Plani rregullues i Tiranës, reagon shoqërie civile: Mungon gjelbërimi


ARD KOLA


Plani rregullues i Tiranës, i miratuar javën e kaluar, po has në kundërshti të forta nga grupet e interesit. Për përgatitjen e planit u punua 12 muaj, për konsultimin me publikun 7 muaj, por një ditë para miratimit nga bashkia u publikuan detajet, të cilat nuk shquheshin si duhet, ndërsa një ditë më pas, u shpërnda kopja me përmbajtjen e plotë. Tashmë kur kanë kaluar disa ditë nga miratimi në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Shoqata e Ndërtuesve dhe më pas ambjentalistët apo ekspertët e fushës, japin gjykime mbi përmbajtjen e planit, ku në thelb e konsiderojnë kriminal për nga mënyra e trajtimit të hapësirave të gjelbra dhe klientelist për nga procedura e shqyrtimit.


Lejet, sipas xhepit


Shoqata e Ndërtuesve është njohur shumë vonë me detajet (dokumentacionin) e planit rregullues dhe nuk ka pasur mundësi të ishte pjesë e drejtpërdrejtë e konsultimeve. Shqetësimet janë të shumta, por më kryesori dhe që rrezikon të përshkallëzojë korrupsionin në këtë sektor, janë koeficientët e ndërtimit. Maksi Muçi, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, thotë për gazetën “Shqip” se koeficientët e vendosur kanë diapazon të gjerë dhe nuk janë fiks. “Në planin e miratuar jepet në një diapazon p.sh. nga 2,7 në 3.5 m² ndërtim për m² truall. Pra, punonjësi i bashkisë mund të heqë ose të shtojë 800 m² ndërtim për 1000 m² truall vetëm me dëshirën e tij”, thotë Muçi. E thënë ndryshe, në një zonë X të Tiranës, koeficienti nis me 2.7 m² ndërtim për m² hapësirë (që i bie se në 1000 m² truall, mund të ndërtosh objekt me madhësi prej 2700 m²) deri në 3.5 m² (3500 m² ndërtim), duke mos e lënë fikse dhe i jep mundësi bashkisë të luajë me këtë hapësirë mes dy koeficientëve, që në rastin konkret janë 800 metra katrorë (afërisht 500 mijë euro). Shoqata thotë se kur u prezantua plani për herë të parë, koeficienti ishte fiks, një i vetëm, por rrugës gjatë “konsultimeve” ndryshoi. “Ne kërkojmë që kjo të jetë vetëm një vlerë fikse dhe e përcaktuar njëlloj për të gjithë. Në rastin si është miratuar, do ketë ndërtues dhe pronarë trualli, të cilët do kenë privilegjin që toka e tyre të vlerësohet më shumë se e të tjerëve”, thotë Muçi. Përveç sa më sipër, numri i nënnjësive strukturore, nga 600, për Tiranën është reduktuar në 464. Kjo do të thotë, sqaron shoqata se, sipërfaqja e çdo nënnjësie është rritur me 25%, nga 30000 në 40000 m². Kjo rrit shumë vështirësitë e hartimit të PDV-ve (planet e detajuara vendore) pasi sa më e madhe të jetë sipërfaqja, aq më shumë ka nevojë për miratim dhe volum pune. Pra, ndërtuesve u duhet të bëjnë tashmë studim për 40000 m² rreth objektit që do të ngrenë, pavarësisht se mund të zërë vetëm 1000 m² punime, dhe realizimi i studimit do të kërkojë shumë angazhime dhe marrjen e firmës deri në 500 pronarë (pavarësisht se mund të kesh punë vetëm me 20 prej tyre).


Hapësirat e gjelbra


Shoqëria Civile beson se asnjë institucion ndërkombëtar nuk do të japë miratimin për një plan që dyfishon numrin e popullsisë së banorëve në kryeqytet, zhduk zonat e gjelbra dhe zhduk atë pak trashëgimi kulturore që i ka mbetur Tiranës, pasi plani i parasheh si zona ndërtimi pallatesh të gjitha lagjet karakteristike të kryeqytetit. “Ky plan, përveçse kriminal, është shumë vështirë që t’i gjesh një fjalë tjetër. Intensitetet e ndërtimit shkojnë deri në 6 herë, të cilat janë në qytetet mesatare të Europës për nga rritja. Fëmijët do të detyrohen dhe transferohen për të bërë ato orët e tyre të pushimit nëpër tarracat e pallateve, sepse plani dikton që tarracat e pallateve do të lulëzohen, meqenëse parqet do të zhduken. Do të kërkojmë një oponencë ndërkombëtare nga institucione të specializuara, sepse në Shqipëri institucionet janë shkatërruar. Besoj që do të vënë duart në kokë edhe të huajt, kur të marrin vesh se çfarë kemi rezervuar për publikun kryeqytetas”, tha arkitekti Artan Shkreli. Sot, Tirana konsiderohet një qytet i mbipopulluar, me një dendësi prej 4 mijë banorësh për kilometra katror.


“Parashikohet me këtë plan që të shkojë rreth 25 mijë banorë për kilometër katror, që është numri një në botë. Të ngjeshësh Tiranën më tej është vërtet kriminale, ndaj ne mendojmë se Këshilli Kombëtar i Territorit do ta marrë në konsideratë edhe këtë reagim qytetar dhe do të anulojë çdo miratim të këtij plani, i cili duhet të rikthehet dhe të diskutohet mes ekspertëve, e para, por pa dyshim edhe me publikun, gjë që ka munguar”, thotë ambientalisti Lavdosh Ferrunaj.


Hapësira e ndërtimit nuk është fikse, por lëviz, duke ia lënë në dorë bashkisë të vendosë sipas klientit


 


Reagimi


Basha: Plani zgjidh


problemet e qytetit


 


“Komunitetet autoktone dhe komunitetet e vjetra do të përfitojnë nga ky çlirim i planit, pas shumë vitesh bllokim nga Edi Rama. Ndërkohë që prona të tjera u zhvilluan, pronat e tyre u ‘ngrinë’ me justifikime të paqëndrueshme, ndërsa ishin prej kohësh zona në nevojë të madhe për zhvillim dhe jam i bindur se qytetarët e Tiranës e kanë refuzuar një herë gjuhën e konfliktit politik, gjuhën e kërcënimit dhe çdo zgjedhje individuale apo politike”, është një ndër reagimet e kryetarit të bashkisë, Lulzim Basha.


 


Kriza


100 milionë euro borxhe, 12 mijë apartamente stok


Sektori i ndërtimit sapo mbylli vitin e katërt të krizës, por shoqata thotë se 2012 ishte më i vështiri, pasi e thelloi më tepër. Të dhënat e raportuara nga anëtarët e shoqatës tregojnë se kanë mbetur pa u shitur rreth 12 mijë apartamente në rang vendi. “Rreth 5 mijë janë në Vlorë, rreth 2500 janë në Sarandë, rreth 300 në Korçë, rreth 4500 në Durrës. Në Tiranë, për sa i përket zonës së Bashkisë së Tiranës janë pak, sepse flasim vetëm për bashkitë, kur nuk themi për Kasharin dhe zonat e tjera, pra shifra është rreth 600-700 apartamente”, thotë Maksim Muçi.


Sipas tij, volumi i punës është ulur me 50 për qind, për shkak edhe të tkurrjes së investimeve publike nga qeveria.


Borxhi i akumuluar, raportuar vetëm nga anëtarët e shoqatës, pra jo të gjithë çfarë janë subjekte ndërtuese, arrin në 100 milionë euro, detyrime që iu ka shteti për punët e kryera në tri vitet e fundit. Ministria e Transporteve dhe e Financave bëjnë me faj ndërtuesit për detyrimin e akumuluar, pasi kanë punuar më tepër se plani dhe se u duhet të presin grafikun e lëvrimit të fondeve. “Nëse një projekt publik, duhet ndërtuar për dy vjet, firmat e bëjnë për 6 muaj dhe kërkojnë paratë direkt, gjë e cila nuk është parashikuar në buxhet, pasi ka një plan dhe afat”, thotë zëvendësministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Ernest Noka, i cili falënderon firmat për kontributin në formë veresie!.


Mungesa e punimeve ka shkaktuar gjendje falimenti për firmat, ku rreth 1 mijë prej tyre deklaruan bilance me zero aktivitet, ndërsa rrogat janë ulur, kurse stafet janë shkurtuar me 30 për qind. Në kuadër të vitit elektoral, shoqata u bën thirrje forcave politike të kenë parasysh disa elementë. “Nevojitet më shumë partneritet, të rishikohet legjislacioni, të forcohet lufta ndaj korrupsionit, të ndërpritet informalitetit në ndërtim, kujdes me taksat, etj”, thotë shoqata.


A.Kola