Pas 31 dhjetorit, tre sanksione. Udhëzimi: Për 100 tonë sheqer pa faturë, 5.2 miliardë lekë gjobë
Zbardhet udhëzimi i ministrit të Financave për procedurat e vetëdeklarimit të mallrave pa faturë dhe sanksionet për shkeljet. Dokumenti i cili akoma nuk është botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton edhe mënyrën e përllogaritjes së detyrimit tatimor të subjekteve që gjenden me shkelje duke sjellë shembuj konkretë.
Tri ndëshkimet
Gjoba 100 milionëshe për tregtarët e shumicës që do gjenden me mallra pa faturë nëpër magazina është një sanksion i vogël në krahasim me masa të tjera që do të zbatohen nga Tatimet. Mënyra e sekuestrimit të mallit dhe rivlerësimit tatimor janë pjesa kryesore e sanksioneve që parashikojnë ndryshimet e fundit. Udhëzimi i Ministrisë së Financave “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 24 datë 02.09.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”, përcakton me hollësi rastet e vendosjes së gjobave dhe penaliteteve. Sipas ligjit që hyri në fuqi në 12 nëntor 2015, tatimpaguesi që shet mallra me shumicë, që mban në ruajtje, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimore, dënohet me gjobë në masën 10 milionë lekë, konfiskim të të gjithë sasisë së mallit, si dhe rivlerësim tatimor të të ardhurave për një periudhë 6-mujore. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall. Kur konstatohet përsëritje e shkeljes konsiderohet evazion tatimor dhe bëhet kallëzim penal për tatimpaguesin.
Shembull 1
Në rast se tatimpaguesi, me vullnetin e tij të lirë, zgjedh të bëjë vetëdeklarimin e sasisë 100 tonë sheqer, të cilën e ka në ruajtje pa dokument tatimor, procedura që duhet të zbatojë është si më poshtë vijon: Tatimpaguesi ka zgjedhur të bëjë vetëdeklarimin e mallit që e ka pa faturë në datën 20 nëntor 2015. Për këtë arsye, tatimpaguesi përdor faturën e përgatitur nga blerësi, përcaktuar sipas nenit 53 të ligjit për procedurat tatimore. Tatimpaguesi është i detyruar që të shënojë në faturën e përgatitur për veten e tij edhe numrin e tij të identifikimit. Kjo faturë paraqitet pranë administratës tatimore për efekt të vetëdeklarimit të mallrave gjendje, por kjo faturë nuk është dokument që justifikon shpenzimet e zbritshme te tatimpaguesit për efekt të llogaritjes së tatimit mbi fitimin.
Afati i fundit
Ligjvënësi ka lënë një afat për vetëdeklarim të mallit pa faturë. Përjashtimit, për të gjithë tatimpaguesit, të cilët me vullnetin e tyre bëjnë vetëdeklarimin e mallit që kanë gjendje pa dokumente tatimore, me anë të një fature të përgatitur nga blerësi, brenda datës 31.12.2015, nuk do të zbatohen penalitetet. Procedurat e vetëdeklarimit të mallrave gjendje nga tatimpaguesi përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave. Tatimpaguesit nuk përfitojnë nga kjo dispozitë, nëse shkelja, është konstatuar paraprakisht nga administrata tatimore.
Cilët përjashtohen
Sipas udhëzimit, tatimpagues që shet me shumicë është çdo person i tatueshëm, i cili kryen veprimtari tregtare të furnizimit të mallit me shumicë, pavarësisht nga fakti nëse është person i tatueshëm, subjekt i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar e të tatimit mbi fitimin apo, persona të tatueshëm, tatimpagues i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël. Kjo dispozitë nuk zbatohet për tatimpagues (prodhues, importues) që tregtojnë me shumicë për tatimpagues të tjerë të regjistruar, por njëkohësisht kanë si pjesë të biznesit të tyre edhe njësitë e tregtimit me pakicë për publikun (rrjet dyqanesh) të pajisura me NIPT-e sekondare dhe pajisje fiskale. Automjete e pajisur me NIPT-e sekondare, të cilat përdoren për shitjet me shumicë “derë më derë”, nuk konsiderohen njësi të tregtimit me shumicë.
Shembull 2
Në datën 5 dhjetor 2015, një tatimpagues X është duke u kontrolluar nga administrata tatimore, e cila konstaton se ky subjekt ka në magazinën e tij 100 tonë sheqer të pajustifikuar me dokumentin e faturës me TVSH. të blerjes së këtij malli. Në këtë rast, tatimpaguesi X ngarkohet me këto penalitete: 1. Gjobë në masën 10 000 000 lekë për konstatimin; 2. Konfiskim i gjithë sasisë së sheqerit. Me kërkesë të tatimpaguesit, masa e konfiskimit zëvendësohet me pagesën e menjëhershme të një gjobe, të barabartë me vlerën e tregut për të njëjtin mall. 3. Rivlerësim i të ardhurave tatimore të 6 muajve të mëparshëm, me shumën 100 tonë sheqer x çmimi i shitjes me pakicë të sheqerit, pa TVSH, prej 100 tonë x 80 lekë/kg = 8 000 000 lekë. Të ardhurat e 6 muajve të mëparshëm nga data 5 qershor -5 dhjetor 2015 rivlerësohen me 8,000,000 lek për çdo ditë. Në total të ardhurat që rivlerësohen janë: 8,000,000 lekë herë 184 ditë= 14 720 000,000 lekë për 6 muaj. Mbi shumën 14,720,000,000 lekë zbatohet TVSH në masën 20%, dhe detyrimi për TVSH është i barabartë me 2 944 000 000 lekë, si dhe 100% e detyrimit të TVSH prej 2 944 000 000 lekë. Mbi shumën 14 720 000 000 lekë zbatohet tatimi mbi fitimin prej 15%, që është i barabartë me 2 208 000 000 lekë. Pra, në total detyrimi plus sanksionet që duhen paguar shkon në 5.2 miliardë lekë.
Ndëshkimet
Operacioni kundër informalitetit, vendosen 7800 gjoba
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nga 1 shtatori që nisi operacioni në terren deri në mes të muajit nëntor janë vendosur 7800 gjoba, 70% e të cilave ose 5460 janë apeluar nga biznesi. Numri i gjobave të vendosura në këtë periudhë 3-mujore është i njëjtë me atë të vendosur nga tatimet nga janari deri në gusht 2015. Gjobat e vendosura kanë motivacione për “mospajisje me kasë fiskale”, “moslëshim të kuponit tatimor”, “mosdeklarimin e punonjësve”, “mosmbajtjen e librave të blerjeve dhe shitjeve”, si dhe “mungesa në dokumentacion”. Në bazë të ligjit “Për procedurat tatimore”, biznesi dorëzon kërkesën për apelim të gjobës në drejtorinë e apelimit në tatime. Drejtoria e Apelimit duhet të kthejë një përgjigje brenda 60 ditësh. Nëse tatimpaguesi sërish nuk bie dakord me vendimin e Komisionit të Apelimit, ai mund t’i drejtohet Gjykatës Administrative. Një pjesë e gjobave për mosdeklarim të punonjësve nga subjektet, kanë të bëjnë me punësimin e familjarëve në bizneset e vogla. Qeveria ka ndërmarrë një nismë ligjore që i çliron bizneset e vogla nga ky detyrim.