Investitorët e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe qeveria shqiptare janë përfshirë në një konflikt disavjeçar, që ka të bëjë me cenimin e pikave thelbësore të kontratës që këto HEC-e kishin me qeverinë e para 2013-s. Pas uljes së çmimit, së fundmi prishja e njëanshme e kontratave ekzistuese me KESH sh.a., me anë të një VKM-je dhe zëvendësimi i tyre me kontrata me OSHEE-në rrezikon të çojë çështjen në gjykatat ndërkombëtare
Prishja e njëanshme e kontratave ekzistuese të HEC-eve private me KESH sh.a., me anë të një VKM-je dhe zëvendësimi i tyre me kontrata me OSHEE i ka vendosur në një marrëdhënie të re, të dëmshme dhe të pasigurt investimet prej qindra miliona eurosh, të bëra nga investitorë të huaj e shqiptarë.
Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA) shpjegon se, thelbi i kontratës së re të hartuar në mënyrë të njëanshme, është roli që qeveria u jep investitorëve të huaj e shqiptarë në fushën e prodhimit të energjisë së rinovueshme, duke mos i trajtuar më ata si prodhues të energjisë, por si tregtarë të saj dhe duke mos u siguruar blerjen e të gjithë energjisë së prodhuar, siç parashikohej në kontratat e nënshkruara përpara se të nisnin investimet.
Por, për Ministrinë e Energjetikës nuk ekziston ky shqetësim. Kalimi i detyrimit për blerjen e energjisë elektrike nga shoqëria KESH në shoqërinë OSHEE, nuk cenon aspak të drejtat e fituara nga shoqëritë që kanë nënshkruar kontratat koncesioare, sqaroi Ministria, pasi ky ndryshim i operatorit, nuk prek asnjë nga të drejtat dhe garancitë e fituara nga investitorët, të tilla si afati i kontratës koncesionare, afati i kontratës së shitblerjes së energjisë, apo çmimi që shitet kjo energji, të cilat, edhe me ndryshimet e kontratës së miratuar së fundmi nga ERE, mbeten të pandryshuara dhe garantojnë të njëjtin regjim për këto kompani.
Por investitorët e HEC-eve këmbëngulin se nëse kontratat do të ishin identike, siç pretendon qeveria me anë të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, do të duhej që të ndryshohej vetëm emri i blerësit të energjisë, nga KESH sh.a në OSHEE, duke mos prekur apo duke mos shtuar nene të tjera, nën të cilët fshihet shkelja e të drejtave të fituara më parë.
Investitorët e prodhimit të energjisë së rinovuehsme dhe qeveria shqiptare janë përfshirë në konflikt disavjeçar që ka të bëjë me cenimin e pikave thelbësore të kontratës që këto HEC-e kishin me qeverinë e para 2013-s. Në themel të kësaj kontrate detyrimi, Korporata Shtetërore Elektroenergjetike ishte e detyruar të blinte energjinë e prodhuar nga HEC-et deri në 15 MW kundrejt një çmimi më të lartë se 9 lekë për kilovatorë.
Duke qenë se HEC-et e vogla prodhuan përtej normave të parashikuara nga KESH, korporata nuk mundi të shlyejë në kohë faturat.
Për pasojë, nga shtator 2013-dhjetor 2014, prodhuesit u përballën me vonesa pothuaj 1-vjeçare në pagesat e faturave të prodhimit. Kjo rezultoi në vështirësi të mëdha financiare dhe pothuaj të gjithë investitorët u detyruan të marrin overdrafte apo hua të reja nga banka me interesa më të larta se ato të parat. Kjo ndaloi gjithashtu pothuaj plotësisht vazhdimin e investimeve të filluara apo fillimin e projekteve të reja.
28 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)/Monitor