Rregulli
Menaxhimi i mbetjeve në vakumin ligjor se kush është “më kompetenti”
Ligji është i fortë, por mungon vullneti, si dhe pamundësia financiare për ta zbatuar
Të huajt e kanë thënë me kohë: Shqipëria nuk vuan për ligje, por problemi qëndron te zbatimi. Më 22 shtator 2011, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin e Ministrisë së Mjedisit dhe Administrimit të Ujërave “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, e bashkë me projektin, edhe dispozitat zbatuese. Në tërësi, ligji forcon dorën ndëshkuese ndaj abuzuesve.
Duke u ndalur te neni 27, pjesa e “vajrave të përdorur”, ligj i kushton rëndësi procedurës se si duhet vepruar. Kështu, vajrat e përdorur duhen grupuar në mënyrë të diferencuar, kurse subjektet që merren me grumbullimin dhe riciklimin e tyre duhen të kenë leje mjedisore.
Në kuadër të këtij neni, ligji sanksionon gjoba të rënda për subjektet apo individët që trajtojnë vajrat e përdorur pa leje mjedisore. Gjobat nisin me 1 milion lekë dhe arrijnë në 1.5 milionë lekë, ose 15 milionë lekë të vjetra, pra gati dy herë e gjysmë më shumë nga sa ndëshkohet një subjekt në vendet e BE-së.
Në kreun 14 të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, neni 61, në mënyrë kategorike ministria ndalon hedhjen apo groposjen e të gjitha llojeve të mbetjeve në ambiente publike, në parcelat dhe tokat bujqësore, djegia apo dhe asgjësimi i pakontrolluar i tyre.
Problemi qëndron te fuqia ndëshkuese, pra tek iniciativa për të vepruar. Përdorimi i vajit sa u takon vlerave ushqyese deri në nivelin e rrezikut shëndetësor sa u takon djegieve, mund të konsiderohet kompetencë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), kurse derdhja e tij, pra ndotja e ambientit është kompetencë e Ministrisë së Mjedisit. Kjo e fundit është pafuqishme për të vepruar në kushtet e mungesës së flagrancës, por mund ta frenojë abuzimin nëse i kërkon restorantit kontratën me shoqërinë e riciklimit. Pra, skema është e qartë. Mjafton vullneti i mirë. Megjithatë, duhet pranuar se buxheti i ministrisë, prej 7 milionë dollarë në vit, e ka të pamundur të motivojë inspektorët dhe të mbulojë të gjithë territorin nga ndotjet.
A.Kola
Shifrat
Vajrat e makinave, qindra subjekte dhe shumë kaos
Mbi 1 mijë subjekte të cilat përdorin vajra të përdorur dhe mbi 360 subjekte që merren me importin e rreth 50 mijë tonëve çdo vit, janë vendosur në sitën e inspektorëve të Ministrisë së Mjedisit. Në pjesën më të madhe, këto subjekte punojnë pa respektuar kriteret e licencës e duke shkaktuar një ndotje të lartë në mjedis. Nga kontrolli i fundit për 14 subjekte që merren me trajtimin dhe riciklimin e vajrave të përdorur dhe të mbetjeve portuale, është kërkuar pezullimi i aktivitetit dhe për 11 të tjera janë vendosur gjoba me 500 mijë lekë. “Një numër subjektesh prej 366 që merren me importimin e vajrave në Shqipëri. Pavarësisht tonazhit, ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me doganat për adresat dhe sasinë që sjellin në Shqipëri, por sigurisht ato kanë detyrimin ligjor që të pajisen me një kontratë, me një menaxhues të licencuar që merret me grumbullimin dhe trajtimin e këtyre vajrave”, thotë drejtori i Kontrollit të Mjedisit, Alfred Deshati. Inspektorët e mjedisit kanë vendosur heqjen e licencës për dy subjekte, ndërkaq u është bërë apel 18 shoqërive të trajtimit të vajrave dhe importuesve për plotësimin e të gjitha kritereve të vendosura nga Ministria e Mjedisit. “Janë mbi 1 mijë subjekte në të gjithë Shqipërinë që janë gjeneruese të vajit të përdorur dhe sigurisht ato do të duhet që t’i ushtrohen një sërë plotësimi dokumentacionesh, jo vetëm me leje dhe licencim, por duhet që urgjentisht të pajisen me regjistra që ne të kemi vazhdimisht të dhëna të hollësishme për vajrat që ato gjenerojnë”, shprehet zoti Deshati.