Procedurat


Zbardhet vendimi që përjashton punëdhënësin nga sigurimet shoqërore


Nuk paguan kontribute, kush punëson për tre vjet të rinjtë 


Punëdhënësit në sektorin privat, të cilët punësojnë të rinj nga mosha 16-30 vjeç, që kanë përfunduar arsimin e lartë, arsimin e mesëm të përgjithshëm e profesional dhe kurse të formimit profesional, mund të përfitojnë një financim mujor për tre vjet, në masën 100 për qind të sigurimeve të detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, të pjesës së kontributit të punëdhënësit, me kusht që në kontratën e punës të jetë tre vjet kohëzgjatja e programit dhe tre vjet të tjerë pa shkëputje pas përfundimit të programit. Ky vendim u mor dje nga qeveria, si propozim i ministrit të Punës, por nuk dihet me saktësi se cili do të jetë efekti financiar minus në skemën e pensioneve, e cila sakaq është zhytur në deficit të thellë.


Punëdhënësit mund të punësojnë nëpërmjet këtij programi deri në 50% të numrit mesatar të të siguruarve të deklaruar në tre muajt e fundit. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, drejtoritë rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe zyrat vendore të punësimit bëjnë njoftimin në Buletinin e Njoftimeve Publike, çdo vit, për fondin e vënë në dispozicion dhe kriteret e përfitimit nga ky program.


Punëdhënësi, që aplikon për programin e punësimit, nuk duhet të ketë shkelur në të kaluarën legjislacionin e punës, konstatuar nga Inspektorati i Punës dhe nga administrata tatimore, si dhe duhet të ketë derdhur, rregullisht detyrimet tatimore e kontributet për sigurimet e detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, veçanërisht për vitin e fundit. Që të përfitojë, punëdhënësi duhet të paraqesë pranë zyrave përkatëse të punësimit


numrin e fuqisë punëtore, listën emërore të të siguruarve, llojin e veprimtarisë që kryen, nivelin e pagës për çdo person, planbiznesin për shtimin e fuqisë punëtore dhe kopje të akteve të inspektimeve për vitin e fundit.


A.Kola


 


Koncesioni


“Kurum” merr edhe varrezat e makinave


Duhet thënë se shoqëria turke e prodhimit të çelikut në Metalurgjikun e Elbasanit, “Kurum” është duke përjetuar një moment ekspansioni. Pas blerjes së katër hidrocentraleve dhe marrjes me koncesion të një pjese të Portit të Durrësit, tashmë kësaj shoqërie i jepet e drejta për të realizuar një tjetër kontratë koncesioni, në sektorin e skrapit të makinave jashtë përdorimit.


Sipas vendimit të djeshëm, duke qenë se “Kurum” është vetofruar për realizimin e këtij projekti, Ministria e Transporteve dhe ajo e Mjedisit i japin 7 pikë bonus për tenderin e dhënies me koncesion shërbimit të “menaxhimit të mbetjeve të automjeteve në fund të jetës”. Vitin e kaluar, kryeministri urdhëroi zhvendosjen e “varrezave” 2 kilometra larg.


 


ALUIZNI


Kalojnë me VKM 2120 dosje pronash


U miratuan dje në qeveri dosjet e 2120 parcelave të objekteve informale, për të cilat kërkohet kalimi i pronësisë së truallit me sipërfaqe të përgjithshme rreth 600 mijë metër katror. Kalimi i titullit me VKM konsiderohet hapi final drejt marrjes së certifikatës së pronësisë nga hipoteka. Këto prona kanë kaluar procesin e verifikimit nga ALUIZNI dhe u janë paguar të gjitha detyrimet nga individët. Më konkretisht, për Tiranën janë miratuar 184 dosje, për Kavajën 63, Durrësin 99 dosje, për Vlorën 348, e kështu me radhë për rajonet e tjera. Procesi i legalizimeve ka ecur shumë ngadalë, ku më pak se 5 për qind e ndërtimeve pa leje kanë mundur të marrin titullin e pronësisë nga Hipoteka.


 


Vendimi


Legalizimet, bonot shtyhen deri më 2014-n


Procesi i legalizimeve ka shumë gjasa që do të vijojë edhe për dy vjet të tjera. Kuvendi miratoi dje përmes Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financave përdorimin e bonove (letrat me vlerë), deri në vitin 2014-n. Ky afat është rishikuar katër herë, ndërsa i fundit skadonte në qershor 2013. Ky vendim vjen pas konsensusit në qeveri për të përfshirë në procesin e legalizimeve edhe objektet pa leje të ndërtuara pas vitit 2006, sikurse e kushtëzonte ligji, apo dhe fotografitë e realizuara në ato kohë nga ajri. Në skemë pritet të futen edhe 80 mijë ndërtime pa leje, pjesë e këtij procesi shtesë, ndërsa sugjerimi ka ardhur nga Banka Botërore, e cila kohët e fundit ka ngjallur reagime nga shoqatat e ish-pronarëve.