Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka zbardhur minutat e takimit të djeshem të zhvilluar mes zv.kryeministrit, Niko Peleshi dhe përfaqësisë së grevistëve.
Sipas MEI, “këto minuta takimi të zbardhura dhe dakordesia e arritur mbi to u firmosën nga zv.ministri Ilir Bejtja, në cilësinë e nënkryetarit të grupit ndërministror të punës”.
MEI thekson se, “Brenda javës së ardhshme do të përmbyllet procesi i modaliteteve për adresimin e çështjeve të trajtuara, ndërsa puna në terren vazhdon përmes organeve të pushtetit lokal. Qeveria mbetet e angazhuar për ti shkuar deri në fund zgjidhjes përfundimtare të problemevë të trajtuara”.
MEI nënvizon se, “Në vlerësimin tonë, arsyet e qëndrimit të grevistëve në ambientet e jashtme të Ministrisë së Energjise nuk ekzistojnë më për aq kohë sa problematikat e ngritura prej tyre jane futur tashme ne rrugen e zgjidhjes.
Në minutat e takimit të zbardhura nga MEI thuhet se ndë të tjera se, “zv.kryeministri, Niko Peleshi së bashku me zv.ministrin e Energjisë, Ilir Bejtja dhe kreun e Emergjencave Civile, Shemsi Premçi pritën në një takim përfaqësinë e grevistëve të Zharrëzës. Takimi u zhvillua në një frymë pozitive dialogu dhe ku u dakordësua mes palëve për vazhdimin e procesit të filluar tashmë për zgjidhjen e situatës së krijuar. Përfaqësuesit e qeverisë informuan grevistët se nuk është pritur kjo grevë, por që prej rikthimit të lëkundjeve në Nëntor-Dhjetor 2016 dhe përmes grupit ndërministror të ngritur me urdhër të Kryeministrit janë marrë disa masa.
Që në datën 26 Dhjetor 2016 është urdhëruar ndalimi i injektimit të ujit teknologjik nga Bankers Petrolim në zonën e Zharrëzës, ndalim që vazhdon dhe sot. Nga banorët u kërkua që ndalimi të bëhet definitiv çka u pranua dhe institucionet përkatëse do të marrin masat për ndalimin përfundimtar të injektimit të ujit teknologjik në zone njësoj siç e përcakton edhe raporti i grupit ndërministror të punës. Gjithashtu, është bërë vlerësimi paraprak i dëmeve të shkaktuara në banesat e qytetarëve të Zharrëzës. Janë evidentuar 508 shtëpi të dëmtuara prej të cilave 44 të dëmtuara rëndë dhe 26 të pabanueshme. Banorët kërkuan që vlerësimi të mund të rikryhet në ato raste kur ka kontestime. Brenda javës së ardhme do të ngrihet një grup me ekspertë teknikë për të rivlerësuar rastet e kontestuara nga banorët. Nga Drejtoria e Emergjencave Civile dhe pushteti lokal, në mënyrë të menjëhershme janë marrë masa për ndjekje me procedurë të përshpejtuar të procesit të sistemimit në banesa me qera në mënyrë të përkohshme për banorët e 70 shtëpive të dëmtuara në mënyrë të rëndë, derisa ato të riparohen apo rindërtohen sipas rastit.
Sistemimi i banorëve dhe riparimi i dëmeve të këtyre 70 banesave do të bëhet në masë të plotë nga qeveria dhe kompania pa pritur zbulimin shkencërisht të provuar të shkaqeve të lëkundjeve. Brenda javës që vjen, qeveria angazhohet të përmbyllë të gjitha modalitetet e kërkuara nga grupi ndërministror i punës ngritur me urdhër të Kryeministrit. Për banesat që nuk klasifikohen në gjendjen e emergjencës do të shpërblehen gjithashtu në mënyrë të plotë në varësi të rezultateve të ekspertizës së pavarur mbi shkaqet e lëkundjeve. Në takim u sqarua se vazhdon procesi i vlerësimit të shkaqeve nga vijnë lëkundjet. Mbi bazën e të dhënave të regjistruara është përzgjedhur një listë ekspertësh të pavarur ndërkombëtar që do të kryejnë këtë analizim”.
26 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)/ata