Qindra banorë të komunës Frakull dhe punonjësit e Ujësjellësit me në krye kryekomunarin e Frakullës sulmuan në mesditë nënstacionin e CEZ-it në Kafaraj të Fierit. Dy policë roje ë nënstacion u larguan dhe turma u fut në nënstacion me forcë duke i kërkuar një punonjësi të takojë rrjetin.
Protestuesit i kërkuan punonjësit të ritakojë energjinë dhe gjatë protestës kryekomunari i Frakullës ka kërcënuar për përshkallëzim të protestave duke deklaruar se do të marrë i pari koburen kundër CEZ.
Pas disa minutash protestuesit vendosën të ritakojë vetë energjinë, ata hynë më forcë duke dëbuar punonjësit e CEZ. Energjia është ritakuar nga vetë banorët duke rikthyer energjinë në gjithë zonën dhe në ujësjellës.
Nënstacioni elektrik i Fierit tashmë është nën kontrollin e banorëve dhe specialistët e CEZ e kanë të pamundur të rimarrin rrjetin nën kontroll, ndërkohë që policia është tërhequr.
Ujësjellësi i Durrësit padi ndaj CEZ
Ujësjellësi i Durrësit depoziton kallëzim penal ndaj CEZ për ndërprerjen e energjisë. Drejtori i Ujësjellësit të Durrësit, Doklead Ademi konfirmoi kallëzimin ndaj CEZ. Sipas Ademit, nga stakimi i energjisë janë djegur 4-5 pompa në nënstacion.
Arvizu: Njoftimi ynë, standard
Ambasadori i SHBA-ve Aleksandër Arvizu ka komentuar sot mesazhin që kjo amabasadë i ka shpërndarë për të gjithë shtetasit e saj, në lidhje me protesta e demonstrata, që sic theksohet nga Ambasada e SHBA mund të vijnë pas ndërprerjes së energjisë elektrike për ujësjellësat.
Sipas ambasadorit Arvizu, ky ishte një mesazh standard për qytetarët amerikanë. Deklaratën e tij kreu i diplomacisë amerikane e bëri gjatë vizitës së tij në ambientet e Panairit të 15-të të Librit.
Përmes një njoftimi të djeshëm në faqen e vet zyrtare, Ambasada USA në Shqipëri paralajmëroi të gjithë qytetarët amerikanë t’u ruhen demonstrimeve apo protestave që mund të pasojnë ndërprerjen e paralajmëruar të energjisë për ujësjellësit, të cilat mund të dalin jashtë kontrollit.
ERE tërhiqet, vendimi i sotëm, nisje procedure për heqjen e licencës
Enti Rregullator i Energjisë elektrike njoftoi se ka marrë sot vendimin për të nisur procedurën për heqjen e licencës për CEZ Shpërndarje, por një vendim final mund të merret pas një muaji. Pas një mbledhjeje emergjente, bordi duket se nuk e shtyu veten drejt hapit ekstrem, por u mjaftua me një kërcënim.
Heqja e licencës CEZ Shpërndarje nënkuton njëkohësisht edhe shpronësim të CEZ grup nga ana e qeverisë shqiptare.
CEZ: Nuk tërhiqemi, policia po na shpronëson
Kompania CEZ me anë të një deklarate sqaron se ndërprerjet e energjisë po bëhen bazuar në legjislacionin në fuqi ka të drejta të plota ligjore për të shkëputur dhe ndërprerë furnizimin me energji elektrike të çdo debitori, qoftë person privat apo publik.
Shoqëria nuk do të tolerojë asnjë situatë ku debitorët mund të përdorin energji elektrike pa e paguar atë. Ne deklarate thuhet se policia e shtetit është duke ushtruar presion mbi punonjësit e saj.
CEZ është informuar se Policia e Shtetit ka marrë një urdhër për të shoqëruar cilindo nga punonjësit e kompanisë, që është duke shkëputur nga rrjeti i shpërndarjes ndërmarrjet e ujësjellësve.
Ne deklarate thuhet se CEZ i kërkon policisë të japë sqarime dhe deklarata publike mbi ekzistencën e këtij urdhri, i cili është arbitrar, abuziv dhe në shkelje të plotë dhe të hapur të ligjit dhe se do të ndiqen të gjitha hapat dhe procedurat ligjore përkatëse duke denoncuar pranë autoriteteve kompetente çdo punonjës policie për shpërdorim dhe abuzim me detyrën dhe funksionin publik, duke penguar aktivitetin e shoqërisë dhe punonjësit tanë në kryerjen e detyrave të tyre.
Nëse veprimet arbitrare, abuzive dhe të jashtëligjshme të Policisë së Shtetit janë të organizuara dhe/ose të mbështetura nga autoritete dhe institucione të tjera publike të shtetit shqiptar, do t’i konsiderojmë këto veprime si një formë indirekte dhe e jashtëligjshme shpronësimi duke qenë se Policia e Shtetit ndërhyn në mënyrë të jashtëligjshme në aktivitetin e shpërndarjes dhe i shkakton një dëm të konsiderueshëm shoqërisë.
Kompania ndërkohë fton autoritetet përfshirë ERE, Qeverinë dhe Policinë e Shtetit të mbështesin veprimet e shoqërisë në shkëputjen e debitorëve, të cilët me mospagesën e përsëritur të faturave të energjisë elektrike kanë kontribuar në përkeqësimin e gjendjes financiare të shoqërisë me pasoja të pallogaritshme për konsumatorët e ndershëm që paguajnë rregullisht faturat e tyre të energjisë.
Mblidhet ERE, gati heqja e licencës për CEZ. Vendimi mund të sjellë shpronësimin e Çekëve
Enti Rregullator i Energjisë Elektrike pritet të mbledhë bordin e vet sot dhe ekspertët e saj kanë përgatitur dokumentin për të hequr licencën për kompaninë CEZ Shpërndarje, bën të ditur një burim i mirinformuar për gazetën “Shqip”.
ERE e ka nisur procedurat për heqjen e licencës disa javë më parë, por i pati pezulluar veprimet në pritje të një marrëveshjeje. Situata u përkeqësua kur CEZ vendosi të ndërpresë furnizimin me energji elektrike me një numër të madh ujësjellësash në vend, gjë që vlerësohet se ka lënë pa ujë të pijshëm 500 deri në 1 milionë shqiptarë.
Lufta mes CEZ dhe qeverisë ka arritur kulmin me kërcënime të shumta nga të dyja anët.
Heqja e liçençës nënkupton që ERE të marrë nën kontroll administrimin e kompanisë përmes emërimit të një administratori të ri dhe përbën një formë shtetëzimi të kompanisë. Ky është edhe hapi i parë drejt ritransferimit të CEZ Shpërndarje nën pronësinë e qeverisë, një operacion që nuk dihet se sa do t’i kushtojë financiarisht buxhetit të shtetit.
