. Ndërkohë që financat nuk kanë kursyer për shpenzimet e personelit, që janë rritur me rreth 2 për qind, me bazë vjetore.
A.Kola
Standardi
Vendimi i Bodes, pasi modernizoi zyrat e ministrisë
Plani i ministrit të Financave për të disiplinuar fondet në buxhet është një hap që ndoshta duhet përshëndetur, pasi shtetet fqinje e kanë ndërmarrë në muajt prill dhe maj. Megjithatë, standardi i ndjekur nga shefi i Financave bie ndesh me moralin e ndjekur deri tani nga vetë ai. Kur është duke mbyllur të gjitha punimet për modernizimin e zyrave të tij dhe krijimin e ambienteve të reja, përfshi dhe atë të konferencave me vlerë totale prej rreth 400 mijë dollarë, tashmë ministri po ua ndalon të tjerëve të bëjnë një veprim të tillë me argumentin se arka e shtetit nuk ka para dhe se po shkelen parimet e respektimit të ligjit. Ministria thotë se zyrat i kishte të vjetra dhe për 10 vjet nuk ishin rikonstruktuar, por në fakt një herë dy vjet ishin kryer ndërhyrje të ndryshme. Vetëm për të bërë nga e para zyrën e ministrit, u desh të ndërhyhej në 10 zyra të tjera, veprime këto të padrejta në kushtet kur vetë ministri pranon se shteti është në krizë për para.