Qeveria nxjerr ligjin për statusin e ndërmarrjeve sociale. Këto ndërmarrje duhet të ushtrojnë në mënyrë të vazhdueshme një veprimtari në fushën e prodhimit të mallrave ose ofrimit të shërbimeve. Të paktën 20% e të ardhurave, pas vitit të dytë të aktivitetit dhe, të paktën, 30% e të ardhurave, pas vitit të tretë e në vijim të aktivitetit, duhet të realizohen nga veprimtaritë e parashikuara. Sipas projektligjit, ndërmarrja sociale, përveç kontributit të vullnetarëve, duhet të përfshijë domosdoshmërish edhe të paktën tre punonjës me pagesë. Të ardhurat e realizuara nga veprimtaria ekonomike e ndërmarrjeve sociale i shërbejnë zgjerimit të vazhdueshëm të veprimtarisë së tyre. Të paktën 30% e punonjësve të punësuar në ndërmarrjen sociale duhet t’i përkasin kategorisë së grupeve të pafavorizuara nga pikëpamja sociale dhe ekonomike. Ndërmarrjet sociale e ushtrojnë veprimtarinë në këto fusha: shërbime shoqërore, ndërmjetësim për punësim, punësim të të rinjve, shërbime shëndetësore, shërbime në arsim, mbrojtje mjedisore, promovim i turizmit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, veprimtari sportive.