Bllokohet autostrada
Banorët e Kukësit, protesta kundër CEZ
“Kur të dëmshpërblehemi për përmbytjet, atëherë do të paguajmë edhe energjinë elektrike”
Sulejman Dida
Situata hidroenergjetike në vend është nga më të vështirat e viteve të fundit, pasi niveli i ujit në liqenin e Fierzës, si prodhuesi më i madh i energjisë, po bie vazhdimisht dhe është shumë afër pikës kritike, ndërkohë që nuk dihet nëse do të ketë importim të energjisë. Nga ana tjetër, masat e CEZ për të ndërprerë furnizimin me rrymë për disa zona debitore po shoqërohen me protesta të dhunshme, çka tregon kolapsin total të krejt sistemit të furnizimit me energji dhe të relacionit me konsumatorët. Prej dy netësh, protestat e dhunshme kanë pushtuar Kukësin, ndërkohë që banorët kanë bllokuar për orë të tëra Rrugën e Kombit. Ashtu si dy net më parë, edhe mbrëmë, banorët bllokuan rrugën me gurë në dy krahët e saj, ndërsa policisë i është dashur shumë kohë të mbërrijë në vendngjarje për të zhbllokuar trafikun.
Protestat në Kukës
Fillimisht, disa banorë nga komunat e Kukësit kanë sulmuar nënstacionin e Kukësit dhe kanë tentuar të hyjnë brenda të rilidhin energjinë elektrike që prej ditësh mungon në banesat e tyre. Banorët pretendojnë se nuk kanë para për të shlyer debitet ndaj CEZ, sepse shumica janë në asistencë. Ata shtojnë se nuk janë dëmshpërblyer për dëmet nga përmbytjet e dimrit, ndërsa theksojnë se tokat bujqësore nuk kanë dhënë prodhim për të nxjerrë fitime. CEZ Shpërndarje thekson se nuk ka lidhje me këto probleme të banorëve, por kërkon shlyerjen e debiteve. Kjo ka bërë që banorët të mësyjnë nënstacionin elektrik, e për të shmangur ndonjë dëm njerëzor, CEZ ka ndërprerë dritat në masë për të gjithë Rrethin e Kukësit. I gjithë Rrethi i Kukësit ka qenë në “black out” pas orës 18:30. Menjëherë pas fikjes së dritave, banorët kanë dalë sërish në Rrugën e Kombit, duke hedhur gurë në të dy akset e saj, duke sjellë bllokimin e trafikut. Forca të shumta speciale janë nisur për në vendngjarje, por numri i personave që kanë “pushtuar” nënstacionin dhe rrugën, ka ardhur në rritje.
Borxhet e banorëve
Marrëdhëniet e shpërndarësit me konsumatorët kanë hyrë në një spirale mosmarrëveshjesh e dhune që dy net më parë. Qindra konsumatorë ekstremizuan protestën e tyre deri në bllokim të autostradës së kombit, që e mbajtën nën kontroll për disa orë. Ngjarjet e dhunshme dhe pushtimi i nënstacionit kanë ndodhur disa herë që nga muajt e verës, kur CEZ provoi t’u ndërpresë dritat në mënyrë kolektive zonave të Shtiqnit dhe Tërthores. Ashtu si mbrëmë, dy net më parë, për shkak të ndërhyrjes në mjediset e nënstacionit, i gjithë Rrethi i Kukësit ka mbetur në terr për më shumë se pesë orë. Protestuesit e fshatrave të Shtiqnit dhe Tërthores thanë se nuk pajtohen me ndëshkimet kolektive që aplikon CEZ, ndërsa mbrojnë idenë se shteti duhet të ndërmjetësojë që atyre t’u kompensohet toka e përmbytur nga hidrocentrali.
Policia
Në një situatë të paqartë dhe shumë të acaruar, si të premten, ashtu edhe mbrëmë, policia ka ruajtur, ose është përpjekur të ruajë qetësinë dhe paanshmërinë, duke parandaluar ekstremitetet e dhunës, por nga ana tjetër ka zbatuar ligjin për të gjitha kallëzimet penale, që ka depozituar CEZ. Burimet policore thanë se kanë mbërritur në vendin e ngjarjes rreth orës 19:30 dhe fillimisht kanë negociuar me kryetarin e komunës, me qëllim që të zhbllokojnë rrugën. Por, banorët janë shprehur të vendosur që do të mbajnë rrugën e bllokuar derisa të kthehet energjia elektrike. Ata nuk kanë pranuar asnjë kusht tjetër për të zhbllokuar rrugën, ndërkohë që aty kanë mbërritur edhe forcat speciale, të cilat deri në orët e vona të natës nuk kanë ndërhyrë, duke pritur për zgjidhjen e situatës. Në të gjithë këtë situatë CEZ ka reaguar duke u shprehur se “Së bashku me autoritetet përkatëse po bashkëpunohet për mbrojtjen dhe parandalimin e dëmitit të nënstacioneve, linjave dhe të aseteve të tjera elektrike, në mënyrë që të garantohet furnizimi normal me energji për klientët e rregullt”.
Kushti: Forcat speciale kanë negociuar me banorët, por deri në orët e vona, ata pranonin të lironin rrugën vetëm nëse kthehej energjia
Alarmi, Niveli i Fierzës, pranë kufirit kritik
Situata hidrike përshkruhet si tepër problematike për stinën për shkak të mungesës së gjatë të reshjeve. Periudha e gjatë pa reshje, stina e verës tepër e nxehtë dhe prodhimi i energjisë me kapacitet të plotë, kanë çuar në shterimin e basenin të madh të Fierzës mbi lumin Drin, duke kërcënuar me një tjetër krizë të energjisë, nga e cila do të jetë e vështirë të dilet. Prurjet në lumin Drin janë reduktuar në më pak se 45 m³/sek çka përbën një rekord të dy dekadave të fundit, pasi në stinën e vjeshtës shumë rrallë Drini ka rënë në këto nivele. Bëhet fjalë për Drinin e bashkuar, ku derdhen Drini i Zi, Drini i Bardhë dhe lumi Luma, ku në këtë stinë duhej të ishin mesatarisht rreth 100 m³/ujë në sek. Edhe kuota e liqenit të Fierzës është 254 metër mbi nivelin e detit, shumë afër pikës kritike, që është 243 metër mbi det. Nivelin alarmant të liqenit e paraqet edhe fakti se tashmë kanë dalë në sipërfaqe konturet e Kukësit të vjetër, që paralajmëron se në liqenin e Fierzës ka mbetur shumë pak ujë. Kjo gjë mbështetet me faktin tjetër se pas pak ditësh, hidrocentrali i Fierzës nuk do të mund të punojë më, pasi vetëm 1 turbinë, nga 4 që ka gjithsej, konsumon mesatarisht rreth 150 metër kub ujë në sekondë. Me prurjet e reduktuara në 1/3 e kapacitetit të një turbine merret me mend se hidrocentrali thjesht duhet të pushojë, për të pritur shirat e dimrit, ku edhe më pas duhet pritur mjaft kohë deri në krijimin e një rezerve të sigurt për prodhimin e energjisë. Specialistët tregojnë se një situatë e tillë ka ndodhur vetëm para më shumë se dy dekadave. Prurjet mesatare vjetore të Drinit llogariten në 380-480 m³/sek, ndërsa prurjet minimale në vite të ndryshme janë regjistruar 100 m³/sek. Prurjet maksimale prej 2000 m³/sek janë shënuar vetëm në rastin e përmbytjes së Nënshkodrës para tri viteve dhe mendohet se është një rekord që arrihet një herë në shekull.
Kriza
Banorët e qytetit bregdetar: Po përgatitemi për rikthimin e gjeneratorëve
Durrës, e gjithë java me ndërprerje energjie
Pasojat: “Askush nuk përgjigjet për pasojat e furnizimit problematik me energji, që sjell dëme në pajisje të ndryshme, ndërsa po të mos paguash, vijnë menjëherë e të ndërpresin dritat”
Muaji tetor ka nisur bashkë me problemet në furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve në Durrës. Përveç abonentëve debitorë, një pjesë e të cilëve, kompania CEZ Shpërndarje u ka ndërprerë krejtësisht furnizimin në fshatra, gjatë kësaj jave, pothuajse të gjithë konsumatorët e rregullt kanë pasur ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike, të cilat shkaktojnë mjaft probleme. “Ndërprerjet kanë nisur të bëhen të shpeshta, duke na dëmtuar pajisjet elektrike, përfshirë dhe kompjuterët e materialet e hedhura në to. Problemi është se po i rikthehemi periudhës së mëparshme, ndërkohë që nuk kemi më gjeneratorët. Kam frikë se po vjen koha e tyre prapë. Privatizimi i këtij shërbimi nuk po rezulton i suksesshëm. Nëse CEZ ka probleme me debitorët, gjobat apo tatimet siç po dëgjojmë, le të menaxhojë situatën me to dhe të mos na lërë pa drita ne, konsumatorët e rregullt”, shprehet Rolandi, një biznesmen durrsak. Ndërprerjet e herëpashershme të energjisë elektrike që në zona të ndryshme të Durrësit zgjasin nga disa minuta dhe në disa orë, gjatë javës së fundit, kanë cenuar edhe furnizimin me ujë të pijshëm dhe dëmtuar elektropompat, pa të cilat konsumatorët durrsakë nuk mund të sigurojnë ujë nga rrjeti i ujësjellësit. “Është pompa e dytë që ndryshojmë nga ecejaket e dritave dhe asnjë nuk mban përgjegjësi. Kontrata me CEZ-in është e njëanshme. Askush nuk përgjigjet për pasojat e furnizimit problematik, ndërsa po të mos paguash, vijnë menjëherë e të ndërpresin dritat. Po kështu ndodh kur nuk ke shtet dhe ku të gjesh të drejtën. Të ishe në ndonjë vend të Europës, CEZ do të përgjigjej deri më një për shërbimin e ndërprerë, cilësinë e energjisë me ato kolpot (goditjet) që na nxorën jashtë përdorimit pajisjet. Si në punë, ashtu dhe në shtëpi, e njëjta situatë. Ik e hajde”, ankohet një ekonomiste, banore e lagjes 5 të qytetit bregdetar. Ankesat e konsumatorëve bien në vesh të shurdhër, ndërsa CEZ Shpërndarje, për shkak të situatës financiare dhe mosimportimit të energjisë elektrike në kushtet e një vjeshte të thatë, premton një sezon të vështirë.
V. Qyrfyçi
Energjia
Protesta për dritat edhe në Lezhë, bllokohet superstrada
Ashtu siç kishin paralajmëruar më herët, banorët e komunës Kolsh në Lezhë kanë bllokuar aksin nacional Shkodër-Tiranë në shenjë proteste për mungesën e energjisë elektrike. Policia e Lezhës ka shkuar në vendngjarje për të shpërndarë turmën e banorëve të irrituar, ndërkohë që banorët kanë deklaruar se nuk lëvizin nga rruga, nëse nuk iu kthehet energjia elektrike. Rreth 600 familje të komunës Kolsh në Lezhë kanë bllokuar superstradën për rreth 30 minuta, duke protestuar para nënstacionit elektrik të Lezhës, për mosfurnizimin me energji elektrike të tyre, që prej dhjetë ditësh. Mosgjetja e një zgjidhje për rikthimin e energjisë elektrike banorëve të disa fshatrave në komunën e Kolshit, ka sjellë protestën e tyre të radhës. Dënimi kolektiv që u është bërë këtyre banorëve, edhe për ata që kanë paguar rregullisht faturat e energjisë elektrike, ka ngjallur indinjatë, ndërsa CEZ ka mbyllur zyrat e kujdesit të klientit në këtë qytet, duke mos u dhënë asnjë përgjigje protestuesve. Ndërprerja e energjisë elektrike është e përsëritur për fshatrat e komunës Kolsh, ndërkohë që banorët kanë kërkuar reagimin e menjëhershëm të kompanisë CEZ, pasi në rast të kundërt, nënstacioni elektrik do të bllokohet e për pasojë, do të lihet në errësirë i gjithë rrethi i Lezhës. A. Bushi