Tatimet: Kaluan në statusin pasiv. 9 mijë vetëm në 2012, kurse në QKR u çregjistruan 2500
Sektorët
TVSH – Për vitin 2012, kemi 1.4% më pak biznese kontribuuese në derdhjen e TVSH në sektorin e prodhimit dhe 6.1% në atë të ndërtimit
Fitimi – Për taksën e tatimit mbi fitimin, vihet re se kemi rënie të bizneseve që e paguajnë, 1.6% në prodhim dhe 6.3% në ndërtim
ARD KOLA
Klima e pafavorshme për të bërë biznes në Shqipëri ka detyruar mijëra subjekte të mbyllin aktivitetin. Një pjesë kanë deklaruar kalimin në statusin pasiv, pra e mbylljes së përkohshme deri në gjetjen e mundësisë për të dalë nga situata e vështirë, me shpresë për t’u rikthyer, ndërsa të tjerët janë çregjistruar përgjithnjë nga QKR-ja, pra i kanë dhënë fund aktivitetit privat.
Kështu, të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëjnë të ditur se në vitin 2012, kanë mbyllur aktivitetin, pra kanë marrë statusin pasiv rreth 9 mijë biznese, ose sa 7 për qind e totalit. Kjo kategori kalon pasiv në kushtet kur për një kohë të caktuar nuk ka paguar taksat, nuk deklaron asnjë lloj aktiviteti, pra praktikisht biznesi ka ulur qepenin dhe është në pritje të ndonjë zhvillimi në planin e tij, ose i ka humbur shpresat, por nuk e çregjistron në QKR, pasi i duhet të paguajë penalitetet. Megjithatë, nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit mësohet se rreth 2500 subjekte kanë kërkuar çregjistrimin e aktivitetit, pra shuarjen e niptit.
Vetëm në dy vitet e fundit, kemi rreth 17 mijë biznese që kanë kaluar në statusin e pasivit, pra nuk gjenerojnë asnjë aktivitet për ekonominë, ose 14 për qind e të gjithë tatim-paguesve të regjistruar. Numri i saktë i bizneseve që kryejnë aktivitet shpesh ka qenë i diskutueshëm. Zyrtarisht, qeveria thotë se janë rreth 130 mijë, por tatimet deklarojnë se aktive nuk janë më shumë se 80 mijë.
Megjithatë, sipas Censusit 2011 të INSTAT, biznese aktive ishin 97 437, me rritje 14 për qind në raport me fundin e vitit 2009 dhe ku dominon biznesi i vogël, me mbi 78 mijë.
Ekspertë të fushës gjykojnë se shumë nga bizneset i mbyllin qëllimisht aktivitetet për të shmangur pagesën e taksave, që sipas vlerësimeve të ndërkombëtarëve kanë koston më të lartë në rajon. Kjo shpjegohet edhe me faktin se në vitin e krizës së 2012, kemi rreth 13 mijë biznese të regjistruara, me 12 për qind rritje, ku 6300 ishin me TVSH dhe pjesa tjetër janë biznes i vogël.
Kjo lloj “skeme” nuk është pranuar asnjëherë zyrtarisht nga institucionet kompetente, por i kanë marrë të mirëqena se po shtohen nga bumi ekonomik.
Regjistrimi në QKR është veprimi më i thjeshtë, pasi realizohet brenda ditës dhe paguan 100 lekë. Mjafton të kesh kartë identiteti, t’i thuash sportelistit të QKR se çfarë aktiviteti do të kryesh dhe bëhesh menjëherë “biznesmen”.
Duke analizuar të dhënat e INSTAT, në bazë të Censusit, vihet re se, te sektori i punësimit, rreth 63 për qind e bizneseve kanë 1 të punësuar, 28 për qind me 2 deri në 4 të punësuar dhe 0.9 për qind e subjekteve me 50 e më shumë të punësuar, që praktikisht janë biznes i madh. Të shprehur në numër kemi afro 61 mijë subjekte me 1 person të punësuar, dhe ku gati 31 mijë merren me tregti.
Faktori tjetër tregues për forcën e biznesit shqiptar është xhiro vjetore. E ndarë në disa kategori, INSTAT ka përcaktuar kufij duke nisur nga 5 milionë lekë në vit, deri në 250 milionë lekë. Plot 82 mijë biznese, apo 84.5 për qind kanë një xhiro vjetore më të vogël se 5 milionë lekë në vit, të cilat me ligjin aktual të TVSH-së, operojnë kryesisht pa faturën e vlerës së shtuar (pragu i xhiros). Vetëm 851 subjekte, apo e shprehur ndryshe 0.9 për qind xhirojnë 250 milionë e më shumë lekë në vit, të pozicionuar kryesisht në fushën e tregtisë, me 351 biznese. Më pas vijnë ndërtimi dhe industria, me nga 141 subjekte që xhirojnë vlera të mëdha, baras me 2.5 milionë dollarë në vit. Sa i takon biznesit të vogël, rreth 37 mijë tregtarë nuk xhirojnë më shumë se 5 milionë lekë në vit.