Turizëm


Kroçiera gjigante arrin në Sarandë


Silversea-CruiseDje në Sarandë u ankorua kroçiera “Silversea Cruise”. Gjiganti turistik amerikan ka zbarkuar 285 turistë, të cilët kanë vizituar Butrintin dhe Gjirokastrën. Pas përfundimit të ndërtimit të kalatës së re të kroçierave, anija e tonazhit të rëndë me një gjatësi rreth 150 m, me nëntë kate, u ankorua pa vështirësi në kalatën e re. Të vlerësuar si grup turistësh elitarë amerikanë, u sollën në Sarandë përmes një agjencie turistike. Ata erdhën nga Katanja, Itali dhe pas qëndrimit për shtatë orë në qytetin e Sarandës, destinacioni i tyre është Koto në Kroaci. Tashmë anije të tonazhit të rëndë mund të hyjnë në Portin e Sarandës, sepse më parë qëndronin larg bregut.


 


Karburantet


Rënia e ekonomisë kineze rrëzon çmimin e naftës në botë


Bie çmimi i naftës në bursa, por jo në Shqipëri


Zamir Alushi


karburant2Nafta në tregun botëror ra në nivelin e ulët të dy viteve të fundit. Nafta bruto amerikane ra dje me rreth 1.1% në 91.2 dollarë për fuçi dhe tregtohet pranë nivelit më të ulët në 16 muajt e fundit, sipas agjencisë “Reuters”. Arsyet janë ngadalësimi i ekonomisë kineze, por edhe prodhimi i lartë global, që është më i madh se kërkesa. Kështu, nafta Brent e Londrës ka thelluar humbjet në sesionin e djeshëm dhe po tregtohet në nivelin më të ulët në 2 vitet e fundit, për shkak të të dhënave të dobëta mbi ekonominë kineze, që është konsumatori më i madh në botë i energjisë. Analistët paralajmërojnë për një situatë të vështirë në Kinë, pasi prodhimi në fabrika u rrit me hapin më të ngadaltë në 6 vitet e fundit. Nafta Brent e Londrës ra me 0.6% në 96.5 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga korriku i vitit 2012.


Tregu vendas


Në pikat e tregtimit të karburantit në Tiranë, 1 litër naftë u shit dje mesatarisht nga 188-189 lekë, ndërsa 1 litër benzinë 188-199 lekë. Pra, janë të njëjtat çmime prej disa vitesh (me luhatje të vogla). Rritja e tarifave të akcizës në janar 2014 dhe mungesa e konkurrencës ka stabilizuar në një nivel të lartë këto çmime, ndërsa dy kompanitë më të mëdha të tregtimit të karburanteve kundërshtojnë hetimin e Autoritetit të Konkurrencës (AK) në këtë treg. “Struktura e tregut të karburanteve në Shqipëri është e formës oligopolistike, ku një numër i vogël ndërmarrjesh rezultojnë të importojnë dhe tregtojnë karburant në territorin shqiptar”, ky është konkluzionin paraprak i hetimit të AK-së. Gjatë periudhës së vëzhguar janar 2010-janar 2014, sipas AK-së, rezulton se ndërmarrjet që dominojnë tregun me shumicë të karburanteve, aplikojnë çmime të njëjta ose me diferencë shumë të vogël nga njëra-tjetra, duke ndjekur të njëjtën trajektore të ritmit të uljes e rritjes së çmimeve dhe duke ndjekur ngushtësisht njëra-tjetrën.


Çmimet e bursave nuk reflektohen


Gjithashtu, sipas AK-së, ndërmarrjet nuk reflektojnë çmimet e blerjes në bursa, në rastin kur këto të fundit pësojnë rënie të ndjeshme duke i transferuar fitimet në llogaritë e tyre, kur në kushte konkurrenciale këto ulje çmimi duhet të transferoheshin në përfitime të konsumatorëve.


 


Hetimi


Autoriteti i Konkurrencës: Kemi çmimet më të larta në Ballkan


Krahasimi – Shqipëria ka një çmim të shitjes së naftës më të lartë se Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Sllovenia


Analiza e AK-së për zbatimin e çmimit të padrejtë të shitjes përfshin krahasimin e çmimeve të tregtimit për periudhën hetimore, analiza e kostove dhe fitimeve të ndërmarrjeve, çmimet rajonale të naftës e benzinës, si edhe marzhi bruto i fitimeve, ku rezulton se Shqipëria ka nivelet më të larta, përbëjnë shenja të kufizimit të konkurrencës. Sipas AK-së, janë vendosur çmime të padrejta të shitjes krahasuar me: Koston sipas zinxhirit të vlerës; nivelin rajonal të çmimeve. Sa i përket benchmarkut rajonal, sipas të dhënave të publikuara nga ana e Bankës Botërore, rezulton se, Shqipëria ka një çmim mesatar të shitjes së karburanteve më të lartë se Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Sllovenia dhe Bosnjë-Hercegovina. Strategjia për të mbajtur çmime të padrejta me pakicë dhe aplikimi i një sjelljeje të përbashkët nga ndërmarrjet dominuese në këtë treg, bazohet në faktin se këto janë të vetmet që kanë pasur një akses periodik mbi burimet e furnizimit (importet) dhe integrimi i këtyre ndërmarrjeve deri në nivelin e shitjes me pakicë bën që kontrolli të jetë në kohë reale.


 


Takimi


Britania do të ndihmojë Shqipërinë në uljen e korrupsionit


Britania do të vijojë asistencën në fushat e forcimit të ligjit dhe uljes së korrupsionit. Këtë e konfirmoi dje Owen Jenkins, drejtor i Drejtorisë për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin e BE-së në Ministrinë e Punëve të Jashtme Britanike. Jenkins zhvilloi një takim me drejtoren e përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali, në prani të ambasadorit të Britanisë së Madhe, Nicholas Cannon, si edhe të përfaqësuesve të stafit doganor të “Crown Agents” në Shqipëri. Të pranishmit diskutuan mbi veprimtarinë e programit të asistencës së “Crown Agents” në vend. Jenkins më pas inspektoi një nga grupet operative të “Crown Agents” dhe u prezantua me të gjithë anëtarët e grupit, përfshirë punonjësit e doganave shqiptare të emëruar me punë pranë këtyre grupeve operative. Këta të fundit shpjeguan mënyrën e funksionimit të grupeve operative në të gjithë vendin dhe punën që po bëhet për të rritur nivelin e mbledhjes së të ardhurave dhe për të përmirësuar kapacitetet e tyre operative. Nga ana e saj, Spiropali vlerësoi përpjekjet që po bëhen, jo vetëm për sa i përket mbledhjes së të ardhurave, por edhe për sa i përket marrjes së masave për shmangien e korrupsionit, duke theksuar nevojën që këto ndryshime që po ndodhin të jenë të qëndrueshme. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e përmirësimit të kontrolleve mbi mallrat me akcizë dhe ndihmën që “Crown Agents” po ofron në këtë fushë. Drejtori i programit të “Crown Agents”, David Smith, falënderoi diplomatin Jenkins për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë britanike dhe të ambasadës në Tiranë për t’i asistuar doganat shqiptare në rritjen e nivelit të mbledhjes së të ardhurave dhe për përmirësimin e kapaciteteve operative.