CelularShërbimi 3G


Numri i pajtimtarëve celularë që përdorin shërbimet 3G në 2013-n arriti në rreth 1.2 milionë


 


Me USB


Sipas AKRP-it, numri i pajtimtarëve me akses broadband 3G me karta USB/modem u rrit me 101%


 


Kryemadhi


“Duhet të ketë procedura lehtësuese për kompaninë e palicencuar, në bashkëpunim me ministrinë”


 


“Ligji shqiptar i prokurimit e parashikon procedurën me negocim” 


 


Teknologjia 3G


Komisioni i Veprimtarive Prodhuese fut kërkesën në rezolutë: “Të procedohet sipas ligjit, me negocim”


Zamir Alushi


Licenca e katërt 3G duhet t’i jepet kompanisë së katërt celulare “Plus” me procedurën e negocimit. Kjo zgjidhje jepet nga ligji dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP), sipas një pike të shtuar nga deputetët në projektrezolutën e vlerësimit të veprimtarisë për vitin 2013, ku detyrohet të kryejë sa më parë procedurën. Diskutimet në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, të datës 27 maj 2014, procesverbali i të cilave është zbardhur nga Kuvendi, kanë si konkluzion se, vonesa e dhënies së licencës 3G, ka dëmtuar konsumatorin që duhet të merrte një shërbim me çmim më të lirë. Propozimi për licencën u bë nga deputeti i opozitës, Ardian Turku, por u mbështet edhe nga mazhoranca. “Kjo pikë shtesë ka të bëjë me përdorimin e teknologjisë 3G të njërit prej operatorëve që nuk e ka ende të fituar të drejtën. Po ta kishte, kjo do t’i bënte shumë mirë efektit të konkurrencës dhe konsumatorit. Adresimi në mënyrë të drejtpërdrejtë për t’ia dhënë këtij, është përsëri diçka e diskutueshme dhe duhet ta vendosim bashkërisht”, u shpreh deputeti Turku. “Sot kemi në treg një operator të palicencuar për 3G. T’i jepet e drejta e përdorimit të teknologjisë 3G, operatorit që nuk e ka ende këtë të drejtë, sipas rekomandimeve të Autoritetit të Konkurrencës”, ky është propozimi i deputetëve të opozitës, i lexuar nga kryetari i komisionit, Eduard Shalsi. Ai tha se shqetësimi qëndron, por kërkoi thjesht një riformulim sa më ligjor. Duke ndërhyrë në diskutim, Monika Kryemadhi tha se “çështjen e çmimit të 3G-së e ka qeveria. Me vendim qeverie vendoset se cili është çmimi dysheme. Licencimin ti e merr, por do ta fitosh atë me pagesë. Normalisht, Ministria e Inovacionit e ka nxjerrë dyshemenë me 1,5 milionë euro. Dyshemenë, ndërkohë kompania e palicencuar ka kërkuar ta paguajë në vite”. Më tej, Kryemadhi propozoi që rezoluta të theksojë se: “Duhet të ketë procedura lehtësuese për kompaninë e palicencuar, në bashkëpunim me ministrinë. Sepse, – vazhdoi ajo, – është operator shqiptar. Kjo është arsyeja që ata e kërkojnë lehtësuese këtë gjë”. Duke marrë fjalën relatori i rezolutës, Namik Kopliku, tha se ka procedura ligjore sesi aplikohet për ta marrë këtë licencë. “Ne në rezolutë mund të themi të vijojnë procedurat për dhënien e së drejtës së përdorimit të frekuencave për teknologjinë 3G, por sipas procedurave ligjore. Sipas dëgjesës që ne bëmë, – tha Shalsi, – shqetësimi ka qenë: meqenëse tri kompani janë pajisur me licencën 3G, ka mbetur vetëm një operator, për mua nuk ka rëndësi nëse është shqiptar apo kompani e huaj, por që kemi një operator pa 3G-në.” “Shqetësimi që na u prezantua në komision kishte të bënte me faktin se kur një operator licencohej, në garën e ardhshme


përjashtohej nga marrja pjesë në konkurrencë. Shqetësimi i tanishëm është që, në rast se do të hidhet në treg një licencë, do të përjashtohen tre operatorët e mëparshëm dhe do të mbetet automatikisht një? Po qe se do të vijonim me logjikën e kaluar, në fakt kështu duhej të ndodhte. Nga ana tjetër, ne kemi katër operatorë dhe problemi ligjor është që, në rast se do t’ia japim njërit, atëherë do t’ia japim pa garë, që do të thotë se duhet t’ia japësh me negocim. Po të lejojnë sot procedurat ndërkombëtare? Ky është shqetësimi. E bëra këtë shpjegim për të thënë se në këto situata jemi”, tha Shalsi, duke shpjeguar situatën juridike.


“Në këtë treg, – tha deputeti Helidon Bushati, – operatorët kanë ndërveprim midis tyre dhe ndërveprim që shkon në dëm apo në favor të njërit a të tjetrit. Secili bën politikat e tij komerciale, duke influencuar në një mënyrë apo një tjetër, që mund të jetë me efekte shumë negative për një, dy, tre operatorë.” “Për sa i përket mënyrës me negocim, në dijeninë time ligji shqiptar i prokurimit e parashikon procedurën me negocim. Janë bërë procedura me negocim”, theksoi Bushati. Ndërsa deputeti Artan Gaçi e ka argumentuar nevojën e dhënies së licencës 3G për kompaninë e katërt celulare si domosdoshmëri për konkurrencën. “Del jashtë Tiranës dhe, pavarësisht se janë tri kompani që e kanë 3G-në, nuk ta ofrojnë. Mjafton të dalësh tetë kilometra jashtë Tiranës dhe nuk ta ofrojnë. Pra, një kompani tjetër me licencë 3G do t’i bënte vetëm mirë këtij tregu dhe do ta liberalizonte, duke dhënë mundësi më të mëdha edhe për qytetarët që e përdorin”, tha Gaçi. “Duke ndjekur edhe logjikën se si është operuar deri tani, duke përjashtuar kompanitë, – vazhdoi Gaçi, – bën sens që të gjendet një zgjidhje dhe ne t’i incentivojmë dhënien e licencës 3G kompanisë së katërt, sepse, po hyjnë në treg kompanitë e tjera me tender të hapur, vetëm për ta nxjerrë jashtë tregut, do ta blejnë shumë herë më tepër vetëm për ta mbyllur. Kështu që së paku në terma të përgjithshëm, ne duhet ta orientojmë që ajo kompani ose edhe të tjera, të kenë mundësi të pajisen me 3G për të mirën e qytetarëve, por edhe në të mirë të mosmonopolizimit të tregut”, përfundoi deputeti Artan Gaçi. Ndërsa Monika Kryemadhi deklaroi: “Kjo rezolutë është përgatitur shumë mirë, por problemi qëndron te zbatimi, që ajo të mos rrijë në sirtar. Problemi më i madh është te çmimet e tarifave, sepse telefonia celulare në vendin tonë është më e shtrenjta në rajon. Vitin tjetër ne do të kemi “4G”-në dhe do të ikim nga roaming. Pra, nuk do të përdoret më roaming, por “4G”. Ajo çka është e rëndësishme për këtë kohë që ka ngelur, është të kemi një shërbim sa më dinjitoz, të lirë dhe cilësor për konsumatorët tanë”.


 


Ardian Turku


Shqetësimi im nga rreziku i falimentimit të disa operatorëve, të cilët në vazhdimësi kanë ndikuar pozitivisht ndaj konsumatorit


 


Kërkesa


“Të ulen tarifat, të mbikëqyret dominanca”


AKEP-i nuk e ka përmbushur detyrën për të ndikuar në uljen e tarifave me pakicë të çmimeve në telefoninë celulare. Me insistimin e disa deputetëve, kjo pikë do të përfshihet në projektrezolutë. “Ndryshimet e tarifave të shumicës për rrjetet celulare në vite nuk kanë pasur efekt në eliminimin e barrierave për operatorët e vegjël, por përkundrazi, vihet re një mbyllje akoma edhe më e madhe brenda rrjeteve të operatorëve të mëdhenj, referentë të vendimeve të Autoritetit të Konkurrencë nr. 275 dhe 303”. Këtë propozim e bëri deputeti Ardian Turku. Ndërsa kryetari Shalsi i dha këtë formë përfundimtare: “Ka përmbushur konform parashikimeve raundin e tretë të uljes së tarifave të shumicës për rrjetet celulare, megjithëse vihet re se këto masa nuk kanë sjellë efektin e duhur në uljen e tarifave me pakicë dhe eliminimin e barrierave”. Një propozim tjetër i opozitës ishte për “bashkëpunimin që duhet të ketë AKEP-i me Autoritetin e Konkurrencës dhe institucione të tjera”. Ndërsa, lidhur me dominancën në treg, kryetari i komisionit, Shalsi, tha se duhen bërë analiza të shpeshta të tregut. “AKEP-i duhet ta ketë nën mbikëqyrje të vazhdueshme këtë dominancë, që të mos lejohet të kthehet në abuzive”, tha Shalsi.


 


Deklarata


Artan Gaçi: Ka klientë që për 3-4 ditë shërbim interneti në shtetet e Europës, kanë paguar nga 1000 euro


Akuza


Deputetët: Kompanitë celulare na vjedhin me faturat


Deputetët e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese shfaqen të tmerruar nga faturat e kompanive celulare. Ata akuzojnë për vjedhje, madje në shuma të mëdha që i kalojnë 1 mijë apo 2 mijë euro për një faturë. Deputeti i PS-së, Artan Gaçi, kërkoi të vendoset kjo çështje në rezolutën për AKRP-in. “Meqë do të rishikohet ky draft, do të ishte mirë që të shtohet se, përveç tarifave të terminimit të thirrjeve, të shtohej diçka edhe për shërbimin e internetit ndërkombëtar, i cili është një shqetësim i jashtëzakonshëm. Ka klientë që për 3-4 ditë shërbim interneti në shtetet e Europës, kanë paguar nga 1000 euro. Kjo është një vjedhje dhe është detyrë e AKEP-it që ta kontrollojë këtë. Ne e fikim internetin kur dalim jashtë vendit, ndërkohë që një pjesë e njerëzve që nuk e dinë këtë, kanë marrë fatura të kripura. Ka njerëz që brenda një jave, kanë marrë një faturë prej 2000 eurosh. Mendoj të shtohet edhe pika për shërbimin e internetit ndërkombëtar”, theksoi deputeti Gaçi. Ndërsa deputeti Turku tha se,na rezultoi që thirrjet që kanë të bëjnë me transitin ndërkombëtar, janë tmerrësisht të shtrenjta. Këtu duhet vënë dorë, sepse ky është treg i kontrolluar”, tha Turku.