Kontradiktat
Çmimi i naftës në tregjet botërore ka shënuar vlerën më të ulët të tetë muajve të fundit duke zbritur ne 96 dollarë për fuçi. Krahasuar me fillimin e prillit, çmimi i naftës ka rënë me gati 30 dollarë për fuçi ose mbi 23 për qind. Kjo është një nga rëniet më të forta brenda një kohe të shkurtër, e shkaktuar nga përkeqësimi i situatës ekonomike botërore dhe rikthimi i shqetësimeve për thellimin e krizës. Përtej shkaqeve, rënia e çmimit të karburanteve, ka lehtësuar buxhetet e qytetarëve në të gjithë Europën Perëndimore. Por në tregun shqiptar edhe këtë herë, rënia e çmimeve përveçse me vonesë është përcjellë vetëm pjesërisht. Në pikat me pakicë të tregut të brendshëm, çmimi i naftës luhatet rreth 180 lekë për litër dhe krahasuar me muajin prill ka rënë me gati 10 lekë për litër krahasuar me fillimin e prillit ose vetëm 5.2 për qind nga 23 për qind në bursa. Importuesit thonë se një nga arsyet se pse rënia e çmimit nuk reflektohet e plotë në tregun vendas lidhet me kursin e këmbimit të lekut me dollarin. Nafta blihet në dollar dhe forcimi i monedhës amerikane e bën atë më të shtrenjtë në lekë. Por përllogaritjet tregojnë se edhe efekti i dollarit nuk mund ta justifikojë plotësisht diferencën mes rënies së çmimit në tregjet botërore dhe atë që është pasqyruar në tregun vendas. TCH