CEZ ShperndarjeKompania e Shpërndarjes


Komisioni “Balla” miraton planin e hetimit. Opozita mblidhet më vete   


Dje u mblodhën paralelisht dy komisione për hetimin e dosjes “CEZ”, njëri i ngritur nga mazhoranca për hetimin e privatizimit, tjetri i drejtuar nga opozita që ka si objekt investigimin e marrëveshjes  qeveri-CEZ për shtetësimin. Komisioni i mazhorancës miratoi kalendarin e hetimit. Ky komision është ngritur “Për të hetuar dhe verifikuar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të operatorit të sistemit të shpërndarjes dhe negocimi i marrëveshjes së shitjes së aksioneve, miratuar me ligjin e vitit 2009, “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a-së ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe CEZ a.s-së”, si edhe evidentimi i efekteve negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e zbatimit të kësaj marrëveshjeje”. Pas hapjes së mbledhjes, kryetari i komisionit, Taulant Balla, bëri prezantimin e rendit të ditës duke hedhur në votim planin e hetimit, ku anëtarët u shprehën pro këtij plani. Balla bëri me dije se në bazë të ligjit për funksionimin e Komisioneve Hetimore, çdo anëtar ka të drejtë që të depozitojë kërkesë për ndryshimin e planit të hetimit. Ndërkohë, u mblodh për herë të parë komisioni i ngritur me kërkesë të PD-së. Komisioni hetimor “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjes së interesit të shtetit shqiptar nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a.s” zhvilloi mbledhjen e konstituimit. Kryetari i këtij komisioni, Edmond Spaho, prezantoi anëtarët e komisionit dhe bëri me dije qëllimin e ngritjes së tij. Sipas Spaho ngritja e komisionit bëhet për të shqyrtuar kërkesën e një grupi deputetësh për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen se interesave financiarë, të shtetit shqiptar, si dhe procedurave dhe rrethanave të nënshkrimit të marrëveshjes  me CEZ në 2014-n. Sipas tij, hetimi ka si synim parandalimin e këtij fenomeni negativ për shtetin, qytetarët dhe interesin publik, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete. Më tej, u bë edhe përzgjedhja e sekretares së komisionit, Vasilika Hysi, një propozim që u miratua me konsensus. Pas diskutimeve, deputetët vendosën që në mbledhjen e ardhshme të diskutojnë për rregulloren e funksionimit të komisionit hetimor dhe bërjen e një plani paraprak të hetimit.