Financat
“Rritja e prodhimit vendas uli importet, ndikuan edhe lehtësitë fiskale”
Mungesa e të ardhurave në 7 muajt e parë të vitit shpjegohet me rritjen e prodhimit vendas dhe efektin që kanë dhënë lehtësitë fiskale ndaj biznesit. Duke u dhënë përgjigje akuzave të opozitës, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, shpjegoi dje përse nuk u mblodhën nga Tatimet dhe Doganat 15.5 miliardë lekë. “2.3 miliardë lekë nga 15.5 miliardë lekë që mungojnë, janë për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare. Çmimet në këto tregje nuk varen nga qeveria shqiptare”, deklaroi Cani dhe shtoi se qeveria është ose përfituese, ose e dëmtuar nga koniunktura ndërkombëtare. “1.3 miliardë lekë mungojnë për shkak të uljes së importit të energjisë elektrike. Jemi të lumtur që në sajë të masave të marra, ndoshta edhe të ndihmës nga shiu, ne nuk importuam. Kuptohet që nuk realizuam të ardhurat, por fituam një gjë të madhe për ekonominë, atë që ne synojmë: që të prodhojmë në vend sa më shumë”, tha Cani. Ndërkaq, 1.2 miliardë lekë mungojnë për shkak të uljes së normave të interesit bankar dhe pagesës së dividentit. “Normat më të ulëta të interesit janë të dobishme për ekonominë, sepse nxitet kreditimi dhe biznesit i krijohet më shumë hapësirë për të marrë kredi me interesa të ulëta dhe, doemos, që ndikojnë në të mirë, në dobi të zhvillimit ekonomik, edhe pse për momentin na japin të ardhura më të ulëta”, analizoi Cani. Mos harrojmë, vazhdoi ministri, që ulja e shpenzimeve nga interesi në buxhet kanë qenë shumë më të mëdha nga kjo humbje që kemi nga ulja e normave të interesit. Po ashtu, ministri deklaroi se 730 milionë lekë mungojnë për shkak të lehtësive fiskale në importimin e makinerive dhe lëndëve të para. “Këtë kemi synuar, që të lehtësojmë hyrjen e makinerive dhe lëndëve të para për të prodhuar sa më shumë në vend. Humbëm diçka nga të ardhurat, por fituam shumë nga ekonomia, fituam shumë nga e ardhmja, sepse qartësisht nxitet prodhimi vendas”, deklaroi Cani. Ndërsa, 500 milionë lekë mungojnë nga importi i prodhimeve ushqimore. “Përsëri një e mirë e madhe, tha Cani, bujqësia po prodhon më shumë. 44% më shumë është rritur eksporti i mallrave bujqësorë. Ne humbëm diçka nga të ardhurat, gjysmë miliardi, por kemi fituar më shumë nga prodhimi vendas, atë që kemi synuar. Dhe kishim një program të veçantë për këtë punë”. Më tej, ministri Cani ka kaluar te Tatimi mbi Vlerën Shtuar. “2.2 miliardë lekë i mungojnë buxhetit për arsye se TVSH-ja rimbursohet menjëherë me sistemin e ri automatik, që ne vazhdimisht e kemi përmendur në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”, tha Cani. “Kemi rimbursuar më shumë ndaj biznesit, duke i dhënë atë që i takon, ndryshe nga ç’ishte bërë nga qeveria e mëparshme që i mbanin çdo vit nga 2-3 miliardë lekë rimbursim TVSH-je, pa ia dhënë sipërmarrjes”, deklaroi Cani. Një mungesë tjetër e përmendur nga Cani ishte për shkak të ndryshimit të taksës së qarkullimit. “2 miliardë lekë mungojnë thjesht për shkak të një ndryshimi procedural në raportimin e taksës së qarkullimit, karbonit dhe ambalazhet. Është shumë e thjeshtë, në vend që ta raportonim në 31 korrik si të ardhur, (ajo aty është) ne, në sistemin e ri të IT, e raportojmë më 15 gusht”, shpjegoi ministri. “Kështu, për pasojë, këtë vit do të kemi humbje të kësaj shume prej 2 miliardë lekësh, thjesht për çështje raportimi”, tha Cani. Duke analizuar të ardhurat, ministri theksoi edhe efektin e inflacionit dhe rritjen e prodhimit vendas të duhanit. “Po t’i mbledhim të gjithë këta faktorë, bëjnë diçka më tepër se 15 miliardë lekë, bëjnë 15.5 miliardë lekë që i mungojnë buxhetit”, analizoi Cani.