Autoveturat
Udhëzimi i Financave me tabelat e 500 rasteve të llogaritjes deri në 17 vjet përdorimi
Drejtuesit e mjeteve duhet t’i paguajnë taksat brenda 30 qershor që të përfitojnë faljen e gjobës
Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit
Efekti – Nga përgjysmimi i taksës vjetor të mjeteve të transportit, Ministria e Financave llogarit një humbje në buxhet prej 2.5 miliardë lekë
Regjistri – Sipas regjistrit online të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, në rang vendi numëron rreth 420 mijë mjete
Procedurat – Udhëzimi i Ministrisë së Financave, që bën të mundur sqarimin e plotë se si dhe kur duhen paguar detyrimet
ARD KOLA
Ministria e Financave ka nxjerrë udhëzimin për zbatimin e ligjit “Për taksat kombëtare”, duke pasqyruar me shembuj se si dhe sa do të paguhet në vit për mjetin e transportit, sipas variantit të ri. Gazeta “Shqip” publikon të plota dy tabelat e përgatitura me shembuj nga ekspertët e ministrisë, për t’ua bërë të qartë drejtuesve të mjeteve se cili është detyrimi vjetor që duhet paguar, si dhe ndryshimet e tjera në ligj për masën e gjobës për rastet e vonesave, si duhet paguar etj.
Në thelb, ndryshimi ligjor përgjysmon detyrimin për të paguar. Formula është e njëjtë, pra cilindrat (fuqia motorike), vjetërsia e mjetit (koeficientet që rriten sipas viteve) dhe tarifa e llojit të karburantit. Kjo e fundit ka ndryshuar, pra është ulur me 50 për qind, ku për naftën është bërë 12.5 lekë (nga 25) dhe benzinën 10 lekë (nga 20 që ishte deri para dy javësh).
Udhëzimi
Taksa vjetore e mjeteve të përdorura të transportit është taksë vjetore për çdo vit kalendarik dhe ka vlefshmëri 365 ditë.
Kjo taksë caktohet sipas formulës: Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë x taksa fikse për llojin e karburantit. Sikurse paraqitet në tabelat (njëra për autoveturat me naftë dhe tjera për benzinën), tregohen vlerat që duhen paguar. Çdokush mund ta dallojë detyrimin që i takon të shlyejë për mjetet deri në 17 vjet përdorimi (afati nuk ka limit, por për efekt praktike janë kalkuluar deri në këto vite).
Sa i takon koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit, në udhëzim thuhet se, mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse. Pra, kush e ka makinën me vit prodhimi të tre viteve të fundit, nuk paguan taksën e qarkullimit rrugor. “Viti i vjetërsisë” është diferenca ndërmjet vitit, kur mjetit i lind detyrimi për të kryer pagesën e taksës me vitin e prodhimit.
Pas vitit te 24-t të përdorimit të mjetit, për autoveturat, koeficienti rritet me 0.04.
Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. Vlera e taksës është për vitin kalendarik në të cilin arkëtohet, me vlefshmëri 365 ditë, pavarësisht nga momenti në të cilin ajo paguhet.
Shembulli për gjobat
Pagesa e taksës bëhet brenda afatit të vlefshmërisë, por gjithnjë para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5% të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25% për çdo vit.
Ministria e Financave paraqet një shembull për llogaritjen e gjobës për mospagesë të taksës brenda afatit të vlefshmërisë së parashikuar.
Mjeti me cilindrat 1900 cm3, me naftë dhe vit prodhimi 2001, për vitin 2013 ka paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura në datën 15.02.2013, për vlerën 15.200 lekë. Në datën 20.04.2014 pronari i mjetit paraqitet për të paguar taksën e vitit 2014, pra është me 3 muaj vonesë për pagesën e TVMP dhe për këtë arsye duhet të paguajë 15 për qind gjobë, mbi shumën e taksës që duhet të paguaje për vitin 2014 në vlerën 8.550 lekë. Pra vlera e gjobës është në vlerën 1283 lekë.
Të ardhurat nga taksa dhe gjobat për çdo rast, mblidhen nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, nëpërmjet drejtorive rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit dhe shpërndahen sipas procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, 5 për qind strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, 18 për qind buxhetit të qeverisjes vendore dhe pjesa tjetër Buxhetit të Shtetit.
Taksa për herë të parë
Mjetet që regjistrohen për herë të parë, në momentin e targimit të tyre, paguajnë taksën vjetore të mjeteve të përdorura (TVMP) në raport me kohën e hyrjes në qarkullim në territorin e Shqipërisë. Në rast se mjeti regjistrohet në muajin janar TVMP paguhet e plotë, ndërsa për periudhën në vazhdim në raport me muajt e hyrjes në qarkullim, pavarësisht datës së muajit.
Për mjetet që dalin përfundimisht nga qarkullimi, në momentin e paraqitjes së qytetarit për çregjistrimin e përhershëm, llogaritja e vlerës se taksës do të jetë e barabartë në raport me periudhën, që mjeti ka qenë në qarkullim.
Në rastet e mjeteve, të cilat ndërrojnë pronësinë, drejtoritë rajonale të DPSHTRR-së nuk procedojnë me regjistrimin e pronësisë së mjetit në rast se për atë mjet nuk janë paguar taksat respektive.
Pagesa e kësaj takse shoqërohet me faturë dhe me pullën e taksës. Zotëruesi i mjetit e vendos pullën e taksës në xhamin e përparmë të mjetit për të lehtësuar ushtrimin e kontrollit vizual nga organet kompetente. Këto dokumente prodhohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe shpenzimet përballohen nga ky institucion në zbatim të nenit 8, pika 3, shkronja “c” të ligjit nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar. Dokumentet e mësipërme duhet të përmbajnë elemente të sigurisë së lartë, për të shmangur falsifikimin e tyre.
Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor bëjnë regjistrimin ditor të arkëtimit të taksës, që shërben si dokument bazë për rakordimin e pagesës së taksës me organet e tatimeve. Regjistrimi bëhet në një regjistër të veçantë ose në mënyrë elektronike, forma dhe përmbajtja e të cilit janë sipas formularit nr.2, bashkëngjitur këtij udhëzimi. Këto drejtori, brenda datës 31 janar të çdo viti, dërgojnë në drejtoritë rajonale të tatimeve dhe në strukturat e Ministrisë së Brendshme listën e mjeteve që nuk kanë paguar taksën për vitin paraardhës, si dhe listën e mjeteve të regjistruara. Personat fizikë apo juridikë, pronarë të këtyre mjeteve, në këto lista do të trajtohen si debitorë dhe nga ana e DPSHTRR-së dhe ndaj tyre do të fillojë të zbatohen masat shtrënguese.
Detyrimi dhe gjobat e falura
Pas datës së hyrjes në fuqi të ligjit nr. 120/2013 “Për disa ndryshime në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar, datë 18.04.2013, të gjithë pronarët e mjeteve që nuk kanë paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura, pavarësisht kur e kanë pasur datën e pagesës së taksës, paguajnë sipas këtij ligji.
Në rast se pronari i mjetit pagesën e taksës vjetore të mjetit të përdorur e bën brenda datës 30 qershor 2013, përveç të drejtës së pagimit të vetëm gjysmës së detyrimit të përllogaritur para hyrjes në fuqi të ligjit, përjashtohet edhe nga penalitetet për vonesë në pagesën e taksave. Për të gjitha pagesat e vonuara që kryhen pas datës 30 qershor 2013, llogarit penalitetet përkatëse. DPSHTRR merr të gjitha masat që të fillojë aplikimin e tyre në sistem nga 1 janari 2014.
Ministria e Financave jep një shembull për këtë rast.
Kështu, pronari i një mjeti me cilindrate 1900 cm3, me naftë dhe vit prodhimi 2001, për vitin 2013 duhet ta paguante taksën vjetore të mjeteve të përdorura në datën 15.02.2013 sipas përllogaritjeve për vlerën 15.200 lekë.
Rasti a) Në se paraqitet për pagesë më 20 qershor 2013, paguan 7.600 lekë taksë dhe nuk paguan penalitete.
Rasti b) Nëse paraqitet për pagesë më 01.07.2013, paguan 7600 lekë taksë dhe i përllogaritet 25 për qind gjobë mbi shumën e taksës që ka paguar, (6 muaj vonesë për pagesën e TVMP, por jo me shumë se 25 për qind) pra në vlerën 1900 lekë.
Automjetet e
sekuestruara
Detyrimet e prapambetura, për mjetet e sekuestruara apo të konfiskuara me vendim të formës së prerë të Gjykatës, të cilat i kalojnë ne administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) për qëllime përdorimi apo rishitje. Për këto mjete AAPSK kryen procedurat e nevojshme për rihedhje në qarkullim apo shitje dhe detyrimi për taksen vjetore të mjeteve të përdorura lind në momentin e pajisjes së tyre me lejen e re të qarkullimit, pavarësisht se cili është pronari i tyre.