Komisioni i Integrimit: Ka hapësirë për abuzime
Kritikat
Braçe – “Ky profesion ka brenda tij informalitetin në radhë të parë dhe mashtrimin në radhë të dytë, por mashtrimin masiv”
Paqartësia – Komisioni i Integrimit: Njësitë ekonomike me interes publik duhet të përcaktohen saktë, sepse krijon hapësirë për abuzime
Emërimi – Emërimi i audituesve nga ministri, sipas komisionit, cenon pavarësinë institucionale të Bordit të Mbikëqyrjes
Zamir Alushi
A është i standardeve të Bashkimit Europian projektligji i propozuar nga qeveria për audituesit dhe kontabilistët? Dy komisione të Kuvendit shprehen negativisht. Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave dje janë bëra kritika në adresë të Ministrisë së Financave për këtë draft. “Në qoftë se ti thua që ky është standard ndërkombëtar…Nuk jemi për të qeshur, sepse kemi bërë 4 javë debat për këto gjëra dhe mezi po arrijmë deri këtu, sepse po e ndryshojmë 80% të ligjit këtu në sallë apo jo?”, debatoi deputeti i PS-së, Anastas Angjeli, me zëvendësministren e Financave, Irena Beqiraj. Duke diskutuar nen për nen, deputetët kanë shprehur pakënaqësi për formulimin e pikës për stazhin e audituesve. Sipas draftit, para provimit përfundimtar, kandidati për auditues ligjor duhet të ketë kryer praktikën profesionale, në kushtet e punësimit me kohë të plotë, për, të paktën, tre vjet në auditimin e pasqyrave financiare vjetore pranë një audituesi ligjor ose shoqërie auditimi. “Në momentin që futen në stazh ata të kenë të drejtën të japin provime profesionale, nëse kanë kaluar bazën teorike”, shpjegoi Beqiraj. “Kujt standardi të Bashkimit Europian i referohesh? Ma jep me direktivë dhe me numër. Kur të zbardhim ligjin ma sill”, replikoi Angjeli. Ndërsa kryetari i komisionit, Erjon Braçe, në ndërhyrjen e tij tha: “Tani Anglinë mos e merrni më shembull, se unë nuk e di se kur daton rasti i fundit i mashtrimit financiar në Britani. Keni një vend ku i gjithë ky profesion ka brenda tij informalitetin në radhë të parë dhe mashtrimin në radhë të dytë, por mashtrimin masiv”. Ndërkaq, Komisioni i Integrimit Europian, megjithëse e ka miratuar draftin, ka paraqitur zyrtarisht disa vërejtje. Komisioni ngreh shqetësimin se ky projektligj nuk sqaron qartësisht se cilat janë njësitë ekonomike me interes publik. Këto njësi duhet të përcaktohen në mënyrë të saktë, sepse do të krijojë hapësirë për abuzime në vlerësimin e kësaj kategorie. Komisioni përgjegjës të marrë në konsideratë këtë reflektim të të gjithë Komisionit të Integrimit Europian, shkruhet në raportin e firmosur nga kryetarja Majlinda Bregu. Sipas draftit, “Njësi ekonomike me interes publik” janë: a) të gjitha njësitë ekonomike të listuara në bursë; b) bankat dhe degët e bankave të huaja, si dhe subjektet e tjera financiare jobanka, të licencuara nga Banka e Shqipërisë; c) shoqëritë e sigurimit dhe të risigurimit, shoqëritë administruese të fondeve të investimeve kolektive, shoqëritë administruese të fondeve të pensionit vullnetar; ç) shoqëritë e tjera shtetërore ose private, të cilat janë të rëndësishme për interesin e publikut, për shkak të natyrës së biznesit, madhësisë ose numrit të punëmarrësve të tyre, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave”. Këto shoqëri kanë detyrimin të auditohen pranë shoqërive të njohura ndërkombëtarisht. Komisioni i Integrimit ngreh gjithashtu shqetësimin në rregullimin e raportit e kompetencave midis Bordit të Mbikëqyrjes Publike dhe Organizatës profesionale të audituesve ligjorë ku në këtë projektligj nuk janë të saktë. Emërimi i audituesve nga ministri, sipas komisionit, cenon pavarësinë institucionale të Bordit të Mbikëqyrjes. Duke vlerësuar përfarimin me Direktivën e BE-së, Komisioni i Integrimit shprehet se ky draft ka përputhje në nivel të pjesshëm.