Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i ka atribuuar të gjithë përgjegjësinë kompanisë CEZ shpërndarja për ndërprerjet e energjisë elektrike. Në një deklaratë për mediat, METE ka deklaruar se gjatë kësaj kohe, qeveria shqiptare ka importuar në vazhdimësi dhe do të vazhdojë të importojë çdo kilovat/orë në mënyrë që energjia të mos mungojë në asnjë moment dhe ka kërkuar nga CEZ  të marrë masat për përballimin e situatës dhe defekteve të mundshme në rrjet.


“Ditët e fundit përsëri jemi ndeshur me raste jo të pakta të ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë dhe jofamiljarë. Përgjegjës për këtë situatë të shkaktuar, në kushtet kur energjia nuk mungon aspak, është kompania “CEZ Shpërndarje”, e cila problematikën e rëndë të brendshme të saj e ka transmetuar tek konsumatorët familjarë dhe jofamiljarë”, thuhet në deklaratë.


METE ka kërkuar nga CEZ të kryejë detyrën e saj me përgjegjësi maksimale gjatë festave të fundvitite. “METE dhe strukturat e saj janë duke monitoruar nga shumë afër situatën. Siç është në praktikën tonë të çdo fundviti, ne kemi vënë në dijeni të gjitha organet kompetente si dhe institucionet përgjegjëse përkatëse, dhe jemi duke punuar ngushtë me to për të siguruar që çdo gjë të shkojë normalisht. Ndërkaq, duke i kujtuar kompanisë “CEZ Shpërndarje” se furnizimi me energji elektrike i konsumatorëve është detyrë vetëm e saja, me prioritet absolut, i kërkojmë gjithashtu:


1. Të reagojë me urgjencë për të riparuar çdo defekt apo problem tjetër me furnizimin me energji; 2. Të marrë masa për plotësimin e bazës materiale të saj, sepse METE nuk do të pranojë në asnjë mënyrë që mungesa e transformatorëve, kabllove rezervë, pjesëve të këmbimit të kabinave elektrike apo pajisjeve të tjera të domosdoshme, të ndikojë ne furnizimin normal me energji elektrike; 3. Ne i bëjmë thirrje çdo punonjësi, çdo tekniku, çdo specialisti që është pjesë e sistemit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji të konsumatorëve, të zbatojë me përgjegjësi personale ligjin dhe vetëm ligjin, të përmbushë detyrat sipas funksionit që mban, për të siguruar furnizimin normal me energji elektrike të të gjithë vendit”, përfundon deklarata e METE.


23 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)