Monedha europiane, çmim të lartë nga nëntori 2011. Çdo ditë del 1 milion euro nga Shqipëria


kursi euro lekDeri në fundjavën që shkoi, monedha europiane po kapte majat e çmimit, duke arritur në 141.3 lekë, niveli më i lartë i regjistruar nga muaji nëntor 2011. Në ditët e para të kësaj jave, pra pas datës 19 maj, monedha vendase Lek paraqitet më e stabilizuar, pasi Euro shënoi kuotën e 141.07 lekë, me 0.07 lekë më pak se një ditë më pas.


Ekspertët thonë se monedha europiane do të vijojë të qëndrojë në këto kuota në nivelet 140-141 lekë edhe në javët në vazhdim. Nga ana tjetër, edhe dollari amerikan ka vuajtur rënien e tij në tregun vendas, duke zbritur në kuotën e 109 lekëve.


Megjithatë, ajo çfarë bën të reagojnë analistët e tregut lidhet me faktin e rritjes së vlerës së Euros në këto përmasa, pasi si tendencë, në periudhën prill-maj është bërë e zakonshme. Në këto dy muaj, kompanitë konsolidojnë bilancet, pra bëjnë mbylljen e pasqyrave, duke i dorëzuar në organet kompetente dhe më pas, u lind e drejta aksionerëve për të transferuar fitimet.


Pikëpamjet se pse Euro pësoi rritje të fortë në raport me dy vitet e fundit janë të ndryshme, por thelbi qëndron te situata ekonomike dhe politike në vend.


Bankat po kërkojnë gjithnjë e më shumë valutë, për llogari të klientëve të tyre, duke rritur presionin në tregun vendas. Statistikat tregojnë se që nga fillimi i vitit, euro është forcuar me 1.2 për qind ndaj lekut. Sikurse paraqitet në grafik,


fillimi i rritjes së fortë të euros përkon me fundin e marsit, periudhë, sikurse thamë, kur kompanitë mbyllin bilancet e vitit 2012.


Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, fitimet e transferuara për vitin e kaluar nga kompanitë e huaja ishin rreth 260 milionë euro. Mjafton të llogarisësh vetëm ditët kur bankat punojnë, rezulton se çdo ditë janë transferuar 1 milion euro jashtë Shqipërisë.


Për ekspertët e fushës, shuma e një transaksioni të tillë konsiderohet tepër e lartë, në një kohë kur, sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë, transaksionet ditore të valutës janë mesatarisht 10 milionë euro në ditë. Megjithatë, sipas analistëve të BSH-së, pritet që në ditët e ardhshme tregu të “qetësohet”, por Euro parashikohet të qëndrojë në nivelet e 140 pikëve.


Sipërmarrjet e huaja kanë arritur që të transferojnë më shumë fitime gjatë vitit 2012. Sipas të dhënave nga bilanci i pagesave për vitin 2012, zëri “të ardhura dalëse nga investimet”, që kryesisht është transferimi i fitimeve jashtë vendit shënoi një rritje të ndjeshme me 40 për qind me bazë vjetore, duke arritur në 264 milionë euro, duke iu afruar nivelit të vitit 2008. Një vit më parë, ky zë kishte shënuar rënie të ndjeshme prej gati 50 për qind.


“Rritja e transferimit të fitimeve nënkupton se sipërmarrjet e huaja po i riinvestojnë më pak fitimet në Shqipëri, ndërkohë që po çojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të fitimeve te mëmat, të cilat janë të etura për cash, si rrjedhojë e vështirësive të krijuara nga kriza europiane e borxheve”, thotë Ornela Liperi, analiste e tregjeve financiare.


Sakaq, Adrian Civici e ngre vëmendjen e debatit te prania gjithnjë e më e ulët e monedhës euro në tregun shqiptar. Sipas tij, në vitet e fundit kemi  rënie të remitancave (dërgesat e emigrantëve) dhe më pak investime të huaja, në një kohë kur tregtia me jashtë realizohet në 70 për qind të vëllimit me vendet e BE-së.


ARD KOLA


 


 


Në ditët e ardhshme, Euro parashikohet të qëndrojë në nivelet e 140 pikëve, thonë ekspertët