IQT-ja ka të drejtë dhe përgjigjet për kontrollin e respektimit të standardeve për cilësinë e naftës dhe nënprodukteve të saj
Analizat
IQT-ja kryen analiza në laboratorët e akredituar, për naftën e prodhuar në vend, ose të importuar, para zhdoganimit
Detyrimi
IQT-ja kryen kontroll periodik të detyrueshëm të subjekteve, kontrollin e cilësisë së naftës te konsumatorët e mëdhenj
Gjiknuri firmos bllokimin. U gjetën me shkelje të standardeve të cilësisë dhe sigurisë
Zamir Alushi
Ministri Gjiknuri firmos pezullimin e aktivitetit për 37 kompani të tregtimit me shumicë të naftës. Nga data 23 gusht ka hyrë në fuqi ligji i ri i ndryshuar i hidrokarbureve, i cili synon respektimin e standardeve në prodhimin dhe tregtimin e naftës e gazit. Pikërisht në kuadër të masave për monitorimin e standardeve të cilësisë, me propozim të Inspektoratit Qendror Teknik (IQT), ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ka firmosur masën e pezullimit të aktivitetit tregtar të këtyre shoqërive të tregtimit me shumicë të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre. “Kontrollet e IQT-së janë përqendruar te treguesit e cilësisë dhe sigurisë së tregtimit të naftës e gazit, ashtu sikurse edhe te respektimi i detyrimeve ligjore që subjektet tregtare kanë ndaj shtetit”, njofton zyra e shtypit e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. “Garantojmë opinionin publik për vendosmërinë për të kontrolluar në vijimësi tregun e hidrokarbureve, me qëllim mundësimin e një furnizimi cilësor dhe të sigurt të konsumatorëve shqiptarë me naftë, gaz dhe nënproduktet e tyre”, thuhet në komunikatë. Shoqëritë e tregtimit me shumicë, ndaj të cilave është marrë masa e pezullimit, përbëjnë rreth 20% të totalit të këtyre shoqërive që ushtrojnë aktivitet në këtë fushë. Në bazë të ligjit, shoqëri tregtimi me shumicë është personi juridik që
blen naftë dhe nënproduktet e saj, me qëllim shitjeje te të tretët. Shoqëritë e tregtimit me shumicë kanë të drejtë të furnizojnë, sipas kushteve të licencës përkatëse, rafineritë e naftës, impiantet e përpunimit, shoqëritë e tregtimit me pakicë, të pajisura me licencë tregtimi, mjetet detare dhe ajrore, si dhe konsumatorët e mëdhenj. Këto subjekte duhet t’i shoqërojnë produktet me certifikatë cilësie dhe mostër përfaqësuese të sekretuar, sipas kritereve të përcaktuara nga ministri.
Gjobat
Për muajin e kaluar, sipas të dhënave të IQT-së, figurojnë të ndëshkuar 34 subjekte, të cilat janë konstatuar me probleme gjatë inspektimit. Kompanitë kishin mungesë të dokumentacionit teknik-ligjor, mungesë të rezervës së sigurisë apo tregues larg nivelit të detyrueshëm për pikën e flakërimit, si dhe përqindjes së squfurit. Për këto subjekte, gjobat e vendosura nga Inspektorati Qendror Teknik varionin nga 100 mijë lekë deri në 57 186 979 lekë, (gjoba më e lartë është vendosur në Durrës, ndaj një kompanie për mungesë të rezervës së sigurisë).
Standardet
Nga inspektimet e inspektorëve të IQT ka rezultuar se dy parametrat, tregues të standardeve, pika e flakërimit dhe përqindja e squfurit, kanë qenë jashtë normave. Kontrollet e vazhdueshme po ushtrohen në të gjithë territorin, ndërsa pikat e karburantit të konstatuara me probleme kanë pasur pikë më të ulët të flakërimit krahasuar me përcaktimin ligjor. Kurse përqindja e squfurit konstatohet disa herë më e lartë se standardi i kërkuar.
Dënimet plotësuese
IQT, sipas ligjit të ri, ka të drejtë që, paralelisht me aplikimin e gjobës, të vendosë edhe dënimet plotësuese: a) bllokimin e përkohshëm të veprimtarisë, por jo më shumë se 90 ditë; b)propozimin pranë ministrisë për fillimin e procedurave të heqjes së licencës së tregtimit me shumicë. Ky dënim plotësues merret në rast se subjekti nuk respekton kushtin e bllokimit të përkohshëm të veprimtarisë ose përsërit shkeljen apo kryen një shkelje tjetër. Në këtë rast, vendimi për heqjen e licencës duhet të merret nga organi kompetent jo më vonë se 90 ditë nga data e konstatimit të shkeljes.
Masa e pezullimit të veprimtarisë jepet për shoqëritë e listuara më poshtë:
- “Joni MD” sh.a.
- “Enarvi” sh.a.
- “Halilaj Hollding Group” sh.a.
- “A & A Oil 10” sh.a.
- “Duçellari 2010” sh.a.
- “Europa Park” sh.a.
- “Albatras Oil” sh.a
- “Ina Petrol” sh.a.
- “Al Prima” sh.a.
- “Gentjan 2011” sh.a.
- “Alfa Omega Enterprise” sh.a.
- “New Petrol” sh.a.
- “Roberto Oil” sh.a.
- “Lilo Petrol 2011 Compani” sh.a.
- “Isc Petroleum Compani” sh.a.
- “EBC Oil Compani” sh.a.
- “Niti Petrol compani” sh.a.
- “Gramozi Oil Compani” sh.a.
- “Albania Oil Compani 2011” sh.a.
- “Petroleum 2011- Compani” sh.a.
- “Lloga Oil – Compani” sh.a.
- “Tot Trading In Oil & Transport” sh.a.
- “Durrës Oil Internacional Logistik” sh.a.
- “Power Sprint Oil” sh.a.
- “Kurum Energy” sh.a.
- “Sheng Oil” sh.a.
- “Eurostandard Oil” sh.a.
- “Evo Power” sh.a.
- “Dion Petroleum” sh.a.
- “K & E 2011” sh.a.
- “Tangra Group” sh.a.
- “Sarona” sh.a.
- “East Mediterranean” sh.a.
- “Kroj Petrol” sh.a.
- “Gaz Power” sh.a.
- “Tot Trading In oil & Transport” sh.a.
Për kategorinë e produkteve III/C
- “Kalaja” sh.a.
