Tatimet do të konfiskojnë xhiron ditore të biznesit
Procesi i konfiskimit dhe i nxjerrjes në ankand të mallrave të tatimpaguesve që kapen me shkelje ka kosto dhe nuk i shërben qëllimit, mbledhjes së detyrimeve ndaj shtetit. Prandaj, qeveria propozon një proces të shpejtë njëditor të konfiskimit, ndërsa sekuestrimi dhe dërgimi i sendeve në depot e Rezervave të Shtetit të jetë gjithnjë një plan i dytë. Në dy javët e para të operacionit në mbarë vendin janë bërë me qindra konfiskime të mallrave, të cilat kanë shkaktuar reagime dhe habi sidomos tek ambulantët dhe biznesi i vogël. Mallrat e konfiskuara janë kryesisht furnizime shumë kohë para operacionit, të marra pa fatura të sakta tatimore. Sidomos, tregtarët nuk kanë fatura për ushqime e pije të prodhuara nga ekonomitë familjare (bulmet, reçel, turshi, raki, etj.) si dhe mallra jo ushqimorë të cilat tregtarët pretendojnë se kanë vite që i kanë në dyqanet e tyre.
Propozimi
Projektligji për procedurën tatimore sjell disa risi lidhur me konfiskimin e mallrave për shkeljet e parashikuara. Së pari, synohet të shitet malli i konfiskuar me çmimin e tregut brenda ditës dhe së dyti, në të do të futet praktika e konfiskimit të xhiros ditore të aktivitetit, në vend të mallit në natyrë. Sipas projektligjit, në funksion të mbledhjes së detyrimit tatimor të papaguar të subjektit, administrata tatimore mund të angazhojë strukturat e saj për të verifikuar dhe për të monitoruar në vend aktivitetin tregtar të tatimpaguesit me qëllim konfiskimin në fund të çdo dite të një shume jo më pak se 50% të qarkullimit të realizuar, por jo më shumë se detyrimi tatimor për të cilin ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore të pashlyera të tatimpaguesit. Pagesa e shumës së qarkullimit të sekuestruar kalohet në llogarinë bankare të administratës tatimore ditën e nesërme. Tatimpaguesi, për të cilin administrata tatimore ka filluar mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore të papaguara, sipas draftit të propozuar nga qeveria, nuk mund të kryejë transferim të shumave të parave nga llogaria e tij apo të shesë, ose të transferojë aktivet ose kapitalet e shoqërisë, me përjashtim të rasteve kur, nëpërmjet shitjes së aktiveve, synohet shlyerja në masën 100% e detyrimit tatimor të papaguar.
Sekuestrimi, konfiskimi dhe shitja
Të gjitha mallrat e gjetura pa faturë gjatë shitjes apo transportimit konfiskohen nga Tatimet. Po ashtu, ky sanksion vendoset edhe për shkelje të tjera si aktiviteti i paregjistruara ose moslëshim i faturës së TVSH, kuponit, faturës nga subjektet e shumicës. Sipas ligjit në fuqi, nëse subjekti nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar, administrata tatimore mund ta mbledhë detyrimin nëpërmjet sekuestrimit, e më pas konfiskimit. Administrata tatimore mund ta sekuestrojë pasurinë sipas detyrimit vetëm pas vendosjes së masës së sigurisë mbi pasurinë, 30 ditë pas datës së urdhrit. Nëse administrata tatimore vëren se mbledhja e tatimit është në rrezik, mund të dërgojë njoftim dhe kërkesë për pagesën e menjëhershme të këtij tatimi dhe nëse detyrimi tatimor nuk paguhet plotësisht, mund të bëhet sekuestrimi, pavarësisht nga afati 30-ditor. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall. Nëse me kalimin e 15 ditëve nga sekuestrimi i pasurisë, tatimpaguesi nuk shlyen të plotë detyrimin tatimor të prapambetur, pasuria konfiskohet nga administrata tatimore dhe shitet në ankand publik. Të ardhurat nga shitjet përdoren fillimisht për të paguar shpenzimet e shitjes (kostot administrative) dhe më pas shlyhen detyrimet, gjobat, kamatëvonesat. Shuma e mbetur i kthehet tatimpaguesit brenda pesë ditëve nga data e përfundimit të ankandit. Bizneset mund të shfrytëzojnë të drejtën për ankim që iu jep ligji për kundërvajtjet administrative. Sipas këtij ligji, sendet dhe të hollat e sekuestruara konfiskohen pas kalimit të afatit të ankimit ndaj aktit administrativ (sekuestrimi), ose pasi vendimi i gjykatës për lënien në fuqi të aktit administrativ të ketë marrë formë të prerë.
Z.A.
Përjashtimi
Ja çfarë nuk mund të konfiskohet
-Veshjet, shtresat, mbulesat, mobiliet për aq sa ato janë të nevojshme për jetesën
-Ushqimet dhe lëndët djegëse që i nevojiten debitorit dhe familjes së tij për tre muaj
-Letra, shkresa të familjes dhe librat profesionalë
-Librat, veglat muzikore, mjetet e artit që nevojiten për veprimtarinë shkencore
-Deri 3 dynymë tokë, 2 kafshë për punimin e tokës, 1 lopë, 6 dele ose 6 dhi, fara për mbjelljet e ardhshme, si dhe ushqimi i këtyre kafshëve për 3 muaj për personat që jetojnë me punë bujqësore ose blegtorale
-Ndihma që u jepet nënave me shumë fëmijë ose të vetme, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit ose familjare.
-Nuk mund të sekuestrohet më shumë se gjysma e shumës së pensionit
-Nuk mund të konfiskohen frutat natyrore një muaj para se ato të piqen.