KLSH dërgon dosjen e ish-kryebashkiakut të Himarës në Prokurori. 1 milion euro dëm


Sipas raportit, Bollano ka injoruar vazhdimisht rekomandimet e KLSH-së për zbatimin rigoroz të ligjeve


Ish-kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, do të përballet me drejtësinë, për shkak të shkeljes së ligjit me lejet e ndërtimit, duke i shkaktuar arkës së shtetit dhe të njësisë lokale një dëm prej afro 1 milion eurosh (130 milionë lekë).


Pas hetimeve të kryera nga strukturat e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), në bazë të urdhrit të lëshuar nga kryetari Bujar Leskaj në qershor 2012, janë zbuluar shkelje ligjore me pasoja të rënda, duke prekur nenet e Kodit Penal. Probleme të shumta janë konstatuar me lejet, tenderët dhe arkëtimin e taksave. Sikur të mos mjaftonin këto, ish-kryetari i bashkisë ka injoruar rekomandimet e KLSH-së, edhe pse kjo e fundit në mënyrë të përsëritur i ka tërhequr vëmendjen.


Nga auditimi i zhvilluar rezultoi se për 22 raste, lejet e ndërtimit janë shqyrtuar dhe miratuar mbas 6 muajve nga vendimi për miratimin e lejes së sheshit të ndërtimit, veprim ky në kundërshtim me nenin 46 të ligjit nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën”. Gjithashtu, sipas KLSH-së, për 59 raste janë pranuar kërkesa për miratim të lejes së sheshit dhe lejes së ndërtimit pa titull pronësie nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, por vetëm mbi bazën e formularit 6, aktit të marrjes së tokës në pronësi apo vendimit të gjykatës për njohje të faktit juridik të pronësisë në emër të kërkuesve.


“Nga Drejtoria e Urbanistikës e Bashkisë janë zbardhur leje ndërtimi pa u bërë më parë arkëtimi i tarifës së taksës së ndikimit në infrastrukturë në afatin brenda 30 ditëve të punës, për 47 raste me vlerë prej 5 332 306 lekësh dhe 1 rast me vlerë prej 1 190 134 lekësh”, bën të ditur Kontrolli i Lartë i Shtetit, në njoftimin e shpërndarë dje për mediat.


Sipas institucionit të lartë kushtetues për kontrollin e buxhetit dhe zbatimit të ligjeve, ish-kryetari i Bashkisë Himarë, Vasil Bollano, për periudhën që ka drejtuar, 2008 deri më 30.06.2011, nuk ka menaxhuar, ka lejuar shkelje, nuk ka llogaritur dhe nuk ka vepruar për arkëtimin e detyrimeve në tatim-taksat për periudhën objekt auditimi në shumën totale 87 783 240 lekë, si taksë nga ndërtesat, taksë për tokën, taksë hoteli dhe taksë për zënie hapësire publike.


Gjithashtu, sipas raportit, Bollano nuk ka zbatuar dhe ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme në refuzimin e paargumentuar të rekomandimeve të kontrollit të KLSH-së, të dërguara me shkresën nr. 187/4 datë 26.03.2008, shkresën nr. 372/6, datë 29.3.2010, dhe të rikërkuara me shkresën nr. 372/17, datë 22.10.2010, duke mos i dërguar Agjencisë së Prokurimit Publik rekomandimet e iniciuara nga KLSH-ja, gjë që ka sjellë si pasojë mosarkëtimin dhe moskërkimin në rrugë ligjore të dëmit të shkaktuar buxhetit të shtetit nga keqmenaxhimi i njësisë vendore, me vlerën 22 235 224 lekë.


Si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të mësipërme penale dhe shkeljeve të tjera të legjislacionit në fuqi, KLSH-ja ka konstatuar një dëm ekonomik në vlerën 40 753 136 lekë dhe të ardhura të munguara nga mosarkëtimi i taksave lokale në vlerën 87 783 240 lekë (pra rreth 130 milionë lekë të reja).


Kontrolli i Lartë i Shtetit ka çuar në Prokurorinë e Rrethit Vlorë për kallëzim penal ish-kryetarin e Bashkisë Himarë, ish- drejtorin e Urbanistikës në Bashki N.C., si dhe nëpunës të tjerë të saj, me akuzën e shpërdorimit të detyrës në fushën e urbanistikës dhe administrimit të pasurisë së bashkisë dhe shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tenderë, si dhe moszbatim të procedurave ligjore në dhënien e pronës së bashkisë me qira, të parashikuara nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal.