Projektligji
Komisioni për Ekonominë miraton ndryshimet në procedurat tatimore. Lehtësohen gjobat për biznesin në 12 raste
Nis diskutimi në Kuvend i ndryshimeve në procedurat tatimore. Një nga propozimet e qeverisë kërkon që bizneset me shkelje të përsëritura për mosregjistrim punonjësish dhe që nuk përdorin apo instalojnë kasat fiskale, të ndiqen penalisht. Me propozim të qeverisë, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ndryshoi ligjin për procedurat tatimore. “Tre janë synimet bazë, pjesë e paketës së lehtësirave që u kërkohen procedurave tatimore. Detyrohet administrata tatimore të publikojë aktet që kanë të bëjnë me vendimet e gjykatave që biznesi të njihet me to. Vendoset afat i shkurtuar për garancitë financiare. Kemi shkurtuar kohën e përgjigjeve të apelimit në 16 ditë ka qenë 3 muaj më parë. TVSH do të rimbursohet mbi bazë të analizës së riskut”, – u shpreh ministri i Financave, Shkëlqim Cani. “Dikush që e bën për herë të tretë, të katërt, të pestë, natyrshëm që kemi të bëjmë me raste që nuk është më një gabim teknik, nuk është më një gabim që erdhi qoftë edhe për nga një logjikë e caktuar, por është një gabim, i cili vjen i qëllimshëm dhe kuptohet dhe që ndaj këtij elementi ne themi që do të shkojë deri te masat penale”, tha Cani. Por krahas forcimit të ndëshkimeve për shkeljet e përsëritura, qeveria propozon ulje gjobash dhe lehtësime për biznesin për 12 raste. “Ulja e nivelit të gjobave është ndihmesë për biznesin, është vazhdë e përgjigjeve tona ndaj kërkesave të vazhdueshme të biznesit dhe duke qenë që pothuajse përgjysmohen ato, kuptohet që lind e drejta që organet tatimore të kenë në fund dhe një mjet shtrëngues në mënyrë që secili të ketë sjelljen racionale ndaj kërkesave të ligjit dhe ndaj pagesës së tatim-taksave”, tha Cani. Gjithashtu, ligji i ri detyron Tatimet të publikojnë të gjitha vendimet e formës së prerë të gjykatave për çështjet tatimore. Paralelisht ai ul kohën e rimbursimit të TVSH-së. “Për të ulur kohët dhe kostot për tatimpaguesit, nga administrata tatimore propozohet që kontrollet lidhur me rimbursimin e Tatimit të Vlerës së Shtuar të bëhen në bazë të analizës së riskut dhe kërkesat për rimbursim të TVSH-së, të cilat nuk janë me risk po procedohet automatikisht për rimbursim. Gjithashtu për të garantuar dhënien në kohë të rimbursimit të Vlerës së Shtuar është përcaktuar se pagesat e tepricës kreditore të rimbursueshme kryhen brenda pesë ditëve nëpërmjet sistemit të thesarit”, tha deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Koçi. Ligji i ri vendos afat minimal për garancitë që u bllokohen sipërmarrësve në rastet e apelimeve dhe po kështu, shkurtohet nga tre në dy muaj, koha brenda së cilës tatimet duhet të marrin vendim për çdo apelim të biznesit. “Është krijuar një klimë e ndryshme dhe po të shohësh ligjet, për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, kodin doganor, ligjin për procedurat, ligjet që kanë qenë pjesë e korpusit të paketës fiskale, qartazi synojnë pikërisht këtë gjë, të ulin masat e forta, represionet kundrejt sipërmarrjeve dhe krijimin e një klime krejtësisht tjetër të marrëdhënieve me biznesin”, vlerësoi Braçe.
Z. Alushi