Projektligji
Qeveria tërhiqet pas tre vitesh, riaktivizon industrinë e riciklimit dhe inerteve
Shqipëria do të ndalojë përfundimisht importimin e mbetjeve të rrezikshme dhe atyre jo të rrezikshme për qëllim ruajtjeje ose asgjësimi në territorin e saj. Përmes një projektligji të ri “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” që tashmë është depozituar në Kuvend, qeveria parashikon që të ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme apo edhe importi i mbetjeve jo të rrezikshme, për qëllim ruajtjeje ose asgjësimi në Republikën e Shqipërisë. Por nga ana tjetër, drafti i propozuar rikthen të drejtën e importit të mbetjeve jo të rrezikshme në vend, me qëllim riciklimin. Po ashtu ai i rikthen të drejtat që ka pasur Këshilli i Ministrave si pjesë e rrjetit të integruar të mbetjeve. Gjithashtu, projektligji përcakton ministrin e Mjedisit si autoritetin pranë të cilit depozitohet kërkesa për importin e mbetjeve, si dhe autoritetin që e lëshon këtë akt. Neni 3 i projektligjit saktëson se autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme është i vlefshëm për një periudhë kohore deri në dy vjet dhe u nënshtrohet kushteve të përgjithshme, të përcaktuara në rregulloret e miratuara në zbatim të këtij ligji, si dhe çdo kushti specifik që lidhet me rastin konkret. Si pasojë e këtij parashikimi, bëhen edhe ndryshimet përkatëse në pjesën takuese të kundërvajtjeve administrative me qëllim që mbetjet jo të rrezikshme të mos importohen pa u pajisur me dokumentacionin përkatës që specifikohet në këtë akt. Drafti parashikon gjithashtu daljen e një VKM-je, apo e ashtuquajtura “lista e gjelbër”, që do të përcaktojë dhe listën e mbetjeve që mund të importohen në Shqipëri. Sipas qeverisë, ky projektligj nuk do të ketë asnjë efekt shtesë në buxhetin e shtetit për Ministrinë e Mjedisit, ndërkohë që lejimi i importit të mbetjeve, sipas saj, do të rrisë të ardhurat në buxhetin e shtetit si pasojë e detyrimeve doganore që do detyrohen të paguajnë në doganë importuesit e këtyre mbetjeve. Në relacionin bashkëngjitur draftit, qeveria thekson investimet e mëparshme në industrinë e riciklimit shkonin në rreth 120 milionë euro dhe ishin të punësuar rreth 35.000 punonjës. Investimet ishin llogaritur, që përveç riciklimit të mbetjeve që gjenerohen në vend, të përfshiheshin edhe një pjesë nga importi. Por me miratimin e ligjit nr. 156, datë 10.10.2013, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10463, datë 22.09.2011, “për menaxhimin e integruar të mbetjeve u ndalua importi i mbetjeve, duke arsyetuar se institucionet përkatëse nuk ishin në gjendje të inspektonin dhe kontrollonin cilësinë e mbetjeve. Kjo për mungesë të kapaciteteve dhe laboratorëve përkatës. Ndalimi i importit solli si pasojë që industria e riciklimit të punojë me 30% të kapaciteteve, duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik, si dhe shkurtim të fuqisë punëtore. Aktualisht, gjatë këtyre tre viteve, në këtë drejtim janë bërë përmirësime të dukshme.
Penalitetet
Çdo person që importon mbetje të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë, sipas nenit 48 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 500 000 lekë deri në 2 000 000 lekë”.
Çdo person, që importon mbetje jo të rrezikshme në territorin e Republikës së Shqipërisë pa autorizim apo në kundërshtim me autorizimin dhe jo në përputhje me nenin 49 të këtij ligji, dënohet me gjobë në vlerën nga 1 500 000 deri në 2 000 000 lekë.