Papunësia – Niveli i papunësisë në vend pësoi rritje në tremujorin e tretë, me 0.02 pikë për qind, duke shkuar në 13.32 për qind, (142 mijë të papunë, ose të regjistruar në zyrat e punësimit), thotë INSTAT
Pagat – Numri i të punësuarve në industrinë përpunuese është ulur 3 për qind në tremujorin e tretë 2012 krahasuar me tremujorin paraardhës, përfshi edhe me pagat, me ulje me rreth 1.2 për qind
Kostot – Kompanitë private po ndërmarrin masa shtrënguese në drejtim të kursimeve, duke prekur edhe stafet. Kriza ka rritur kostot e lëndëve të para, por njëkohësisht ka ulur ritmin e aktivitetit
Bilanci
INSTAT: Tremujori i 3-të. Keq ndërtimi dhe industria. Çalon tregtia
Sipas statistikave, tregtia me pakicë është rritur lehtë, me 0.2 për qind në raport me vitin 2011
Energjia – Mirë duket se po ecën sektori i energjisë elektrike, gazi dhe uji, pasi të punësuarit janë rritur me 0.6 për qind, sikurse dhe pagat me 1.4 për qind
ARD KOLA
Disa sektorë të ekonomisë në vend nuk po ecin në ritmin e duhur, pasi kostot u janë shtuar dhe për t’i zbutur kanë rishikuar planet e zhvillimit, duke prekur edhe numrin e punonjësve. INSTAT raporton së fundmi se industria dhe ndërtimi janë më të prekurat sa i takon shkurtimit të vendeve të punës. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë me pagat, të cilat janë rritur, por më tepër si pasojë e ngarkesës në punë për të mbuluar “funksionet e të larguarve”.
INSTAT u referohet të dhënave për tremujorin e tretë 2012, duke analizuar situatën e disa sektorëve, me shifrën e afarizmit (xhiro e aktivitetit), punësimi dhe paga.
Në tërësi, industria është prekur nga kriza dhe operatorët kanë menduar t’i ulin kostot me ndërmarrjen e shkurtimeve me stafet. Numri i të punësuarve në sektorin e industrisë është ulur me 2.2 për qind në tremujorin e tretë 2012 krahasuar me tremujorin e mëparshëm. “Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm numri i punonjësve ka rënie 2.3 për qind”, thotë INSTAT. Lidhur me pagat, ka një rritje prej 0.3 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, rritja e pagave është 2.2 për qind.
Në veçanti, numri i të punësuarve në industrinë përpunuese është ulur 3 për qind në tremujorin e tretë 2012 krahasuar me tremujorin paraardhës. Ky sektor zë një peshë të rëndësishme në ekonomi, por fatkeqësisht është prekur nga kriza, aq sa ka ndikuar edhe në uljen e nivelit të pagave me 1.2 për qind. Edhe në raport me tremujorin e tretë të vitit të mëparshëm numri i të punësuarve është ulur 2.8 për qind dhe pagat janë ulur 0.8 për qind. Probleme konstatohen edhe në industrinë nxjerrëse, ku në raport me vitin 2011 numri i të punësuarve ulet 4.3 për qind, kurse pagat janë rritur me 10.4 për qind.
Ndërtimi nuk njeh asnjë shenjë pozitive. Në këtë sektor, numri i të punësuarve është ulur me 8.2 për qind në tremujorin e tretë 2012 krahasuar me tremujorin e dytë 2011, ndërsa pagat janë ulur me 8.1 për qind gjatë të njëjtës periudhë. Edhe aktiviteti privat i këtij sektori, pra xhirot kanë rënë me 15.8 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit paraardhës, ndërsa krahasuar me tremujorin e dytë 2012 është ulur 0.3 për qind. Ndërtuesit ankohen për shumë gjëra, duke nisur nga politika e taksave, detyrimet e prapambetura që qeveria nuk i shlyen, e deri në mungesën e lejeve. Për këto probleme pritet që sot kreu i shoqatës së ndërtuesve të dalë në konferencë për shtyp, në kuadër edhe të fundvitit, për t’i propozuar qeverisë rishikimin e disa masave. Mirë duket se po ecën sektori i energjisë elektrike, gazi dhe uji, pasi të punësuarit janë rritur me rritur me 0.6 për qind, sikurse dhe pagat me 1.4 për qind. Niveli i papunësisë në vend pësoi rritje në tremujorin e tretë, me 0.02 pikë për qind, duke shkuar në 13.32 për qind, (afro 142 mijë të papunë, ose të regjistruar në zyrat e punësimit).
Ndërsa sektorët shkurtojnë stafet si rrjedhojë e krizës, shenja jo fort të qëndrueshme paraqet tregtia me pakicë, e cila rezulton me rritje modeste, në raport me periudha të ndryshme. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës (tremujori i tretë 2011), indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 0.2 për qind, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është rritur 10.1 për qind. Konkretisht, Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare të specializuara” (supermarketet) indeksi i volumit të shitjeve është rritur 0.3 për qind në këtë tremujor krahasuar me tremujorin paraardhës. Në grupin “Tregtia, mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave” (serviset), indeksi i volumit të shitjeve për tremujorin e tretë 2012 është rritur 2.4 për qind krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraardhës, 2011.