U falen penalitetet, nëse e paguajnë taksën brenda qershorit. Ulet me 50% tatimi vjetor


Nga amnistia e dy viteve të fundit, për makinat, qeveria fali rreth 4.8 miliardë lekë taksa


ARD KOLA


Bode & OlldashiQeveria ka menduar të shpërblejë kategorinë e individëve që nuk i kanë paguar taksat vjetore të mjeteve të transportit rrugor. Sipas variantit të ligjit, kush nuk e shlyen taksën duhet të paguajë 5 për qind të vlerës së detyrimit, pasi konstatohet se është me 10 ditë vonesë. Por me ndryshimet e fundit, qeveria u jep mundësi të mos i paguajnë penalitetet, madje ia ul detyrimin vjetor me 50 për qind.


Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi dje me propozim të vetë mazhorancës amnistinë e penaliteteve të mjeteve të transportit rrugor. Kjo masë e re u shtua në kuadër të variantit të ri të projektligjit “Për taksat kombëtare”, sipas të cilit, ulet me 50 për qind detyrimi vjetor i mjeteve që paguhen te kolaudimi.


“Të gjithë ata individë që nuk e kanë paguar ende taksën e mjeteve të përdorura, në momentin kur ligji ka hyrë në fuqi, për ta do të mund të aplikohet taksa e re, formula e re, pra gjysma e asaj çfarë kanë paguar deri më sot”, deklaroi zv/ministri i Financave, Alfred Rrushaj. Varianti i qeverisë i jepte mundësi ta paguanin taksën me gjysmë çmimi vetëm atyre që nuk i kishin shlyer detyrimet e 2013-s, por me propozim të deputetit të PD-së, Sherefedin Shehu, falen edhe penalitetet. “Propozoj që të shtohet një fjali. Në rast se pagesa bëhet brenda datës 30 qershor 2013, ata përjashtohen edhe nga penalitetet për vonesë në pagesë”, tha Shehu.


Efekti në buxhet nga përgjysmimi i taksës llogaritet në rreth 2.5 miliardë lekë, kurse opozita konstaton me shqetësim variantin e faljes së penaliteteve. “Ne atëherë kemi qenë kundër dhe ju kemi thënë se po ndikoni drejtpërdrejt në buxhetet e ekonomive familjare. Me përllogaritjet e tre viteve, ju i keni marrë 7.5 miliardë lekë të reja familjeve shqiptare dhe vini dhe rrihni duart dhe bëni sikur këtë taksë e kemi vendosur ne dhe jo ju”, tha deputeti socialist, Erjon Brace. Opozita votoi pro ligjit në parim, por kundërshtoi nenin që amniston evazorët, që sipas Braçes, falja është e pamoralshme.


Tjetër shqetësim i opozitës lidhet me efektet në buxhet dhe me faktin se ndryshimet e shpeshta në paketat fiskale duhet të shoqëroheshin edhe me ndryshimet e deficitit buxhetor. Për këtë çështje, kryetari i komisionit, demokrati Edmond Spaho u përgjigj se rishikimi i buxhetit do të realizohet në muajin korrik. Sipas Rushaj, ulja me 50 për qind e taksës stimulon ekonomitë e familjeve dhe se në javët në vazhdim qeveria do të sjellë të tjera projektvendime të këtij karakteri.


Dy vjet më parë, qeveria ndërmori një amnisti për makinat, duke falur 8 mijë mjete transporti, me një vlerë të përgjithshme 4.8 miliardë lekë.


Ndryshimi parashikon përgjysmimin e taksës fikse për karburantin, nga 25 në 12.5 për naftën dhe nga 20 në 10 për benzinën. Formula e llogaritjes së taksës vjetore shumëzon cilindratën e motorit të makinës me koeficientin e vjetërsisë dhe me taksën fikse për llojin e karburantit, ndërsa ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi në muajin maj.


 


Formula me ndryshimet


Taksa vjetore e mjeteve të transportit llogaritet duke shumëzuar cilindratën e motorit, me vjetërsinë e mjetit (tabela me koeficientët) dhe me llojin e karburantit. Pikërisht, kjo e fundit ka ndryshuar, pra taksa e karburantit, që për naftën bëhet 12.5 lekë nga 25, dhe për benzinën në 10 lekë, nga 20 lekë që ishte.


 


Shpenzuam 300 mln euro


Sipas vlerësimeve të kryera nga “Monitor.al”, mendohet se për vitin 2012, janë shpenzuar për blerje makinash rreth 30 milionë euro. Gjatë vitit 2011, 77% e makinave të targuara për herë të parë kishin një vit prodhimi maksimumi deri në vitin 2002. Edhe për 11-mujorin 2012, 80% e mjeteve kishin vit prodhimi maksimumi deri në 2002


 


 


Shifrat


Bum importi makinash të vjetra, 143% rritje 


Në vitin 2012 rezultojnë të jenë importuar në total 52,179 makina, me një rritje prej 143% me bazë vjetore, nga të cilat, vetëm rreth 1800 ishin të reja, ndërsa të tjerat të përdorura, sipas të dhënave nga Doganat. Në total janë regjistruar për herë të parë rreth 47 mijë mjete, sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTR), nga të cilat, më shumë se 45 mijë ishin të përdorura.


Të dhënat tregojnë se, gati 80% e automjeteve të regjistruara për herë të parë në 2012-n kanë vit prodhimi deri në 2002, pra një minimumi 11 vjet të vjetra, duke pasur një kosto më të lartë mirëmbajtjeje të shtrirë në kohë për zotëruesin e mjetit. Për më tepër, nëse Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian, ku tashmë vendi është në gjysmë të rrugës, makinat me normativë EURO 3 e poshtë do të dalin automatikisht jashtë funksionit, duke e bërë të pavlefshëm këtë shpenzim, që në pamje të parë ishte më i lirë, shprehen ekspertët.


Operatorët e tregut pohojnë se 70% e makinave që qarkullojnë në Shqipëri janë të nivelit të Emetimeve të Dioksidit të Karbonit (CO2) EURO 2, ndërkohë që në vendet e Bashkimit Europian, automjete të tilla janë hequr fare nga qarkullimi.