Ministria e Bujqësisë ka shtyrë deri më datë 20 dhjetor afatin që fermerët përfitues nga vendimi i dhjetorit të vitit të kaluar të Qeverisë që u jep naftë pa taksa ta tërheqin sasinë e përfituar.

Ndërhyrja është bërë në një udhëzim të janarit të këtij viti, sipas të cilit të gjithë fermerët përfitues do të duhej ta tërhiqnin naftën e përfituar me taksa zero jo më vonë se data 30 nëntor.

Gazeta Shqip mëson se udhëzimi i ministres së Bujqësisë, Frida Krifca për ta shtyrë këtë afat deri më datë 20 dhjetor është marrë për arsye se ka pasur një numër të madh fermerësh që për shkak të procedurave dhe burokracive nuk e ka tërhequr dot në kohë sasinë e karburantit që përfitojnë.

Për këtë arsye, ministrja ka ndërhyrë në udhëzimin e janarit, të nxjerrë në atë kohë nga ish-ministrja Milva Ekonomi duke ndryshuar afatin në pikën 14 të kreut V të udhëzimit për kriteret, procedurat dhe mënyrën e administrimit të skemës së mbështetjes me naftë për bujqësinë.

Gazeta Shqip mëson se djegia e këtyre afateve dhe pamundësia për të tërhequr naftën e marrë me taksa zero është ngritur si shqetësim nga ana e përfaqësisë së fermerëve në takimin që patën me Kryeministrin Edi Rama të enjten e kaluar, kur protestuan para Kuvendit kundër vendimit për heqjen e subvencionit dhe kompensimit të TVSh-së.

Pas daljes nga ky takim, përfaqësia e fermerëve tha se Kryeministri nuk ishte i informuar në lidhje me problematikat reale të tyre dhe si problematikë kanë ngritur edhe burokracitë dhe sorollatjet për përfitimin e naftës pa taksa, sipas vendimit të dhjetorit të vitit të kaluar të Qeverisë./Gazeta Shqip