Urdhri
Prej datës 10 dhjetor, asnjë veprim për faturat e investimeve dhe operativet
Dje ishte dita e fundit për të likuiduar ndonjë faturë shpenzimi. Kush nuk pati mundësi t’i likuidonte brenda datës 10 dhjetor, duhet të presë janarin, kur do të çelen fondet e buxhetit të ri, për 2013-n. Me anë të një urdhri, të cilën gazeta “Shqip” e publikoi disa ditë më parë, por zyra e shtypit të ministrit e mohonte, ministri i Financave, Ridvan Bode, u kërkon degëve të Thesarit që të “njoftohen institucionet se deri në datën 10.12.2012 të pranohen dokumentet për shpenzimet operative dhe investimet, kurse deri në datën 17.12.2012 për pagat, ndihmën, paaftësinë”. Ky urdhër prek të gjitha llojet e shpenzimeve, si për investime, ashtu edhe për shërbime të ndryshme, përjashto pagat. Pas datës 17 dhjetor, nuk do të kryhet asnjë veprim me institucionet, por në raste të ndryshme emergjente, sikurse e parashikon ligji, me autorizim të ministrit, lejohen likuidimet.
Zyra e shtypit në ministri thotë se ky është një “veprim normal”, pasi ka ndodhur edhe herë të tjera, por faktet tregojnë se Thesari ka vepruar edhe në datën 30 dhjetor, por për shkak të krizës “kjo procedurë” ka ndodhur vetëm në 2011-n.
Performanca e të ardhurave buxhetore ka qenë shumë e ulët në 10 muajt e parë të këtij viti. Në raport me 10 mujorin e 2011-s, të ardhurat në buxhet janë rritur vetëm me 2 për qind, ndërkohë që në krahasim me planin, të ardhurat për këtë periudhë ishin rreth 150 milionë euro më pak se planifikimi i fillimvitit.
Praktika e mbylljes së Thesarit është ndjekur edhe në vitin 2011, kurse në vitet e tjera, ka pasur veprime në ditët e fundit, madje edhe më 31 dhjetor. Mungesa e të ardhurave si 10-mujor vazhdon të konfirmojë traditën e dështimeve me planet e hartuara nga dikasteri i Bodes dhe i specialistëve të tij. Rrjedhojë e krizës në arkën e shtetit është edhe miratimi i VKM-së që ndalon prej datës 1 nëntor realizimin e tenderëve. Vetëm gjatë muajit tetor janë mbledhur rreth 2.8 miliardë lekë më pak se planifikimi.
Ard Kola