Shifrat


Më pak të ardhura, më shumë borxh si 8-mujor 



Nevoja


Qeveria ka marrë në tregun e brendshëm nga bankat dhe individët 18.45 miliardë lekë borxh, ose 99.67% të të gjithë planit vjetor


Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se qeveria po vihet në vështirësi për të mbajtur treguesit e buxhetit brenda kufijve ligjorë të vendosur nga Parlamenti. Sipas të dhënave, vetëm në tetë muajt e parë të vitit, Ministria e Financave ka ezauruar të gjithë kufirin vjetor të huamarrjes së brendshme. Gjatë periudhës janar-gusht, qeveria ka marrë në tregun e brendshëm nga bankat dhe individët 18.45 miliardë lekë borxh, ose 99.67% të të gjithë planit vjetor. Në total, kufiri i borxhit të ri që mund të marrë qeveria gjatë vitit 2012 është 41.1 miliardë lekë, por pjesa tjetër është huamarrje e jashtme, e përcaktuar me ligj vetëm për financimin e projekteve të huaja kryesisht nga donatorët dhe bankat e zhvillimit. Përmbushja e kufirit ligjor të huamarrjes i imponon qeverisë një menaxhim të shtrënguar të buxhetit për ta mbajtur këtë tregues në kontroll.


Por kur kanë mbetur dhe katër muaj deri nga përfundimi i vitit buxhetor, kjo situatë mund të krijojë shqetësime edhe për biznesin, pasi ekspertët druhen se nevoja për të mbajtur borxhin e brendshëm brenda kufijve ligjorë mund ta detyrojë qeverinë të shtyjë pagesat për kompanitë që kryejnë punë publike, një fenomen tashmë i njohur vitet e fundit.


Në tetë muajt e parë të vitit, plani fillestar i të ardhurave në buxhet është rrëzuar me mbi 12.1 miliardë lekë ose 12 milionë USD. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë periudhës janar-gusht, qeveria ka mbledhur në buxhet rreth 218.8 miliardë lekë nga 230.9 miliardë që ishte parashikuar. Shifrat tregojnë se ky mosrealizim vjen në pjesën dërrmuese nga të ardhurat tatimore, deficiti i të cilave për këtë periudhë është 10.8 miliardë lekë. Por teksa të ardhurat janë dukshëm nën plan, kjo nuk ndodh me shpenzimet. Për 8-mujorin, shpenzimet e përgjithshme të qeverisë ishin 241 miliardë lekë, vetëm 3.3 miliardë më pak se parashikimi.