AhmetajVlahutin: KLSH të rrisë cilësinë e auditeve. Ahmetaj: Rritëm të ardhurat


Projektet – “Gjatë 15 muajve, 18% e aktiviteteve janë plotësuar, 65% e projekteve janë në proces dhe 17% nuk kanë filluar akoma”, tha Ahmetaj


Zamir Alushi


Bashkimi Europian do të japë 125 milionë euro në katër vitet e ardhshme për qeverinë shqiptare, për reformën e menaxhimit të financave publike. E pranishme në prezantimin e rezultateve të strategjisë së menaxhimit të financave publike, ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, kërkoi më shumë llogaridhënie nga qeveria dhe më shumë kontroll për përdorimin e fondeve publike. “Është e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë se çfarë po ndodh me taksat e tyre, ndaj ne themi se duhet përmirësuar llogaridhënia dhe kjo mund të bëhet me anën e institucioneve si KLSH-ja, i cili duhet të ketë një rol më të madh në përmirësimin e mbikëqyrjes dhe llogaridhënies, duke përmirësuar cilësinë e raporteve të auditeve dhe duke e sjellë informacionin më afër qytetarëve”, deklaroi Vlahutin. Po ashtu, vazhdoi ajo, Parlamenti ka një rol kyç për të luajtur, duke shqyrtuar nga afër raportet e auditit në mënyrë kompetente.


Ecuria


Strategjia e financave publike, që financohet nga Bashkimi Europian, është miratuar 15 muaj më parë. “Gjatë kësaj periudhe, 18% e aktiviteteve janë plotësuar, 65% e aktiviteteve janë në proces dhe 17% nuk kanë filluar akoma”, tha ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Për ambasadoren e BE-së në Tiranë, kjo është një reformë që “do të sjellë përmirësime të drejtpërdrejta te qytetarët shqiptarë, sepse do të thotë se do të sjellë shumë qartësi se çfarë ndodh në sistem, në mënyrë që qytetarët shqiptarë dhe taksapaguesit shqiptarë ta dinë se ku shkojnë paratë e tyre dhe se si investohen ato para”.


Platforma informatike


Duke renditur rezultatet, Ahmetaj veçoi metodën e parashikimit afatmesëm të buxhetit të shtetit. “Një progres shumë i mirë, më duhet ta them, është bërë në forcimin e instrumenteve të financave publike dhe këtu, me kënaqësi, do t’i referohesha edhe planifikimit afatmesëm, që tani është jo më thjesht një instrument testi, por një mekanizëm ligjor”, tha Ahmetaj. Të gjitha tavanet buxhetore që kemi aprovuar për vitet 2017-2018, tha Ahmetaj, i kthyem në detyrim ligjor. Rezultati i dytë pozitiv, sipas ministrit, është aplikimi i sistemeve të reja informatike të tatimeve dhe të doganave. “Do t’i referohem sistemit të IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, që është plotësisht i zëvendësuar me një rrjet jashtëzakonisht të avancuar, por edhe për sa i përket zëvendësimit të sistemit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve sidomos, platformës së riskut që është kthyer në një referencë, në një instrument shumë efektiv për të menaxhuar, jo vetëm riskun, por edhe për të alokuar burime aty ku rreziku është më i madh dhe të ardhurat janë më të mëdha”, deklaroi Ahmetaj.


Borxhi


Progres serioz, sipas ministrit, është bërë në këto tri vite edhe për sa i përket përmirësimit të strukturës së borxhit. “Një borxh me risk më të ulët, borxh afatgjatë dhe më i lirë, është një nga stoqet e borxheve me më pak risk, krahasuar me rajonin, megjithëse niveli është akoma i lartë”, tha Ahmetaj dhe shtoi se kjo është shumë më ndryshe nga ajo strukturë e borxhit që u gjet në vitin 2013.


Aksioni


“Vijon një reformë shumë e rëndësishme për të përmirësuar mbledhjen e tatimeve apo për të luftuar evazionin, iniciuar në shtator të vitit 2015. Ka një përmirësim të ndjeshëm në mbledhjen e të ardhurave dhe është reflektuar dhe në rezultatet e tre muajve të parë të vitit, të cilat janë shumë premtuese, nga tatimet dhe nga doganat”, tha Ahmetaj. Para një jave, Ministria e Financave shpalli fillimin e fazës së dytë të aksionit kundër informalitetit, i cili do të fokusohet, sipas Ahmetaj, kryesisht te sipërmarrja e madhe.