Largimi


Pas disa tentativave, më në fund këshilli mbikëqyrës i KESH-it ka aprovuar kërkesën e dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm të korporatës, Engjëll Zeqo. Kjo lëvizje vjen në kuadër të largimit të LSI-së nga koalicioni qeverisës i demokratëve, për t’u bashkuar me PS-në. Zeqo e mbajti tre vjet postin e kreut të KESH-it dhe se ai do të zëvendësohet nga Halit Velaj, eksponent i PD-së, i cili ka mbajtur dikur postin e Ndërmarrjes së Shpëtim-Minierave. Zeqo e ka menaxhuar KESH-in në ditët më të vështira sa u takon thatësirave dhe rrezikut të rezervës hidrike, konflikteve me CEZ-in dhe problemeve me TEC-in e Vlorës. Pak ditë më parë edhe kreu i AKBN-së është larguar nga detyra. Sakaq, ditën e djeshme kanë lënë postin dy zyrtarë të tjerë, nënprefekti i Gramshit, Shkëlqim Hoxha dhe drejtori i spitalit të Korçës, Artan Buzo, që tëdy këta të LSI. Ajo çfarë mbetet e paqartë ka të bëjë me faktin nëse zyrtarët e LSI-së po shkarkohen apo dorëhiqen. Marrëveshja bashkëqeverisëse mes LSI-së dhe PD-së raportohej se përfshinte detyrimin e qeverisë, për të ndarë 20 për qind të posteve të punës në sektorin publik për aleatin e vogël, një masë krejtësisht e paligjshme kjo, por që në Shqipëri konsiderohet normale. Gjatë ditëve të fundit kanë dhënë dorëheqjen edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili, apo zyrtarë të tjerë të lartë të njohur njëkohësisht si funksionarë të LSI-së.