Letra e Nasip Naços: Veprimet e OST-së, aspak profesionale
ARD KOLA
Ndoshta i ndihmuar edhe nga fakti i profesionit si jurist dhe ish-prokuror, Nasip Naço, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), në kohën e plasjes së skandalit, ka mbajtur qëndrim të matur, madje “guxon” të kritikojë punën e OST-së, e cilësuar nga ai si “aspak profesionale”.
Ministër i Ekonomisë deri në fillim të muajit korrik 2012, duke përfaqësuar në qeverinë “Berisha” forcën politike, LSI-në, Naço mbështet procedurat e ndjekura nga banka gjermane KfW. Gazeta “Shqip” disponon letrën e ministrit, drejtuar më 20 shkurt shefit të departamentit të antikorrupsionit në Kryeministri, Ivi Kaso, për dijeni të Kryeministrit Sali Berisha, ministrit të Financave, Ridvan Bode, kreut të OST-së, Arben Ibroja, dhe kryetarit të këshillit mbikëqyrës në OST, Ilirjan Muho (i cili ishte edhe sekretar i përgjithshëm në METE). Nga letra kuptohet më qartë situata e krijuar dhe pozicioni ministrisë që mbulon sektorin energjetik në vend.
Letra e plotë
Në përgjigje të shkresës suaj, datë 14 shkurt 2012, “dërgim raport kontrolli” dhe në lidhje me vlerësimin e procedurës së “ndërtimit të linjës 400 kV Tiranë-Prishtinë”, sqarojmë si vijon:
Së pari, sikurse kemi theksuar edhe një herë në letrën tonë, të datës 4 janar 2012, realizimi i projektit është i një rëndësie të veçantë, i cili mundëson krijimin e kushteve optimale për furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve, shfrytëzim optimal të burimeve tona energjetike, si dhe integrimin e sistemit tonë energjetik me rrjetin europian të energjisë, sigurisht me një kosto reale për zbatimin me rigorozitet të këtij investimi kaq të rëndësishëm.
Së dyti, nga shqyrtimi me kujdes i letrës tuaj, konstatojmë se, në raport nuk është caktuar baza ligjore e pretenduar nga KVO-ja (Komisioni i Vlerësimit të Ofertave) gjatë procedurës së vlerësimit të ofertave. Referenca ligjore e kontrollit të ushtruar nga ana juaj është bazuar te legjislacioni shqiptar për prokurimet, ndërkohë që baza ligjore e përgatitjes së ofertave, si edhe e vlerësimit të tyre, është ajo e zhvillimit të prokurimit të mallrave dhe shërbimeve të KfW-së, e cila është edhe financuese e kredisë në fjalë (e sanksionuar edhe në marrëveshjen e kredisë të miratuar nga Parlamenti shqiptar). Gjithsesi, nëse për analogji do të merrej për bazë ligji shqiptar i prokurimeve, rivlerësimi i procedurës me kushte të reja të vendosura në mënyrë arbitrare vetëm nga njëra palë, në një hetim të mundshëm administrativ të KPP-së (Komisioni i Prokurimit Publik), në kushtet kur kriteri i vlerësimit të ofertës më të mirë, ishte ai i ofertës më të mirë teknike, vendimi i këtij të fundit do të ishte vazhdim i procedurave të mëtejshme të prokurimit, për negocimin e kontratës me ofertuesin e parë të kualifikuar, si dhe marrje masash për parandalimin e sjelljes së jashtëligjshme të autoritetit kontraktor (rasti konkret, OST-ja).
Së treti, referuar letrës së KfW-së, datë 10 shkurt, në përgjigje të letrës dërguar nga OST-ja, datë 8 shkurt 2012, banka gjermane KfW shprehet në mënyrë të qartë, se nuk mund të japë “no objection”, pra nuk mund të pranojë vendimin e marrë nga OST-ja, për shpalljen e fituesit “Energoinvest” për Lotin I, për ndërtimin e linjës, gjë e cila mund të vërë në rrezik financimin e këtij projekti të rëndësishëm. Bazuar në marrëveshjen e kredisë mes qeverisë shqiptare dhe bankës gjermane KfW, miratuar nga Parlamenti shqiptar, qeveria shqiptare, përmes OST-së paguan fee-në e kredisë së përfituar, prej mesatarisht 2.5 milionë euro në vit, mbi fondin e padisbursuar.
Së katërti, bazuar edhe në shqetësimin e KfW-së, procedura konkurruese zhvillohet në bazë të “rregullave të prokurimit të bankës gjermane KfW”, në të cilën ndërmjet të tjerave përcaktohet edhe mënyra e vlerësimit të saj. Në këto rregulla, përcaktohet se, ofertat financiare hapen pasi të jetë miratuar nga punëdhënësi Raporti i Vlerësimit Teknik, si dhe pas aprovimit përfundimtar nga KfW-ja të këtyre procedurave. Nga informacioni i dhënë prej OST-së, konstatohet se është dhënë miratimi i vlerësimit teknik, ku citohet (fq. 2), se dy subjektet konkurruese, janë konsideruar teknikisht të pranueshme, si dhe të afta të realizojnë projektin.
Së pesti, nisur nga informacioni i dhënë, por edhe nga marrëveshja e kredisë, procedura konkurruese zhvillohet e pandashme në raport me Operatorin e Transmetimit të Kosovës dhe në (Lotin I), subjektet kanë ofertuar për të gjithë linjën së bashku, kështu edhe vlerësimi, apo rishikimi i saj, nuk mund të jetë i veçantë, vetëm nga ana e OST-së.
Së gjashti, në kushtet kur KfW-ja, si një nga financuesit më të mëdhenj në fushën e infrastrukturës ujore dhe energjetike në vend, përmes letrës së saj datë 10 shkurt, rikonfirmon shqetësimin e saj, që rezultati i vlerësimit final nuk mund të injorojë procedurat e tenderimit të përcaktuara dhe të pranuara nga të gjitha palët, për sa i përket përcaktimit të ofertës më të favorshme, një veprim i ndërmarrë nga OST-ja, për të ftuar në negocime ofertuesin e vlerësuar dhe renditur me marrëveshje mes palëve (përfshi edhe vetë OST-në) në vendin e dytë, është aspak profesionale.
Së fundmi, ju rikujtoj se, për aq kohë sa financimi për realizimin e këtyre veprave sigurohet nga donatorë të huaj, është e natyrshme që edhe kushtet, ose rregullat për realizimin e projekteve, duke filluar nga dokumentet standarde, vlerësimi i ofertave dhe deri në përfundim të negocimit dhe implementimit të kontratës, do të jenë ato të vendit financues, të cilat janë hartuar në bashkëpunim me OST-në dhe konsulentin, si dhe pranuar nga OST-ja.
Mosarritja e një zgjidhjeje përfundimtare mes të gjitha palëve në lidhje me këtë situatë, mund të sjellë dëme të konsiderueshme, si në aspektin financiar (pra fee-në e kredisë së paguar për të dyja projektet nga qeveria shqiptare, mbi shumën e kredisë së padisbursuar, penalitete të larta financiare për mosimplementimin në kohë të projekteve, si dhe përfitimet e munguara, për mosvënien në punë të objekteve) ashtu edhe në atë politik, në marrëdhëniet me një nga donatorët më seriozë, siç është KfW-ja, përfaqësuese e qeverisë gjermane, duke vënë në rrezik realizimin e këtij projekti vital, për sektorin elektroenergjetik dhe për ekonominë shqiptare.
Zhvillimet
Pala gjermane pranon përsëritjen e tenderit, por kërkon garanci nga ministri i Financave
Banka KfW: Sipas kushteve tona, ose tërhiqemi
Banka gjermane është e gatshme të pranojë të jetë palë në ritenderimin e projektit për ndërtimin e linjave të transmetimit 400 kV Shqipëri-Kosovë, por, nga ana tjetër, kërkon nga pala shqiptare të firmosë paraprakisht kushtet, pra të jetë dakord që në fillim, për shmangien e përplasjeve, si me rastin konkret.
“Ministria e Financave duhet të firmosë që kostot shtesë nga ritenderimi të merren parasysh për t’u paguar nga pala shqiptare dhe OST-ja të pranojë që tenderi të realizohet sipas rregullores së prokurimit të KfW-së”, thotë banka gjermane. Ajo i kujton qeverisë sonë se zhvillimi i tenderit nga e para do të ketë kosto shtesë, për shkak të çmimeve në treg, të cilat kanë pësuar rritje në raport me dy vjet më parë kur u hartua projekti.
Por qeveria shqiptare, edhe pse pranon të anulojë tenderin për ta ribërë nga e para, nuk i pranon këto kushte, ose më saktë ministri i Financave. “Ministri i Financave, në rolin e huamarrësit, nuk mund të jetë palë në procesin e tenderimit. Ministri i Financave nuk mund të bëhet pjesë e një deklarate për të respektuar një proces tenderimi, por vetëm garanton zbatimin me rigorozitet ligjor të marrëveshjes së huas”, i drejtohet Bode, bankës gjermane.
Kredia e akorduar nga banka gjermane është rreth 45 milionë euro dhe synon ndërtimin e linjave të transmetimit, me qëllim dyfishimin e tyre, nga 220 në 400 kilovolt. Kjo do t’u sillte avantazhe dy vendeve, pasi Shqipëria prodhon energji elektrike nga sistemi hidrik (uji), kurse Kosova kryesisht nga qymyri dhe do të ishte rast i mirë për shkëmbime e operime të ndërsjella.
Të dyja vendet kanë shpenzuar mjaft para për të importuar energji elektrike nga Serbia, me shifra të konsiderueshme, pasi linjat mes dy vendeve nuk e kanë kapacitetin e duhur. Vonesa për ndërtimin është gati dy vjet dhe në rast se niset procedura nga e para do të duhet edhe 1 vit tjetër, plus dy vjet për ndërtimin.
A.Kola