Treguesit
Kreu i Financave konfirmon zyrtarisht rezultatin “katastrofë”: Na mungojnë 30 milionë USD
ARD KOLA
Ministria e Financave konfirmon, duke publikuar tashmë zyrtarisht, edhe pse me vonesë, dështimin total në arkën e shtetit gjatë 10 viteve të fundit. Dikasteri, i cili drejtohet nga Ridvan Bode prej gati 8 vitesh, pjesë e dy mandateve të Kryeministrit Sali Berisha, zbardhi dje treguesit fiskalë të 5-mujorit të parë, me disa korrigjime, në tentativë për të zbutur rënien, por shifrat konfirmojnë gjendjen e vështirë në arkën e shtetit.
Në raport me planin, Ministria e Financave pranon se buxhetit i mungojnë rreth 30 milionë dollarë nga totali i të ardhurave, kurse në krahasim me 5-mujorin e vitit 2012, kemi 3.4 milionë dollarë më pak. Duke i ndarë sipas zërave, të ardhurat tatimore, pra nga taksat dhe tarifat rezulton se shteti nuk ka mundur të mbledhë më shumë se viti i kaluar (2.7 për qind më pak), ndërsa në raport me planin paraqitet me mungesë të theksuar prej 72 milionë dollarësh (7.4 miliardë lekë).
Të tre taksat kryesore, si TVSH-ja, akciza dhe tatimi mbi fitimin paraqiten dobët, respektivisht 5.4, 4.1 dhe 1.4 për qind më pak se viti 2012. Shqetësues është fakti se nuk kemi rënie të të ardhurave vetëm në raport me vitin e kaluar. Treguesit historikë nga 2013 dëshmojnë se arka e shtetit paraqitet në nivelin më të ulët, fakt i pranuar nga vetë Ministria e Financave. Me firmën e ministrit, ky institucion publikoi dje të dhënat, duke u dorëzuar para opinionit publik për të pranuar gjendjen në raport me faktet e shifrave. Nëse të ardhurat nga tatimet ishin në total si 5-mujor në 2013-n rreth 118 miliardë lekë, në 2012-shin ishin 121.4 miliardë lekë, kurse në 2011-n afro 119.3 miliardë lekë. Pra, jemi në një pikë që nuk flitet për realizim plani, por në të dhëna më keq se në të kaluarën.
Nga viti 2003, të ardhurat nga tatimet dhe doganat paraqiten në rënie, duke kapur rekordin negativ historik me minus 3.2 për qind në 2013-n, po ashtu edhe në të ardhurat tatimore, me minus 2.7 për qind. Nëse mesatarisht në këto 10 vite të ardhurat janë rritur me 8-9 për qind, në 2013-n ranë me 2-3 për qind.
Pavarësisht rënies së të ardhurave, qeveria ka rritur shpenzimet, duke fryrë kështu deficitin buxhetor. Ky i fundit paraqitet në nivelet më të larta të këtyre dhjetë viteve, në masën e 38 miliardë lekëve, gati 18 miliardë lekë më shumë se në vitin e krizës 2009, kur deficiti buxhetor arriti në 7 për qind, i cili shërbeu më pas për kapërcimin e borxhit publik.
Shpenzimet në total si 5-mujor janë rritur me 13.3 për qind në raport me 2012-n (plot 200 milionë dollarë), kurse me planin afro 6.1 për qind. Deficiti vetëm për këtë periudhë të vitit, pra janar-maj, arriti në rreth 380 milionë dollarë, gati 120 milionë më shumë plani dhe 200 milionë më tepër se 2012-a.
Për herë të parë, ministria vendosi në treguesit fiskalë edhe rimbursimin e TVSH-së për një kompani private, “Kurum”, e cila bleu katër HEC-e publike. Me shpresën për të argumentuar se rënia e të ardhurave erdhi nga rimbursimi që iu bë kompanisë, në vlerën e 30 milionë dollarëve, ministria harron se nga procesi i privatizimit arkëtoi nga ana tjetër 140 milionë dollarë.
Ekspertja e financave publike, Ermelinda Meksi, ka komentuar këto ditë për “Shqip” gjendjen kritike me bilancin e të ardhurave, duke shprehur shqetësimin se jemi në fazën që po merret “borxh për të shlyer borxhet” dhe se vendi ka hyrë në pikën e vdekjes. Ndërsa ish-guvernatori i BSH-së, Shkëlqim Cani, deklaroi se qeveria po lë pas një “tokë të djegur” qëllimisht, por socialistët kanë gati çdo skenar për të dalë nga situata, që gjithsesi paraqitet tejet alarmante.
Ndërsa të ardhurat totale ranë me 0.2%, shpenzimet u rritën me 13% në raport me 2012-n si 5-mujor
Të tre taksat kryesore, TVSH, akciza dhe tatimi mbi fitimin rezultojnë 5.4, 4.1 dhe 1.4% më pak
Paradoksi
Aktiviteti i 100 kompanive
të mëdha u rrit në 2012-n,
por jo të ardhurat në shtet
Ndonëse të dhënat e të ardhurave tatimore për vitin 2012 sugjeronin që bizneset po kalonin një vit të vështirë, e konfirmuar dhe nga rritja ekonomike minimale prej 1.6%, më e ulëta e dekadës së fundit, renditja e kompanive më të mëdha për 2012-n dhe krahasimi me një vit më parë tregon se kriza nuk e ka penguar rritjen e të mëdhenjve (që janë kontribuuesit kryesorë në buxhet), sidomos për sa i përket xhiros, ndërsa fitimet nuk kanë ndjekur të njëjtin ritëm. Në total, sipas të dhënave që revista “Monitor” disponon nga Tatimet, publikuar së fundmi, xhiro e kombinuar e 100 sipërmarrjeve më të mëdha në vend shënoi rritje me bazë vjetore prej 11% në 2012-n.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga Tatimet e Doganat shënuan për herë të parë në 2012-n rënie në vlerë absolute prej 1.2%, me të ardhurat nga tatim-fitimi që shënuan performancën më negative, me një tkurrje prej 14%, ndërsa ato nga TVSH-ja dhe akciza ranë përkatësisht me 2.2 dhe 10%.
Në fakt, kompanitë e mëdha, ndonëse kanë shtuar ndjeshëm aktivitetin, kanë rezultuar me humbje, apo me fitime minimale, duke “justifikuar” tendencën e dobët të të ardhurave në buxhet.
Raporti
Xhiro e kombinuar e 100 sipërmarrjeve më të mëdha u rrit me bazë vjetore me 11%, kurse të ardhurat në buxhet ranë me 1.2%